Ramadani: Të mirëseardhura miqësoret me Kuvajtin
Selektori i Kosovës, Taip Ramadani, është i kënaqur me fazën përgatitore para ndeshjeve në Itali. Ai i ka vlerësuar mundësi shumë të mirë miqësoret me Kuvajtin që luhen sot (e diele) dhe nesër (e hënë) në Rahovec.
“Motivi në ekip është i lartë dhe djemtë po punojnë me përkushtim të madh. Kemi punuar në të gjitha aspektet e lojës, me qëllim që të përforcojmë bashkëpunimin mes lojtarëve dhe t’i komponojmë lojtarët e rinj në taktikën tonë”, ka thënë Ramadani. Më pas ka folur për ndeshjet përgatitore me Kuvajtin.
“Është një rast i shkëlqyeshëm për ne që të provojmë disa elemente taktike dhe kombinime të lojtarëve. Qëllimi kryesor është të përgatitemi për garën kualifikuese për Botëror që e kemi në Itali. Presim dy ndeshje cilësore ndaj Kuvajtit që po ashtu përgatitet për një garë me rëndësi. Kuvajti njihet për cilësinë në sulm. Ka dy bekë të shkëlqyeshëm që nuk hezitojnë të godasin nga distanca. Në mbrojtje Kuvajti ndërron sistemet gjatë lojës, por suksesin më të madh e ka në mbrojtjet ofanzive. Presim që kundërshtari të dal larg në sistem 3:3 për të na penguar në qarkullim të topit. Do të kemi mundësi të shohim anëtarët më të rinj të Kombëtares sonë si Liridon Zena, Leonard Gegaj e Albin Xhafolli që i bashkohen grupit tonë për herë të parë”, ka theksuar selektori Ramadani.