Ramadani: Serbia mbetet e njëjtë, mohuese e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë se Serbia mbetet e njëjtë, mohuese e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.
“I tërë narracioni i saj është kthyer në ankesa manipuluese dhe të paskrupullta, që kanë për qëllim të fshehin të vërtetën se e ka sunduar egërsisht Kosovën dhe që ka tentuar gjenocid ndaj popullit të saj”, ka shkruar Ramadani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se Vuçiqi, ky mohues i gjenocidit në Srebrenicë, mohoi edhe spastrimin etnik që i bënë popullit të Kosovës, duke thënë se gjoja vetëm 150 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
“E vërteta e padiskutueshme është se mbi 1 milion shqiptarë u dëbuan me dhunë, nën organizim shtetëror të Serbisë, me trena sikur në kohën e Holokaustit. Kurrë më! Kurrë Serbia në Kosovë dhe as mbi Kosovë!”, ka thënë Ramadani.