Ramaj: Duam suksese edhe në Evropë
Triumfi në kampionat dhe kualifikimi në finale të Kupës e kanë “trimëruar” shumë kryetarin e KF Feronikeli, Naser Ramajn, i cili tash po kërkon suksese edhe në garat ndërkombëtare.
Kryetari i KF Feronikeli, Naser Ramaj, ka thënë se skuadra nga Drenasi me meritë është shpallur kampione e IPKO Superligës në futboll. Ai ka uruar futbollistë, trajnerë, qytetarë të Drenasit dhe Drenicës, në veçanti tifozët “Tigrat e Zi”. “U rikonfirmua edhe një herë pse jemi kampionë. Fitorja ballë për ballë, me pretendentin për titullin kampion, e vulosi punën tonë njëvjeçare. Sporti me shpirt garues, fitoi. Fitoi besimi i futbollistëve tanë, prej xhiros së parë, se do të rikthehemi kampionë në krye të tabelës. Shumë punuam që ta arrijmë këtë. Faleminderit nga zemra të gjithë kontribuuesve për këtë titull. Qytetarët e Drenasit e kanë merituar këtë titull të kampionit sepse vërtet jemi më të mirët”, ka thënë Ramaj, i cili më pas ka treguar edhe se si erdhi që ai ta marrë drejtimin e skuadrës së Feronikelit.
Ramaj tregoi se si sporti ishte një fushë e panjohur për të, por nga dëshira për ta ndihmuar komunën e tij, Drenasi vendosi të kontribuojë në sport. “Kjo ditë nuk ishte aq e shpejtë për të qenë kampionë. Megjithatë, ishte ditë që u nis, nga vullneti i mirë, gjithsesi nga dashuria ime për komunën time, për të rinjtë tanë dhe për sfidën: Çfarë po bëj për vendin tim. Sporti nuk ishte hapësirë e njohur për mua, por për mua ishte e njohur komuna ime dhe qytetarët e saj që dy herë kishin qenë kampionë nacionalë dhe disi lëkundej besimi në Klubin e Feronikelit. Sfida tashmë kishte marrë udhë pas takimit me kryetarin e komunës së Drenasit, z. Lladrovci, edhe pse sporti nuk ishte lëmë imi profesional apo synim apo shqetësim ditor. Megjithatë, unë besoj, prandaj erdha në krye të klubit, me përkushtimin dhe qëndrueshmërinë e një fushe krejt tjetër, në fushë të futbollit”, ka shtuar ai.
Numri një i skuadrës nga Drenasi dëshiron që skuadra e Feronikelit të lërë gjurmë edhe në arenën ndërkombëtare. “Nuk do të ndalem që Feronikeli ta tejkalojë famën kombëtare, po të njihet edhe në skenën ndërkombëtare. Për këtë jemi gati të gjithë, sepse ne mundemi dhe duam, për Feronikelin tonë, sportin e sportdashësit tanë, Drenasin dhe Kosovën tonë”, ka deklaruar Ramaj.
Titulli pasuron Feronikelin
Feronikeli është kampioni i ri në futboll dhe skuadra që do ta përfaqësojë Kosovën në Ligën e Kampionëve. “Nikli” do të pasurohet shumë financiarisht. Si kampion i Kosovës, Feronikeli do të marrë nga UEFA 260 mijë euro. Vetëm pjesëmarrja në rrethin paraeliminator të Ligës së Kampionëve, Feronikelin do ta pasurojë me 230 mijë euro të tjera. Në rast se Feronikeli do ta kalojë rrethin para kualifikues dhe luan në rrethin e parë në Ligën e Kampionëve, atëherë do të përfitojë edhe 280 mijë euro të tjera. Por nëse Feronikeli nuk e fiton rrethin para kualifikues do të luajë në raundin e dytë në Ligën e Evropës dhe këtu do të fitonte 260 mijë euro. Pra, në total, Feronikeli do të fitojë minimum 770 mijë euro nëse e kalon turin para kualifikues, por në rast se nuk e kalon, do të fitojë 750 mijë euro. Këto shifra mund të rritën edhe më shumë, varësisht nga sukseset e “Niklit” në garat evropiane.
‘Nikli’ mëson kundërshtarët në Ligën e Kampionëve
Skuadra e Feronikelit, pasi fitoi titullin e kampionit në Kosovë, do të marrë pjesë në parakualifikueset e Ligës së Kampionëve. Kjo fazë do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri’’ në Prishtinë, që do të jetë një ndihmesë e madhe për ekipin e Zekirija Ramadanit. Momentalisht, kampioni i ri i Kosovës është njoftuar me dy kundërshtarët e mundshëm dhe është në pritje të kundërshtarit të tretë, pasi në këtë fazë marrin pjesë katër ekipe nga kampionatet që kanë koeficientet më të ulët. Santa Colomna si kampion i Andorrës dhe Lincoln Red si kampion i Gjibraltarit, bashkë me Feronikelin, do të jenë pjesë e kësaj faze. Ekipi i katërt do të jetë nga San Marino, La Fiorita ose Tre Penne. Ndeshjet do të zhvillohen në Prishtinë nga 20 deri më 27 qershor.
/Epoka e re/