Ramadani, Sveçlës: Njoftimin shkruaje edhe në serbisht për mallrat serbe, se ata janë përfituesit
Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka reaguar ndaj njoftimit (komunikatës) të ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, të cilin e ka shkruar vetëm në gjuhen shqipe dhe angleze lidhur me vendimin për mallrat serbe.
Ramadani ka kërkuar nga Sveçla që njoftimin ta bëjë edhe në gjuhën serbe, pasi ata janë përfituesit nga ky vendim i qeverisë.
“Ministër Sveçla, bëje njoftimin në serbisht për kufijtë, ata janë përfituesit! Njoftimin për lejimin e mallrave serbe në Kosovë më së paku keni nevojë ta bëni në shqip dhe anglisht. Bëjeni serbisht, sepse ata janë përfituesit kryesorë. Mallrat e Serbisë nga prodhues të shumtë të lidhur me Vuçiqin, Vulinin, Radojçiqin, Gasheviqin, Vuçeviqin e Knezeviqin. Bëjeni serbisht sepse tregu i Kosovës u rihap për Serbinë gjenocidiale, që nuk e ka dorëzuar Radojçiqin dhe terroristët tjerë”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.