Ramadani: Transformimi në Forca të Armatosura, proces i pakthyeshëm
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, është shprehur i bindur se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura është proces i sigurt dhe i pakthyeshëm.
Ai ka bërë me dije se ky proces do t’i bëjë më të sigurt Kosovën dhe rajonin. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ramadani ka thënë se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura është objektiv nacional i Qeverisë së Kosovës ku, sipas tij, ka angazhim të plotë në baza ditore të punës. “Procesi i transformimit nuk është dhe nuk duhet të shihet si një proces në të cilin vetoja mund të përdorët përgjithnjë. Transformimi në FAK është proces i pakthyeshëm. Për më shumë, kjo do ta bëjë më të sigurt Kosovën dhe do të kontribuojë në sigurinë rajonale”, ka thënë Ramadani.
Ai ka treguar se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës janë të angazhuara që ky proces të ndodhë sa më shpejt, duke shtuar se askush nuk mund ta përdorë veton ndaj transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura. “Kryeministri Haradinaj, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës, janë të angazhuara në baza ditore për punën e përbashkët me të gjithë përfaqësuesit politikë të qytetarëve të Kosovës, përfshirë këtu komunitetet j-shumicë, në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ofrimin e mundësive për integrim të plotë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, perspektivë, siguri dhe mirëqenie. Për Qeverinë e Kosovës puna në këtë drejtim është e përditshme, jo e izoluar”, ka thënë Ramadani.
Ai ka mohuar çdo mundësi që çështja e formimit të ushtrisë të bëhet pjesë e procesit të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel. “Kosova dhe Serbia kanë shumëçka për të biseduar. Unë u takoj atyre që mendojnë se dialogu nuk ka alternativë më humane. Një varg temash që lidhen me procesin e njohjes reciproke mund të jenë në tavolinë. Porse, transformimi i FSK-së në FAK, sikurse edhe kompletimi i arkitekturës së sigurisë kombëtare të Kosovës, është krejtësisht proces i brendshëm i Kosovës. Si i tillë, ky proces është në rrugën e mirë, të sigurt, të garantuar dhe nuk ndërlidhet me asnjë proces tjetër. Ato janë tema të ndara dhe procese të ndara”, është shprehur Burim Ramadani, zëvendësministër i FSK-së.
“Epoka e re”: Z. Ramadani, sipas barometrit të sigurisë së realizuar nga QKSS-ja, FSK-ja vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm tek qytetarët. Çfarë do të thotë kjo për këtë institucion dhe për institucionet e tjera që besimi është më i ulët?
Ramadani: Është e qartë, në bindjen time, se FSK-ja është institucioni që ruan primatin e besueshmërisë së qytetarëve. Kjo vërehet për çdo ditë si në nivelin e komunikimeve politike në menaxhmentin e lartë, po ashtu edhe në marrëdhëniet e drejtpërdrejta të institucionit me komunitetet dhe qytetarët. Profesionaliteti, multietniciteti, angazhimi i pakursyer për qytetarët, aktivitetet e shumta humanitare, mbështetja për autoritetet civile në nivel qendror e lokal, si dhe shumë faktorë të tjerë kanë bërë që FSK-ja ta ruajë primatin dhe ta rrisë besueshmërinë e qytetarëve ndaj saj. Kjo është krenari për institucionin, pjesëtarët e saj, partnerët mbështetës ndërkombëtarë dhe Kosovën në tërësi. Në të njëjtën kohë, është për t’u vlerësuar lart fakti se skena politike në përgjithësi ka pasur vazhdimisht konsensus mbi trajtimin e FSK-së, duke e larguar atë nga debati i politikës ditore.
“Epoka e re”: Jemi në prag të 10-vjetorit të pavarësisë. Cilat do të jenë aktivitetet në të cilat do të marrë pjesë kjo forcë për këtë përvjetor?
Ramadani: Shënimi i 10-vjetorit të pavarësisë do të jetë një festë 10-ditore në promovim të këtij viti që shënon një dekadë shtet. FSK-ja edhe këtë herë, në kuadër të mandatit që ka, do të na bëjë krenarë të gjithëve. Ndërsa një ditë e veçantë do të jetë për FSK-në, për aktivitete të ndryshme, në të cilën qytetarët dhe të gjithë në Kosovë do të ndihen mirë që kanë një institucion të këtillë dhe profesional.
“Epoka e re”: Ka disa vjet që FSK-ja pret vendimin politik për t’u transformuar në Forca të Armatosura. Sipas jush, a është e gatshme FSK-ja për t’u transformuar?
