Ramadani: Strategjia e Sigurisë së Republikës së Kosovës, në fazën finale
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka bërë me dije se Strategjia e Sigurisë së Republikës së Kosovës është në fazën finale.
Ai ka theksuar se dokumenti primar për politikat e sigurisë dhe mbrojtjes në Republikën e Kosovës për herë të parë ka pronësi të plotë vendore, duke u bazuar në nevojat dhe kërkesat reale të sigurisë së shtetit.
Ramadani ka thënë se mbështetja në këtë proces ka qenë e paprecedent, veçanërisht nga Qendra Marshall.
“Tashmë kur jemi në fazën finale të procesit, jam më se i bindur se përcaktimi i politikave të sigurisë dhe mbrojtjes, listimi unik i kërcënimeve ndaj sigurisë së Republikës, si dhe qartësimi i qëllimeve shtetërore strategjike janë bërë përmes një procesi shkollor të analizës, skanimit të gjendjes, si dhe vizionit strategjik të lidershipit të Kosovës, Kryeministrit Ramush Haradinaj, Qeverisë, institucioneve të Kosovës, agjencive të involvuara dhe organizatave të shoqërisë civile që kanë kontribuuar në këtë proces. Një punë e angazhim i jashtëzakonshëm për muaj të tërë, që nga fillimi i gushtit 2018, tashmë ka hyrë në pjesën finale. Jam i nderuar të falënderoj përfaqësues nga 21 institucione e agjenci të involvuara, përfshirë edhe organizata të shoqërisë civile”, ka shkruar Ramadani në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/