Ramadani: Nga tranzicioni i FSK-së përfiton rajoni
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Burim Ramadani, e ka quajtur sfidues procesin e tranzicionit të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Megjithatë, ai ka bërë me dije se Kosova nuk ka hequr dorë nga angazhimi i vazhdueshëm për këtë proces me anë të ndryshimeve kushtetuese.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ramadani ka thënë se kurdo që të jetë e mundshme ndryshimet kushtetuese do të realizohen.
Ai ka deklaruar se Kosova nuk synon ta zëvendësojë praninë e NATO-s dhe të KFOR-it, si dhe nuk synon ta realizojë tranzicionin e FSK-së kundër ndonjë shteti tjetër në Ballkan.
Madje, sipas Ramadanit, nga tranzicioni i FSK-së përfiton rajoni. Ai ka theksuar se kompletimi i sektorit të sigurisë e aftëson Kosovën të kthehet në kontribuues të veçantë në sigurinë rajonale dhe më gjerë
“Epoka e re”: Z. Ramadani, si është duke ecur procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura? Kryeministri ka paralajmëruar se ky proces do të përmbyllet këtë vit. Sa janë gjasat që kjo të ndodhë, kur kemi parasysh se Lista Serbe e kundërshton transformimin e FSK-së?
Ramadani: Kompletimi i sektorit të sigurisë e aftëson Kosovën të kthehet në kontribuues të veçantë në sigurinë rajonale dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, ofron mundësinë që secili shtet në rajonin tonë të ndërtojë politika të përbashkëta të sigurisë dhe të mbrojtjes përballë kërcënimeve dhe sfidave globale të sigurisë. Qeveria dhe institucionet në tërësi vazhdojnë të punojnë në metodologji gjithëpërfshirëse dhe të detajuar në procesin e tranzicionit. Puna sistemike do të përmbyllet suksesshëm në këtë tranzicion. Komunikimi me të gjithë aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë është duke vazhduar. E kemi krejtësisht të qartë se siguria nacionale e Kosovës është ngushtë e lidhur me partneritetin strategjik me ShBA-në dhe NATO-n, duke synuar kështu thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit sipas interesit nacional të Kosovës. Sidoqoftë, në këtë moment çështja më e rëndësishme është prezantimi i të mirave që sjellë tranzicioni i FSK-së. Këto janë të mirat e tranzicionit të FSK-së: 1. Sigurohet institucion profesional dhe shumetnik; 2. Shmanget çfarëdo vakuumi i sigurisë në Ballkan, veçanërisht në bashkëpunimin ndërshtetëror për situata emergjence; 3. Ofrohet përfaqësim i të gjitha komuniteteve; 4. Bashkëpunohet ngushtë me KFOR-in dhe NATO-n; 5. Ofrohet siguria brenda Kosovës, në rajon dhe në botë; 6. KFOR-i dhe NATO-ja vazhdojnë rolin e tyre në Kosovë dhe rajon; 7. Zhvillimi i ushtrisë së vogël, shumetnike dhe profesionale e forcon sigurinë dhe stabilitetin rajonal; 8. Një hap i rëndësishëm drejt integrimit euroatlantik; 9. Anticipojmë se kjo do të jetë nxitje ekonomike, përkatësisht kjo iniciativë krijon 2 500 vende të reja të punës, ndër to një numër i respektuar për komunitetet pakicë; 10. Ndihmon në përfshirjen e mëtejshme të minoriteteve në shoqëri; dhe 11. Siguri për të gjitha komunitetet. Kosova nuk synon ta zëvendësojë praninë e NATO-s dhe KFOR-it. Përkundrazi, ky do të ishte një kontribut shtesë. Kosova nuk synon ta realizojë tranzicionin e FSK-së kundër ndonjë shteti tjetër në Ballkan. Përkundrazi, jetojmë në kohën e koncepteve të ‘smart defence’ (‘mbrojtja e mençur’) dhe bashkëpunimi midis të gjitha shteteve në rajon është avancim i përbashkët. Prania e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë është një vlerë e shtuar për sigurinë rajonale tashmë gati 20 vjet. Për më shumë, as dokumentet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk e parandalojnë ndërtimin e institucioneve shumetnike dhe profesionale. Përkundrazi, FSK-ja si institucion shumetnik e profesional do të jetë në partneritet të plotë me KFOR-in.
“Epoka e re”: Nëse kjo nuk bëhet me ndryshime kushtetuese, a do të munden institucionet e vendit këtë proces ta bëjnë edhe përmes ligjit?
Ramadani: Asgjë nuk është ad hoc në këtë proces. Kosova ka një plan të qartë dhe të koordinuar. Tranzicioni i FSK-së bazohet në: 1) Kornizën gjithëpërfshirëse kushtetuese që nga 2008-ta; 2) Reformën Strategjike të Sektorit të Sigurisë që nga 2014-ta; 3) Planin e aktiviteteve që nga viti 2014 dhe i rivitalizuar në vitin 2017. Të gjitha këto dokumente strategjike dhe veprime institucionale janë bërë dhe vazhdojnë të jenë në transparencë të plotë me shtetet partnere, me NATO-n dhe me BE-në. Ne kemi planin dhjetëvjeçar për t’i zhvilluar kapacitetet e kufizuara për mbrojtje, sikurse do të jetë FSK-ja pas tranzicionit. Janë tri faza të këtij plani 10-vjeçar të cilat do të implementohen në transparencë të plotë. Për më shumë, tranzicioni i FSK-së është krejtësisht i përballueshëm për buxhetin e Kosovës. Kosova nuk heq dorë nga angazhimi i vazhdueshëm për ndryshime kushtetuese. Ky është vazhdimisht qëllimi ynë kryesor, sepse e kemi të qartë që me ndryshimet kushtetuese do të jemi në gjendje ta ndryshojmë emrin dhe të maksimalizojmë mbështetjen politike në Kuvend. Në pjesën substanciale ndryshimi i legjislacionit është i lidhur drejtpërdrejt me avancimin e kornizës ligjore dhe kapaciteteve të FSK-së, si dhe avancimin e mandatit aktual. Ne nuk do të dekurajohemi asnjëherë. Kurdo që të jetë e mundshme, ndryshimet kushtetuese do të realizohen. Në të njëjtën kohë, e kemi mjaftueshëm të qartë se kjo është një sfidë.
