Ramosaj: Ata që kanë informacione rreth krimit makabër, të bashkëpunojnë me institucionet relevante
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka shkruar sot në llogarinë e vet në “Facebook” për tragjedinë në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona pas sulmit me armë në drejtim të autobusit, i cili barte nxënës.
“Mëngjes i trishtë për Deçanin, e tërë kombin tonë, pas sulmit makabër që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, ku humbën jetën dy nxënës, Genta Mustafaj e Ledian Hamzaj dhe shoferi i autobusit Gani Gjokaj, ku mbeti i plagosur edhe nxënësi Fliant Turkaj nga Dubrava e Deçanit”, ka shkruar Ramosaj.
Ai u ka bërë thirrje qytetarët që kanë ndonjë informacion rreth këtij krimi makabër, të bashkëpunojnë me institucionet relevante.
“Duke ju shprehur ngushëllime familjeve, lus të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informacion rreth këtij krimi makabër, të bashkëpunojnë me institucionet relevante!”, ka shkruar Ramosaj.