Ramë Vataj: PDK-ja është e gatshme për zgjedhje, me Veselin kryeministër
Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Suharekë, Ramë Vataj, pas dorëheqjes se Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit dhe kërkesës se kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli për formimin e shtabeve zgjedhore, ka thënë se PDK-ja është gati për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Pas rikthimit si kryetar i Degës së PDK-së në Suharekë, jam orientuar në rikthimin e shumë ish-anëtarëve që kanë aderuar në partitë të tjera. Kemi aderuar në partinë tonë edhe anëtarë që kurrë më parë nuk kanë qenë pjesë e PDK-së. PDK-ja, Dega në Suharekë është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, dhe për fitoren e madhe të PDK-së, që përmes saj, Kosovës t’ia japim Kadri Veselin për kryeministër”, ka thënë Vataj për gazetën “Projekti”.
Vataj ka theksuar se PDK-ja, është alternativa e vetme për shtetndërtim dhe integrim, pasi sipas tij kjo është dëshmuar deri më tani dhe se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për këtë parti dhe jetësimin e platformës “Dekada e re”.