Ramiz Kelmendi: Kalimi im në PDK ia humbi LDK-së 10 mijë vota
Ish-deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe afaristi i njohur, Ramiz Kelmendi, ka treguar arsyet pse është larguar nga LDK-ja dhe pse ka përkrahur PDK-në në gjedhjet e 6 tetorit.
Kelmendi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se lufta kundër sektorit privat është luftë kundër Kosovës.
Ai ka thënë se çështja e një punëtori të kompanisë së tij mund të jetë politizuar qëllimisht për të ulur reputacionin e biznesit të tij, përcjell Telegrafi.
“Punëtori që është takuar me Albin Kurtin në bazë të dhënave që e pashë ka qenë i punësuar “part time” dhe ai mund të jetë larguar për një punë të përhershme nga Elkos”.
Ai ka thënë se Fisnik Dema është menaxher i lartë në ETC, por i njëjti ka qenë edhe kandidat për deputet në AAK në zgjedhjet e fundit.
Kelmendi thotë se liderët politikë i janë frikësuar kandidimit të tij në zgjedhje.
“Po të kisha qenë kandidatë për deputet, ndoshta numrat kishin ndryshuar. Nuk është e njëjtë si t’i kërkosh dikujt vota si të jesh vetë kandidat për deputet. Nuk kam mundur që votat që kam pasur gjithmonë pas vetes t’ia çoj PDK-së”.
Kelmendi thotë se LDK-ja ka humbur 10 mijë vota nga largimi i tij prej kësaj partie.
“Mbështetja ime për PDK-në ka qenë ekskluzivisht për t’i treguar LDK-së së lëvizja ime nuk është thjesht lëvizje e një personi, por lëvizje e 3-4% të votave të përgjithshme”, tha Kelmendi.