Ramadani: Rusia e Serbia po kërcënojnë Ballkanin
Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë se Rusia dhe Serbia janë duke kërcënuar paqen në Ballkan.
Ai ka thënë se këto dy shtete janë duke e kërcënuar Ballkanin përmes demonstrimit të forcës, duke vendosur sistemet raketore ruse në Serbi.
“Tashmë, edhe njëherë përmes të ashtuquajturës ‘Mburoja Sllave’, boshti i së keqes ndaj Ballkanit po kërcënon përmes demonstrimit të forcës. Madje, duke vendosur në Serbi edhe sistemet raketore ruse. Sigurisht që e drejta sovrane e një shteti nuk përfshin kërcënimin ndaj fqinjëve në bashkëpunim me kundërshtarin kryesor të NATO-s, Rusinë. Orientimi pro-perëndimor dhe pro-NATO i Ballkanit është i vetmi orientim që garanton paqe të përhershme. Lojërat tjera, si edhe kjo e fundit, dëmtojnë raportet në rajon dhe nxisin tensione edhe më tutje.
Serbia duhet të merr përgjegjësinë për krimet që ka kryer në Ballkan. Ushtria e saj duhet të dekriminalizohet përfundimisht dhe të distancohet nga trashëgimia gjenocidiale”, ka shkruar Ramadani në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/