Ramosaj: Investimet në Deçan do t’u japin shpresë deçanasve
Të qeverisësh me Komunën e Deçanit për kryetarin Bashkim Ramosaj është sfidë dhe privilegj.
Ai për “Kosovapress” ka folur për arritjet dhe problemet që ka hasur gjatë punës së qeverisjes së tij lokale, gjatë së cilës prioritete absolute kanë qenë arsimi dhe shëndetësia. Sipas tij, tashmë nxënësit dhe personeli arsimor shumë më lehtë do të kenë procesin mësimor, pasi tetëmbëdhjetë shkolla i kanë hyrë procesit të rinovimit të plotë. Të njëjtin efikasitet, ka thënë Ramosaj ka pasur edhe në sektorin e shëndetësisë, ku sipas tij shumë shpejt pritet që QKMF-ja në Deçan të jetë e kompletuar.
Kryetari Ramosaj ka bërë me dije se dy projektet që janë vitale për Komunën e Deçanit kanë filluar.
Rruga Deçan-Plavë dhe rregullimi i shtratit të lumit në këtë qytet, sipas tij këto projekte do t’i japin shpresë qytetarëve të jetojnë në këtë qytet.
Ndërsa për disa projekte që nuk janë realizuar këtë vit, kryetari Ramosaj ka thënë se do të realizohen vitin e ardhshëm.
Sidomos e rëndësisë së veçantë, ai ka përmendur zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në disa zona të Deçanit dhe zgjerimin e rrugës së qendrës në këtë komunë. Duke marrë parasysh se Deçani përbëhet prej shumë fshatrave dhe rol të rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe rritje të ardhurave të banorëve është bujqësia, kryetari Ramosaj ka thënë se ka bërë çmos që t’iu dalë në ndihmë atyre përmes subvencioneve.