Ramadani: KFOR-i është në dijeni për prezencën ruse në Serbi
Afrimi i shtuar dhe i dukshëm midis Rusisë dhe Serbisë, po aplikohet në fushën ushtarake. Janë disa marrëveshje të lidhura midis këtyre dy vendeve të cilat përcaktojnë edhe blerjen e një kategorie armësh të rënda. Ato armë mund të jenë një kërcënim jo vetëm për Kosovën dhe pjesën veriore atje, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Zëvendësministri i Mbrojtjes së Kosovës, Burim Ramadani, flet në një intervistë për gazetën “Shekulli”.
Ramadani është i vetëdijshëm për praninë e shtuar të forcave ruse në Serbi dhe kërkon nga ana e strukturave të NATO-s që të marrin në konsideratë këtë problem.
Kujtojmë se parada ushtarake në Nish ishte një shembull lapidar për përpjekjet e udhëheqjes serbe për ta kapërcyer dyjëzimin politiko-historik, ku e ka futur ajo vendin.
Nga njëra anë presidenti Vuçiq përbetohet se është prioritet i politikës së jashtme anëtarësimi i Serbisë, nga ana tjetër “yjet” e paradës në Nish ishin avionë luftarakë rusë MIG29, helikopterët ushtarakë MI-35 dhe tanket ruse T-72. Disa ishin blerë, të tjerë i janë dhuruar Serbisë nga Federata Ruse.
Në të njëjtën kohë, i pyetur nëse largimi i Kryeministrit Ramush Haradinaj nga detyra ka ndikuar tek ashpërsimi i toneve të Serbisë, Ramadani mendon se kjo është e vërtetë pasi Haradinaj ka vendosur disa standarde për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.
Z. Ramadani si e shikoni afrimin e fundit ushtarak midis Serbisë dhe Rusisë?
Përmes këtij bashkëpunimi ushtarak, Rusia dëshiron t’i arrij dy qëllime; zbehjen e ndikimit të Bashkimit Evropian dhe ndaljen e zgjerimit të NATO-s në rajon. Meqenëse dështuan në një skenar të ngjashëm në Mal të Zi, Rusia tashmë duket e vendosur që Serbinë ta mbajë nën orbitën e saj. Rusia ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Serbinë duke përdorur lidhjet kulturore dhe religjioze, mbështetjen e lëvizjeve nacionaliste si dhe përmes një influence mediale masive e cila ka për qëllim diskursin e instrumentalizimit të historisë dhe delegjitimimin e BE-së dhe NATO-s në rajon. Ballkani është një rajon ku historikisht janë përplasur influencat e jashtme, sot antogonizmi kryesor kristalizohet në mes NATO-s dhe Rusisë. Kosova duket qartë se paraqet vijë të frontit kundër Rusisë në Ballkan, në të cilën populli dhe institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të ndalojnë shtrirjen ruse.
A besoni se Serbia mund të përbejë një kërcenim ushtarak për Kosovën dhe rajonin, duke e ditur lidhjet e saj të ngushta me Rusinë?
Mund të konsiderohet si mesazh kërcënues çdo bashkëpunim i tillë i cili vjen jashtë bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe NATO, megjithatë, shumica e vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën janë përcaktuar pa asnjë ambiguitet për të ardhmen e tyre euro-atlantike dhe sa ma shumë të zgjerohet kjo zonë, aq më shumë do të zbehen kërcënimet e tilla eventuale. Zgjerimi i NATO-s edhe me Kosovën si anëtare të Paktit është i domosdoshëm.
A besoni se ka ndikuar largimi i Haradinaj nga posti i kryeministrit të Kosovës, që Serbia të mendoje se mund të arrijë diçka nga planet e sajë?
S’do mend se Kryeministri Haradinaj ka mbajtur një qëndrim të fuqishëm dhe të prerë në raport me planet e Serbisë ndaj Kosovës, i ka vendosur disa premisa dhe standarde të cilat do të shërbejnë edhe më tutje si shtylla të sovranitetit dhe me të cilat vështirë se mund të bëhen kompromise. Z. Haradinaj me të drejtë ka kundërshtuar secilin kompromis i cili do ta dëmtonte Kosovën aq shumë sa mund ta vinte seriozisht në pikëpyetje edhe ekzistencën e saj. Shteti është nocion serioz dhe si i tillë ka kuptim vetëm kur është funksional, në të kundërtën i humb kuptimi i ekzistencës së tij. Sidoqoftë, Serbia e ka të humbur luftën me Haradinajn dhe me Kosovën. E ka humbur luftën më 1999 dhe do ta humb kurdo që synon të pushtojë Kosovën. Fjalia “Kurrë më” është përgjigja më e saktë për tendencat e Serbisë që të pushtojë Kosovën tash e përjetë.
Po prezenca e KFOR në veri të Kosovës, a është në dijeni të prezencës Ruse në Serbi dhe cilat janë veprimet që mund të ndërmerren në këtë rast?
Jo vetëm KFOR-i por të gjithë janë në dijeni për prezencën e shtuar politike dhe ushtarake ruse në Serbi. Siç e thash më lartë, sa ma shumë të zgjerohet prezenca dhe ndikimi i Bashkimit Evropian dhe NATO-s në Ballkan, aq më shumë zbehen kërcënimet dhe ndikimet e tilla të cilat nuk duhet të neglizhohen në asnjë rast, sikundër që nuk duhet as të mbivlerësohen së tepërmi.