Ramiz Lladrovci kërkon mbështetjen e Sami Lushtakut për zgjedhjet e 14 nëntorit
Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci, ka thënë se nuk po e ndjen aspak frikën e humbjes nga kundërkandidati i tij, Driton Ajazi, me të cilin është në garë të balotazhit në zgjedhjet e 14 nëntorit.
Ai ka thënë se qytetarët e dinë për punën e tij, dhe se Ajazi është duke përdorur metoda të ulëta për të fituar një grusht vota.
“Gara nuk është e ashpër në Drenas, gara është e flliqtë. Pra, kanë përdorur metodat më të ulëta për të marrë një grusht vota dhe nuk kanë për t’i marrë”, ka thënë Lladrovci.
Më tutje, ai ka folur edhe për raportet që ka me kryetarin e Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, nga i cili ka kërkuar publikisht që ta mbështes në zgjedhjet e 14 nëntorit.
“Me Sami Lushtakun jam rritur. Me Sami Lushtakun i kam rreth 40 vjet aktivitet. Kemi pasur ngatërresat tona, dhe të mirat tona. Publikisht e thërras me më mbështet Sami Lushtaku, se s’është marre me mbështet një kandidat të PDK-së për kryetar, apo një ish-mik të vetin. Tash ai e di me kë duhet të bëhet, a me dikë të PDK-së a me keqbërësit”.
“Nuk e kam kërkuar ndihmën në raundin e parë. Unë besoj që nëse është dikush që është normal anëtar i PDK-së, sigurisht që nëse është anëtar i PDK-së do të ma japë mbështetjen. Unë nuk e besoj që Sami Lushtaku bie në atë nivel sa me e përkrah një Driton Ajaz. Unë nuk e besoj që Sami Lushtaku bie në atë nivel, sa të bëhet pjesë e Driton Ajazit”, ka thënë Lladrovci. /Klan Kosova/