Ramiz Lladrovci tregon se a do t’i bashkohet partisë së Bekim Jasharit

03 nëntor 2018 | 21:49

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci u është përgjigjur interesimeve të shumta nëse ai do të jetë edhe më tej pjesë e PDK-së, apo do të rreshtohet në anën e Bekim Jasharit, kryetarit të Skenderajt i cili ka paralajmëruar formimin e partisë së tij.

Për të sqaruar edhe më shumë, Lladrovci i ka publikuar në llogarinë e vet në “Facebook” përgjigjet e dhëna për dy media lidhur më këtë temë dhe për të cilat thotë se nuk janë botuar.

“Nuk mund të komentoj çdo ide që mund të publikohet në media, por konsideroj se është herët të jap komente për këtë ide. Besoj fuqishëm që Drenica do të jetë unike si çdo herë, ashtu siç ishte në çastet kur krijohej historia e re e shtetit tonë, kontributit të madh të Drenicës për lirinë tonë edhe në aspektin e fuqizimit të demokracisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit”, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë i tij:

Përgjigje për tre provokatorët që kohët e fundit spekulojnë në medie rreth emrit tim

Më poshtë, janë dy intervista të papublikuara në dy medie të çmueshme, të cilat edhe pse premtuan se do t’i botojnë, nuk i botuan.

Pra, intervistat vlejnë si përgjigje edhe për tre provokatorët e Drenicës të cilët tri herë, unë së bashku me qytetarët e Drenasit ua shkaktuam humbjen e thellë, i bëmë qyqe, prapë nuk po mbushen mend!

Pas dy intervistave të papublikuara, i gjeni këtu, dhe për këdo që nuk e ka të qartë aktualitetin dhe të ardhmen time politike, po e ripublikoj fjalën time në Konventën hapëse të Degës së Partisë Demokratike në Drenas, të mbajtur më 30.10.2018.

Intervista 1:

Pershendetje i nderuar. Po ju shkruaj nga Xxxx, urojme te marrim pergjigje.

Si e komentoni idenë që Bekim Jashari të formojë iniciativë politike në Skenderaj?

Nuk mund të komentoj çdo ide që mund të publikohet në media, por konsideroj se është herët të jap komente për këtë ide. Besoj fuqishëm që Drenica do të jetë unike si çdo herë, ashtu siç ishte në çastet kur krijohej historia e re e shtetit tonë, kontributit të madh të Drenicës për lirinë tonë edhe në aspektin e fuqizimit të demokracisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit.

A do të vazhdoni të keni raporte të mira me Jasharin edhe pas formimit të partisë së re?

Me Familjen Jashari, për fatin që kam pasur ta njoh dhe kam raporte të mira, jam përjetësisht i nderuar dhe krenar. Familja emblematike Jashari, është përgjithmonë e nderuar, pavarësisht politikës apo ideve me ndikim lokal apo ndikimit nacional.

Nëse iu ofron bashkëpunim që një iniciative e tillë të shtrihet edhe në Drenas, a do ta mbështetni?

Ju jeni në dijeni, edhe mund ta gjeni fjalën time dje, në Konventën hapëse të zgjedhjeve të brendshme në Degën e PDK-së në Drenas, se çka mendoj lidhur me punën që po bëjmë dhe çka duam të bëjmë në Dekadën e Re. Nuk do të jap vlerësime për raportet e mia me subjektet tjera politike, puna flet vet. Unë i çmoj të gjitha partitë opozitare në Drenas, kam respekt për to dhe i vlerësoj si raporte të mira. Nuk duhet anashkaluar edhe raportet e mira që i kam me kryetarët e komunave, homologët e mi, pa dallim partie. Pra, nuk dua të veçoj preferenca të raporteve të mia jashtë PDK-së nga ato që i bëj publikisht në dobi të qytetarëve të Drenasit.

Në Drenas janë shpallur zgjedhjet e brendshme në PDK. Por ju nuk jeni kandidat, a do të thotë kjo se nuk jeni i interesuar aq shumë që të punoni më për PDK-në?

Kam deklaruar se nuk kam asnjë ambicie që të udhëheq me degën e PDK-së, dhe kam shtuar se kam shumë punë për të bërë në krye të komunës. Po ashtu, kam ritheksuar se kam ambicie të mëdha për ta mbështetur procesin e brendshëm zgjedhor edhe fuqizimin e PDK-së në Drenas. Konsideroj se jo domosdoshmerisht kryetari i komunës duhet të jetë edhe kryetar i degës së partisë në Drenas. Kam raporte të shkëlqyeshme edhe në nivel lokal, edhe me atë qendror të partisë si dhe përkrahjen e kryetarit Veseli, andaj e ritheksoj, nuk do të kandidoj për kryetar të degës por ofroj mbështetje të plotë për procesin zgjedhor dhe fuqizimin e PDK-së.

Gjithe te mirat!

Intervista 2:

Po ju shkruaj lidhur me krijimin e partise se re nga z. Bekim Jashari. Z. Lladrovci, duke qene se kemi pare qe jeni te afert me z. Jashari, a do t’i bashkoheni iniciatives politike te z. Jashari?
Faleminderit paraprakisht,
Xxxx nga Xxxx

Shumë i nderuari Xxxx,

Bindjet e mia politike, veprimin dhe angazhimin tim, e kam deklaruar edhe dje, në hapjen e Konventës së brendshme zgjedhore të degës së PDK-së në Drenas dhe mund ta gjeni të publikuar, në rrjetin social. Konsideroj se asaj çka kam deklaruar aty, nuk mund t’i shtoj as heq.

