Ramadani: Kualifikimet ishin përvojë shumë e mirë
Kosova i përfundoi në vendin e dytë kualifikimet për Botërorin e hendbollit te meshkujt Kosova u radhit pas Rumanisë që avancoi tutje, ndërsa lanë mbrapa Gjeorgjinë dhe Italinë.
Mirëpo, trajneri i Kosovës, Tair Ramadani vlerëson se ky ishte një hap i rëndësishëm në ngritjen e ekipit kombëtar.
“Pas disfatës nga Rumania, nuk kam pritur që lojtarët të kthehen fuqishëm, duke pasur parasysh telashet që i patëm me grip në këto dy ndeshjet e fundit. Por lojtarët treguan shpirt luftarak ndaj Gjeorgjisë dhe arritën që kualifikimet t’i mbyllin me fitore dhe në vend të dytë. Është një hap i rëndësishëm para, pasi e kemi ditur se me Rumaninë nuk do të jetë aspak lehtë sepse janë të fortë dhe një nivel më lartë. Kjo fazë kualifikuese ishte një përvojë shumë e mirë për ekipin tonë dhe në përgjithësi jam i kënaqur me atë që treguam”, ka theksuar selektori Ramadani për faqen e Federatës së Hendbollit të Kosovës.