Ramiz Kelmendi lirohet nga akuza për vjedhje rryme
Ndryshimi i veprës penale të Ramiz Kelmendit ka bërë që ai të ‘shpëtojë’ nga gjykimi në Gjykatën Themelore të Prishtinës në akuzën për vjedhje rryme, raporton “Kallxo.com”.
Në gjykimin ndaj Deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendit, prokurori i çështjes Blerim Igrishta e ka rikualifikuar veprën penale.
Prokurori Igrishta e rikualifikoi veprën nga vjedhje e rëndë në vjedhje të shërbimeve komunale.
Ky veprim i prokurorit ka bërë që lënda ndaj deputetit të arrijë parashkrimit absolut pasiqë vjedhja e shërbimeve komunale është vepër që mund të dënohet deri në tre vjet burg ndërsa prokuroria pretendon që vepra është kryer në vitin 2011.
Në këtë situatë, deputeti nuk mund të gjykohet më për të njëjtën vepër.
Deputeti Kelmendi akuzohet se më qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme nga data e pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë-Kosovë, e cila është pronë e tij, i kanë shkaktuar dëm KEK- ut në vlerë prej 22.801.19 euro.
Kjo pasi që, sipas prokurorisë, gjatë një kontrolle të bërë në kompaninë “Elkos” nga punëtorët e KEK-ut, kanë vërejtur se Kelmendi me qëllim të vjedhjes e ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike.
Në aktakuzë më tej sqarohet se deri tek ky konkludim nga punëtorët e KEK-ut ka ardhur pasi që janë gjetur dy transformatorë të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, derisa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.
Në janar të këtij viti, Ramiz Kelmendi për “Kallxo.com” kishte kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria me pretendimin se në kohën për të cilën flitet në aktakuzë ai nuk ka pasur përgjegjësi ndaj kompanisë.