Kam lexuar në medie sa ka ide, sipas medieve, por nuk di se a ka diçka më shumë se ide rreth veprimeve politike të Kryetarit të Skënderajt, z. Bekim Jasharit.
Jam përjetësisht i nderuar me njohjen, bashkëveprimin dhe miqësinë që kam me familjen heroike Jashari. Jam i nderuar po ashtu, që gëzoj miqësinë dhe jam i afërt me Bekimin, të birin e heroit të kombit, Hamëz Jashari.
Kjo afërsi me Bekimin, është e lidhur me të shkuarën, me historinë tonë krenare dhe sakrificës të cilën e çmoj dhe e ruaj si gjënë më të shenjtë. Po ashtu, edhe si homolog të Drenicës, kam afërsi dhe respekt të madh e të ndërsjellë. Por, nuk do harruar se kam raporte të mira edhe me homologët e mi, pa dallim partie, në tërë Kosovën.

Faleminderit!

3. Fjalim me rastin e hapjes së Konventës zgjedhore të Degës së PDK-së në Drenas:

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së,
I nderuari kryetar Kadri Veseli,
Të nderuar deputetë, ish ministra,
Ish rektor, profesorë, intelektualë,
Zonja e zotërinj,

Aktivistë e veprimtarë të Partisë Demokratike, anëtar të kryesisë, simpatizantë të devotshëm, garues të zgjedhjeve të brendshme,

Kjo hapje e zgjedhjeve në degën tonë, sot, është fillim i fitores së re, duke shprehur unitetin tonë dhe me qytetarin. Kjo ditë shënon fuqizimin e PDK-së.

Ne mund të jemi edhe më të fortë, edhe më të mirë. Dyer e dritare i kemi hapë.

Këtë do ta rikonfirmojmë me zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, qytetarëve më të përkushtuar, më të aftë e më atdhetar, në radhët tona, me proces të rregullt, demokratik dhe transparent.
Këto zgjedhje janë për Dekadën e Re, dekadën e zhvillimit dhe përparimit të vendit tonë.

Faleminderit Kryetar për përkrahjen.
Vëllezër e motra,

Përçarja në Drenicë nuk kalon. Sepse, fryma e themeluesve të UÇK-së, ishte e lidhur me frymën liridashëse të unitetit të Drenicës, prandaj u bëmë dje bastion lirie, sot bastion i PDK-së.

Para pak ditësh, njërit opozitar, ia thash në fytyrë:
“Në Drenas sundon ligji”.
Nuk pres asnjë shenjë dashnie nga shkelësit e ligjit.

Jam i lumtur se çdo ditë takoj e diskutoj me qytetarët e bekuar të Drenasit. Jam i lumtur se besojnë në neve.

Kryetar Veseli,

Asnjë punë në komunë nuk do të bëhej pa unitetin e pathyeshëm të asamblistëve të Partisë Demokratike.
Ky unitet, ka prodhuar efekte të mëdha për qytetarët. Secilin asamblist e falënderoj, një për një për vendosmërinë e zbatimit të projekteve dhe reflektimin e unitetit tonë për çdo pjesë të komunës, gjithë përfshirjen dhe transparencën.
Falënderoj për përkrahjen e çdo lagje e fshati të Drenasit si dhe përkrahjen e zyrtarëve të cilët zbatojnë ligjin me përkushtim.

Kryetar, ne kemi nevojë edhe për më shumë investime. E di, ti po e bën të pamundshmen që Drenica të jetë me krejt kushtet që meriton në shekullin 21. Ne na keni përkrahë më shumë se kurrë, edhe ne po punojmë më shumë se kurrë. Këtë po e shohin dhe pranojnë qytetarët. Ne kemi nevojë që sa më shpejt të finalizojmë projektet që hapin perspektivën e të rinjve tanë. Faleminderit.
Ne kemi besim te Ju.

Kryetar Veseli, aktivistë të degës së PDK-së,

E kam deklaruar, e deklaroj edhe sot se nuk kam asnjë ambicie të kandidoj për kryetar të degës. Kam mjaft punë për të bërë në komunë në vitet që do të vijnë.
Por, kam shumë ambicie që ta përkrah fuqishëm PDK-në.
Puna ime do të sjell më shumë përkrahës për partinë tonë se krejt fjalët e bukura. Qytetarët duan vepra, punë dhe disiplinë. Këtë e kemi dëshmuar.

Nga 200 bursa që kemi premtuar në fushatën e kaluar, po i realizojmë 226, sepse aq edhe i kanë plotësuar kriteret, pra, secili që i ka plotësuar kushtet, do të marrë bursë. Falënderoj edhe donatorët për përkrahjen për bursa.

Kam kërkuar dhe do të këmbënguli për transparencë në proces zgjedhor që vota e anëtarit tonë të devotshëm të mos devijojë. Do të sigurojmë transparencë për çdo votë, për çdo kandidaturë, duke qenë të sigurt se më i miri dhe më i votuari, do të fitojë për Dekadën e Re.

Ftoj secilin qytetar të Drenasit të jetë pjesë e procesit zgjedhor, të bëhet pjesë e Dekadës së Re, sepse, ne më mirë se gjithkush në këtë vend, ia dimë dëshirat atdheut tonë, qytetarit tonë.

Ftoj udhëheqësit lokal të PDK-së, të jenë në nivel të detyrës dhe respektojnë vullnetin e secilit qytetar, sepse, jemi në vëzhgim të profiterëve politik dhe të hienave që duan të sjellin përçarje në Drenicë.

Këtë nuk do ta lejojmë. Ditë e natë do të punojmë që Dega e PDK-së në Drenas të jetë e fortë, sepse Drenica do të jetë më e fortë, sepse Kosova bëhet edhe më e fortë.

Na priftë e mbara. Urime dhe suksese!!!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arsenal dhe Liverpool kanë dhuruar spektakël në barazimin 1-1 në…