Reagon Ramiz Lladrovci pasi Specialja refuzoi lirimin e parakoshëm të Kadri Veselit
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pasi Gjykata Speciale refuzoi lirimin me kusht për ish-pjesëtarin e UÇK’së, Kadri Veselin, si dhe ish-pjesëtarëve të tjerë, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Lladrovci thotë se ky vendim e ka prekur emocionalisht, por se u shpreh akuzat për të cilat po gjykohen do të hidhen poshtë nga Specialja.
“Si shok e mik i Kadriut, kurrë nuk e kam besuar që ai do të jetë i shkëputur qoftë një minutë nga familja, prindërit dhe liria e Kosovës për të cilën punoi e dha aq shumë”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.
Paneli i Gjykatës së Apelit ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për lirim të përkohshëm.
“Të premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori katër vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Dhomat e Specializuara.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Refuzimi i lirimit me kusht të Kadri Veselit nga Gjykata e Hagës, më preku pa masë.
Kam besuar dhe besoj në vendimet objektive të Dhomave të Specializuara dhe akuzat e shtetit që kreu gjenocid në Kosovë, do të hidhen poshtë.
Si shok e mik i Kadriut, kurrë nuk e kam besuar që ai do të jetë i shkëputur qoftë një minutë nga familja, prindërit dhe liria e Kosovës për të cilën punoi e dha aq shumë.
Kosova është heroike për bijtë e bijat e saj!