“Epoka e re”: Sa mund të ndikojë në transformimin e FSK-së largimi i pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti serb?
Ramadani: FSK-ja është shtëpi e të gjithëve. Ndikimi nga jashtë që disa pjesëtarë të komunitetit serb ta kërkojnë largimin nga FSK-ja është një fatkeqësi. Ne ndihemi keq për këtë influencim. Kosova dhe partnerët e Kosovës kanë bërë jashtëzakonisht shumë përpjekje që secili qytetar i Kosovës të jetojë i lirë, të marrë lirshëm vendime për jetën e vet, karrierën e vet, perspektivën e vet, qëndrueshmërinë e vet, mirëqenien e vet. Po e përsëris, është një fatkeqësi mënyra e tillë e të menduarit dhe të vepruarit që ndikon tek njerëzit e Kosovës të marrin vendime që lirshëm nuk do t’i merrnin. Sigurisht se kjo temë është diskutuar vazhdimisht dhe ne kemi informuar të gjithë partnerët e Kosovës për këto rrethana. Patjetër se kjo nuk është dhe nuk paraqet pengesë për të ardhmen e FSK-së. Është vetëm pengesë për të ardhmen personale të disa qytetarëve të Kosovës që janë detyruar të marrin vendime në kundërshtim me bindjen e vet dhe me karrierën e vet. Për më shumë, FSK-ja është kredibile, përfaqësuese dhe e gatshme. Do të jetë një kontribut i veçantë për sigurinë dhe paqen në rajon, ndërsa do të ndihmojë edhe ekonominë e Kosovës. Asgjë nuk ka mbetur anash në këtë proces sistematik. Jam jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen që marrim vazhdimisht nga partnerët bilateralë. Është e veçantë kur ta shohësh gatishmërinë e partnerëve për ta thelluar bashkëpunimin bilateral. Kjo është periudhë me fat për vendin tonë në këtë aspekt. Kosova dhe FSK-ja ka miq të vërtetë. Ka mbështetës të jashtëzakonshëm. Kjo është rruga e suksesit tonë të përbashkët.
“Epoka e re”: Për këta muaj sa jeni zëvendësministër, çfarë mendimi keni për qeverisjen në vend, partneritetin me partitë e tjera në koalicion?
Ramadani: Një gjë është e qartë: ka ndryshuar qeverisja në Kosovë! Nuk kemi të bëjmë me qeveri që nuk mund t’i zbatojë vendimet e veta, derisa vendimmarrja është shumë më efektive dhe më transparente. Sidoqoftë, besoj se në secilën rrethanë Qeveria dhe opozita duhet të kenë rrugë dykahëshe në komunikimin mes tyre. Qëndrimet opozitare duhen respektuar. Qëndrimet racionale opozitare duhen pranuar. Në anën tjetër, duke qenë se kanë mbetur shumë çështje në proces e sipër, një varg arritjesh janë bërë dhe nuk besoj se kontestohen. Besoj se edhe opozita është e kënaqur për Ligjin për Prishtinën, si shembull. Apo për mundësimin që komunat të kenë në dispozicion pronat që nuk i kishin. Besoj se janë të gëzuar që gjyqtarët e prokurorët kanë paga të dinjitetshme tash. Besoj se edhe opozita është e kënaqur që gjatë muajve të fundit u plotësuan edhe dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave. Apo që Kosova do ta arrijë sigurinë energjetike në investimin tashmë të kontraktuar. Normalisht, ka shumë fusha në të cilat duhet racionalitet dhe përkushtim më i madh i dikastereve qeveritare, sepse problemet mbeten të shumta. Ky është përkushtimi që duhet të ndiqet më tutje.
“Epoka e re”: Opozita po kërkon zgjedhje për faktin se po thotë se këto institucione nuk kanë legjitimitet, sepse nuk e keni shumicën në Kuvend. A mund të mbijetojë ky koalicion qeverisës deri në fund të mandatit?
Ramadani: Aspekti i zgjedhjeve është temë për të cilën subjektet politike pajtohen mes vete si për afatet kushtetuese, po ashtu për rrethanat e tjera. Besoj se është detyrë praktike e opozitës të kërkojë zgjedhje të parakohshme, derisa është detyrë e Qeverisë t’i vazhdojë përpjekjet për ta ndryshuar gjendjen në vend. Një opozitë, si kjo e tashmja, nuk e ka të qartë nëse kërkon zgjedhje apo jo? Kjo është përshtypja ime. Do të doja ta shihja opozitën duke bërë punën e vet në mbikëqyrjen më të rreptë të Qeverisë. Sepse, kjo i ndihmon vendit. I ndihmon edhe Qeverisë. Duke njohur shumicën e zyrtarëve të partive opozitare jam i sigurt se mund të bëjnë opozitë reale ndaj Qeverisë. Pse nuk e bëjnë, realisht nuk e kuptoj!
Shqipe HETEMI