Ramiz Kelmendi largohet nga politika
Biznesmeni dhe ish-deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka deklaruar se më nuk do të jetë pjesë e asnjë subjekti politik, përkundër siç ka thënë ofertave serioze që kishte marrë.
Kelmendi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se mjekët e kanë këshilluar që për shkak të gjendjes shendetësore të largohet nga politika.
Ai ka theksuar se do të japë kontributin e tij për zhvillim ekonomik të Kosovës.
Shkrimi i plotë i tij:
Të dashur miq, po ju shkruaj nga Gjermania!
Pas realitetit të ri për të cilin ju kam informuar sot, kam pranuar oferta mëse serioze për rrugëtim të mëtejmë politik dhe i kam konsideruar lartë.
Në këtë mes dua që sinqerisht dhe përzemërsisht të falënderojë jo veç për ofertat, por edhe për vlerësimin, garancat dhe gatishmërinë për të më dhënë besimin e projektit ekonomik për Kosovën, z. Kadri Veseli – Kryetar i PDK-së dhe i Kuvendit dhe z. Ramush Haradinaj – Kryetar i AAK-së dhe kryeministër në detyrë.
Në mbrëmje kam pranuar këtu raportin personal shëndetësorë nga Turqia, ku mjekët specialist më referojnë që shëndeti im kërkon të mbahet stabil dhe nën kontroll në kontinuitet. Pozita ime shëndetësore, referuar mjekëve turq, kërkon regjim të qetë, larg aktiviteteve që nxisin stres dhe kërkojnë energji të dyfishuar, ndaj dhe me këtë më pamundësohet pjesëmarrja aktive në jetën politike.
Unë mbetem pranë kontributit për zhvillim ekonomik të Kosovës.
Me konsideratë;
I juaji, Ramiz Kelmendi