Ramadani: Paqja e përhershme në Ballkan arrihet nëpërmjet integrimeve euroatlantike
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Kosovës, Burim Ramadani, ka pritur në takim në një takim delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë të udhëhequr nga Florian Kali, drejtor i Drejtorisë së përgjithshme për politikat e mbrojtjes në këtë ministri.
Në këtë takim, Ramadani e ka njoftuar delegacionin nga Shqipëria rreth hapave transformues të FSK-së dhe strukturës së re të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për procesin e hartimit dhe të miratimit të Strategjisë së Sigurisë së Kosovës, si dokument thelbësor ku do të mbështeten objektivat e ardhshme reformuese të aparatit shtetëror.
Ramadani e ka njoftuar delegacionin nga Shqipëria edhe me përkushtimin e Kosovës në synimet për anëtarësim në NATO, duke shprehu bindjen se paqja e përhershme në Ballkan arrihet përmes integrimeve euroatlantike.
Delegacioni nga Ministria e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, gjatë ditës së sotme është pritur në takim edhe nga Faruk Geci, drejtor i Drejtorisë për politika dhe plane në Ministrinë e Mbrojtjes dhe koloneli Agron Bajrami, drejtor i Departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrimet euroatlantike në këtë ministri.
Dy delegacionet kanë vazhduar takimet e përbashkëta me qëllim të koordinimit të proceseve të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të mbrojtjes, në harmonizimin e qëndrimeve dhe realizimit të tyre në bazë të Planit të bashkëpunimit për vitin 2020.
/Epoka e re/