Ramadani konfirmon largimin nga Velje
Pas katër sezonesh me fanellën e Veljes në kampionatin danez të futbollit, mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani ka vendosur të largohet, për të provuar një eksperiencë të re.
Lajmin e ka dhënë vetë futbollisti nëpërmjet një postimi në Instagram, ku zbulon se i ka përfunduar kontrata me Veljen dhe se do të kërkojë për një tjetër eksperiencë, teksa nuk ka ngurruar të falënderojë edhe tifozët e skuadrës.
“Fansa të dashur, ka ardhur koha të largohem nga Vejle. Dua t’ju falënderoj të gjithëve që qëndruan me mua këto 4 vite, në ditë të mira dhe të këqija, në ulje dhe në ngritje, ne qëndruam të fortë. Ju u bëtë pjesë e familjes time dhe keni një vend special në zemrën time. Jam shumë krenar që isha pjesë e skuadrës së Vejles dhe ne shkruam historinë së bashku. Falënderimi special për shokët e skuadrës, trajnerët e mi, presidentin dhe stafin. Ju uroj shëndet dhe gjithë të mira, jeni të bekuar, shumë dashuri për ju të gjithë”, ka shkruar Ramadani në Instagram.
Mesfushori 25-vjeçar e nisi karrierën në Superligën e Kosovës, ku ka veshur fanellat e skuadrave të Ferizajt, Dritës e Prishtinës, ndërsa në sezonin 2016-2017 ishte pjesë e Partizanit në Kategorinë Superiore, prej ku u transferua më pas te Velje.