Ramadani: Qeveria e ardhshme është më e shëndetshme nëse është qeveri koalicioni i partive aktualisht opozitare
Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe njohësi i çështjeve të sigurisë e politikës, Burim Ramadani, ka thënë se qeveria Kurti, si asnjëherë më parë, ka pasur qetësinë dhe hapësirën e plotë për të vepruar, për të zbatuar politikat dhe për të përmbushur premtimet që u ka dhënë qytetarëve.
Ramadani ka thënë se opozita ka dëshmuar gjatë këtyre viteve se nuk është faktor destabiliteti.
Në këtë kontekst, Ramadani, duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ka thënë se qeveria e ardhshme do të jetë qeveri koalicioni.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Ramadani ka vlerësuar se qeveria e ardhshme është më e shëndetshme nëse është qeveri koalicioni i partive aktualisht opozitare
“Jemi dëshmitar që opozita ka dëshmuar një gjë: nuk ka qenë faktor destabiliteti gjatë këtyre katër vjetësh. Pra, Qeveria në Kosovë, si asnjëherë më parë, ka pasur qetësinë dhe hapësirën e plotë për të vepruar, për të zbatuar politikat, për të përmbushur premtimet që u ka dhënë qytetarëve. Unë besoj se ky është një tregues i mirë për opozitën. Por, mbetet vetëm tregues. Në bindjen time, qeveria e ardhshme do të jetë qeveri koalicioni. Duke qenë kështu, atëherë besoj se qeveria e ardhshme është më e shëndetshme nëse është qeveri koalicioni i partive aktualisht opozitare. Nëse kjo arrihet, besoj se mund të hyjmë në një cikël të zhvillimit normal demokratik, ku pushtetet ndërrohen pa zhurma, protesta e situata ku policët lëndohen. Në këtë kuptim, shpresoj se përvoja dhe vendosmëria do të kombinohet me qasjen teknokratike për të ndërtuar qeverinë e ardhshme. Nëse ndërrohet pushteti përmes bashkimit të ndonjërës nga partitë opozitare me qeverinë e tashme, mendoj se ndryshimi do të jetë i pjesshëm”, ka thënë Ramadani.
Intervistë/ Gjendja politike është më e dëmtuar se ajo e sigurisë