Ramiz Kelmendi flet për padrejtësitë ndaj liderëve të UÇK-së, ka disa fjalë për Kurtin e Osmanin
Ish-deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe afaristi i njohur, Ramiz Kelmendi në një intervistë për Paparaci.com ka komentuar figurat më me ndikim të vendit.
Ai në veçanti ka folur për padrejtësitë ndaj liderëve të UÇK-së, por që shkurtimisht përmend kryeministrin e presidenten e vendit.
“Fadil Hoxha ishte komunist shqiptar i cili mbronte të drejtat e shqiptarëve dhe afirmimin e shqiptarëve të cilët ishin të persekutuar nga Rankoviqi. Ky arriti me bë Kushtetutën e vitit 1974. Ishte shtetësia jonë e parë. Ibrahim Rugova, i pazëvendësueshëm, i cili krijoi miqësi të pakufishme me të gjithë miqtë dhe shtetet që ne i kemi pas në ëndërr.
Pas këtyre vjen Hashim Thaçi, i cili pastaj diti të qeverisë dhe ta vazhdoj miqësinë dhe e pagoi një çmim të patriotizmit të vet. Ndoshta do ndonjë lëshimi të panevojshëm dhe sot është atje padrejtësisht duke u mbajtur. Pra lideri UÇK-së rrin padrejtësisht i mbajtur, ndërsa gjenocistat serb rrin drejtësisht apo padrejtësisht në shtetet e tyre siç është Shesheli. Ai është krimineli më i madh i luftës që ekziston…Ndërsa Hashim Thaçi Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe shumë të tjerë dhe Ramush Haradinaj mëherët, e po e vuajnë njëfarë dënimi nuk e di arsyen por që është jashtëzakonisht i dëmshëm për dikë që krejt jetën e ka bë për liri”, u shpreh Kelmendi.
I pyetur për Kurtin dhe Osmanin, Kelmendi theksoi se nuk mund të flasë tash për Kurtin pasi sipas tij fillimisht duhet parë rezultatet.
Ndërsa për presidenten Osmani, tha se ajo nuk ka ndonjë ndikim ekonomik.
“Albini tash është aktiv, nuk mund të flasim tash, të shohim rezultatet. Presidenten e njoh, pozita e presidentes është gjithmonë ceremonial, nuk ka diçka ndikim ekonomik”, pohoi afaristi Kelmendi.