Ramadani: NATO e Kosova duhet të kenë aranzhime të reja operacionale
Institucionet e Kosovës e kanë për detyrë dhe obligim që të mos ta lejojnë përsëritjen e rastit terrorist të 24 shtatorit në Banjska. Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, thotë se NATO dhe Kosova duhet të kenë aranzhime të reja operacionale në aspektin politik dhe strategjik.
Ramadani thotë se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por paqëndrueshmëria e saj është e dukshme. Ai u bënë thirrje qytetarëve të rrisin bashkëpunimin me institucionet shtetërore, në mënyrë që të shmangen incidentet e mundshme në të ardhmen.
“Kosova mbetet në mbrojtje të trupave ndërkombëtare dhe në konsolidim e sipër të institucioneve të sigurisë, sikurse e kanë vlerësuar edhe institucionet e sigurisë. Situata është stabile, por paqëndrueshmëria e saj mund të jetë e dukshme, nëse ka situata qoftë të izoluara të incidenteve, andaj ftesa për qytetarët dhe për institucionet në të njëjtën kohë është që të rritet bashkëpunimi mes vete në mënyrë që edhe incidentet e planifikuara nëse janë nga Serbia të mos kenë hapësirë që të ndodhin në Kosovë”, ka thënë Ramadani për kp.
Në një konferencë për media, kryetarja e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka deklaruar se grupi terrorist serb është duke kryer ushtrime në rrethinën e Novi Pazar, Kopaonik e Kralevë, me mbështetje të Beogradit zyrtar dhe i udhëhequr nga autori i sulmit të Banjskës, Milan Radojiçiq.
Për këtë çështje, Ramadani thotë se institucionet e Kosovës e kanë për detyrë dhe obligim që të mos ta lejojnë përsëritjen e rastit në Banjska. Ai është shprehur se shpesh ka kërkuar që NATO dhe Kosova të kenë aranzhime të reja operacionale, në aspektin e bashkëpunimit mes KFOR-it dhe sektorit të sigurisë së Kosovës.
“Grupet paramilitare të Serbisë të ndërlidhura me shtetin e Serbisë dhe strukturat e sigurisë, kanë vazhduar sikurse është vlerësuar nga institucionet e sigurisë të përgatiten ose trajnohen në kuptimin e qëllimeve të këqija të kërcënimit të sigurisë në Kosovë dhe si e tillë institucionet e Kosovës e kanë për detyrë dhe obligim që të mos lejojnë përsëritjen e Banjskës. Unë shpesh e kam kërkuar ose e kam nxitur domosdoshmërinë që NATO dhe Kosova të kenë aranzhime të reja operacionale, pra edhe në aspektin e bashkëpunimit mes KFOR-it dhe sektorit të sigurisë së Kosovës, duke mos e lënë anash aspektin politik dhe strategjik”, ka thënë Ramadani.
Po ashtu, ditëve të fundit qytetarët kanë filluar ta përdorin për larje për herë të parë pas lufte liqenin e Ujmanit. Sipas Ramadanit, politizimi i organizimeve, sidomos atyre partiake në mbrojtje të rreptë policore, nuk i bën nder askujt.
Qytetarët e Kosovës mund të vizitojnë cilëndo pjesë të Kosovës, porse pompoziteti dhe politizimi i cilitdo organizim dhe sidomos organizimeve partiake në mbrojtje të rreptë policore, besoj që nuk i bën nderë as atyre që e kanë organizuar dhe nuk i bën nder as strategjisë për integrimin e përbashkët të qytetarëve atje”, ka thënë Ramadani.