Ramadani: Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është objektiv i Qeverisë së Kosovës dhe objektiv nacional për të cilin ka angazhim të plotë në baza ditore të punës. Kryeministri Haradinaj, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e FSK-së janë të përkushtuar për përmbylljen me sukses të plotë të këtij procesi, si një prej hapave më të rëndësishëm në sigurinë e Kosovës dhe kontributin për sigurinë rajonale e më gjerë. Vazhdimi i avancimit të qeverisjes së mirë, multietnicitetit dhe profesionalizmit, mbikëqyrjes civile demokratike mbi sektorin e sigurisë, avancimi i rregulloreve dhe normave të tjera juridike relevante, avancimi i procesit të planifikimit, buxhetimit dhe operacionalizimit në institucionet e sigurisë, rritja e shërbimit për qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, sikurse edhe rritja e nivelit të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me shtete dhe organizata të rëndësishme, janë pjesë e angazhimeve të kryeministrit, Qeverisë, MFSK-së dhe institucioneve të tjera të Kosovës. Në aspektin operacional, FSK-ja ka marrë vlerësimet më të larta edhe nga NATO për përmbushjen e kapaciteteve operacionale. Procesi i transformimit është vendimmarrje politike, derisa për të gjithë ne është shumë më e lehtë bazuar në faktin se kemi të bëjmë me një institucion që tashmë ka arritur suksese të mëdha. FSK-ja është e përgatitur në aspektin profesional, operacional dhe në shërbim të qytetarëve. Sot FSK-ja është profesionale, multietnike, si dhe e trajnuar mbi standardet dhe parimet demokratike të forcave të sigurisë. Transformimi i FSK-së në FAK është proces që garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve, si dhe kontribuon në sigurinë rajonale. Procesi do të jetë një sukses i garantuar dhe i sigurt, me përfshirje maksimale të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Epoka e re”: Dihet se në këtë çështje është pengesë Lista Serbe. Si ministri dhe Qeveri, keni arritur t’ua ndryshoni qëndrimin deputetëve serbë?
Ramadani: Kryeministri Haradinaj, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës janë të angazhuar në baza ditore për punën e përbashkët me të gjithë përfaqësuesit politikë të qytetarëve të Kosovës, përfshirë këtu komunitetet joshumicë, në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ofrimin e mundësive për integrim të plotë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, perspektivë, siguri dhe mirëqenie. Për Qeverinë e Kosovës, puna në këtë drejtim është e përditshme, jo e izoluar.
“Epoka e re”: Deri kur do të pritet të binden deputetët serbë, apo do të shkohet me planin “B”, duke e transformuar FSK-në me ligj?
Ramadani: Angazhimi ynë institucional është i koordinuar mirë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim që procesi të përmbyllet në rrugë kushtetuese e ligjore dhe ta ketë mbështetjen e plotë të partnerëve mbështetës. Nuk mund të flas për kushtëzime as përmbajtjesore dhe as kohore. Procesi i transformimit nuk është dhe nuk duhet të shihet si një proces në të cilin vetoja mund të përdoret përgjithnjë. Transformimi në FAK është proces i pakthyeshëm. Për më shumë, kjo do ta bëjë më të sigurt Kosovën dhe do të kontribuojë në sigurinë rajonale.
“Epoka e re”: Është thënë se kjo çështje mund të bëhet edhe pjesë në bisedimet në Bruksel. A ka nevojë për një gjë të tillë të shtohet si temë e re në procesin e dialogut?
Ramadani: Kosova dhe Serbia kanë shumëçka për të biseduar. Unë u takoj atyre që mendojnë se dialogu nuk ka alternativë më humane. Një varg temash që lidhen me procesin e njohjes reciproke mund të jenë në tavolinë. Porse, transformimi i FSK-së në FAK, sikurse edhe kompletimi i arkitekturës së sigurisë kombëtare të Kosovës, është krejtësisht proces i brendshëm i Kosovës. Si i tillë, ky proces është në rrugën e mirë, të sigurt, të garantuar dhe nuk ndërlidhet me asnjë proces tjetër. Ato janë tema të ndara dhe procese të ndara.
“Epoka e re”: Ju jeni emëruar zëvendësministër nga AAK-ja. A besoni se me gjithë këto tema të mëdha që ka Kosova para vetes, kjo Qeveri nën drejtimin e Haradinajt do të mund t’i kalojë demarkacionin, asociacionin dhe Gjykatën Speciale. Apo mund të shihet si zgjidhje shkuarja në zgjedhje të reja, kështu së paku po ka deklarime nga opozita.
Ramadani: Qeveria Haradinaj është qeveria më dinamike që ka pasur Kosova. Me vendimmarrje dhe me përmirësim të aspekteve edhe strategjike edhe praktike. Periudha nëpër të cilën po kalojmë patjetër se kërkon racionalitet politik e qytetar nga të gjithë, në veçanti nga opozita. Asnjëra prej temave të tilla nuk është në të vërtetë temë zgjedhore. Nuk është se dikush do të duhej që në mënyrë joracionale të presë që Gjykata Speciale apo ndonjë temë tjetër t’i sjellë fitore në zgjedhje, duke synuar ta ngarkojë Kosovën me tensione të panevojshme. Kryeministri Haradinaj i ka dhënë shpirt qeverisjes dhe jo vetëm formalitet institucional. Një dinamizim i tillë sigurisht se është parë me shqetësim nga grupe politike, që deri në një farë mase është edhe shqetësim legjitim politik. Por, nuk është i vërtetë si përmbajtje. Kemi parë, për shembull, gjatë këtyre javëve të fundit, një kauzë politike të brendshme, kinse Kosova po izolohet, sikurse thuhej “më së keqi që nga çlirimi” dhe që ishte kauzë false dhe e padrejtë. Ishte, sikurse zakonisht ndodh, për poenë politike të brendshëm, kryesisht nga ata që mbetën një kohë tashmë pa kauzë politike. Pasi zbrazën “arsenalin” e narracionit politik me qëllime krejtësisht të konsumit të brendshëm, sërish të gjithë e shohim se asgjë nuk pati të bëjë me të vërtetën. As nuk izolohemi dhe as nuk funksionojnë kauzat false.
Muhamet KOCI