Ramadani: Tani të mendojmë për sfidën me Francën
Përfaqësuesja e Kosovës në futsall shënoi fitore në ndeshjen e dytë të kualifikimeve për “Euro 2026” në fazën “Main Round” ndaj Gjeorgjisë (3-1).
Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës, Agon Ramadani, ka thënë se lojtarët treguan angazhim të madh në fushë, por se tani duhet qëndruar më këmbë në tokë.
“Ne jemi përgatitur që ta bëjmë maksimumin në këtë ndeshje sepse nuk donim të lejonim befasi. Jam shumë i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Angazhimi i tillë nuk ka munguar as në Gjeorgji, por atje nuk shkoi gjithçka qysh e kishim parashikuar. Normalisht se gëzimi i fitores para tifozëve tanë është shumë i madh”, ka thënë Ramadani. “Lojtarët patën dëshirë të flaktë për fitore dhe e realizuan atë. Ne treguam se më nuk jemi autsajder. Dihet se në grup e kemi Francën që ishte në vend të tretë dhe Gjeorgjinë që ka qenë në çerekfinale në Evropianin e kaluar, por ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ndjekur objektivin për dy vendet e para në grup. Natyrisht se nuk është e lehtë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të luftojmë deri në fund. Na pret një pushim prej një muaji dhe duhet ta mbajmë formën që të paraqitemi denjësisht kundër Francës”, ka deklaruar Ramadani.