Ramadani: Ura ka rrezik të rikthehet në dialogun e Brukselit
Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka vlerësuar se ura e Ibrit ka rrezik të rikthehet në dialogun në Bruksel.
Ramadani ka theksuar se iniciativa për hapjen e urës duhet të rifillojë, por me komunikim me NATO-n.
“Ura ka rrezik të rikthehet në dialog në Bruksel! Të rifillojë iniciativa! Tash, pas komprometimit (për shkak të konfrontimit deklarativ me NATO-n) të iniciativës për hapje të plotë të Urës, insistoj në këto tri pika: 1. Iniciativa për hapjen e plotë të Urës duhet të ri-nis! Me koncept tjetër, me komunikim strategjik Kosovë-NATO. 2. Krejt këta pushtetarë që s’lanë gjë pa fyer NATO-n duhet të kërkojnë falje për popullin e Kosovës, për NATO-n dhe të pranojnë publikisht se e kanë mësuar gabimin. 3. Dialogu dhe bashkë-planifikimi për hapjen e Urës dhe veprimet tjera që kanë dimension të sigurisë të bëhen me NATO-n, jo me Serbinë!”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.