Ramosaj: LDK-ja ka mungesë të guximit politik, LV-ja e papërvojë
Profesori universitar, Berim Ramosaj, dikur ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se shtyrja e arritjes së marrëveshjes në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes po ndodh për shkak të ambicieve të tyre për të marrë me çdo kusht pushtet.
Ramosaj në Zona B në Klan Kosova, ka bërë një krahasim mes dy subjekteve të para të dala në zgjedhjet e 6 tetorit.
“LDK në aspektin e përvojës në zhvillime dhe marrjen e vendimeve e mëdha është e shquar si parti instituconaliste por jo me shkallë të lartë të guximit politik, kurse LV janë të papërvojë. Kemi shembuj nga praktika evropiane dhe botërore, se partitë populusite dhe radikale janë përpunuar më së lehti”.
“LDK, ka mungesë të guximit politik që u vërejt në Qeverinë Mustafa, sa i përket aspektit të shtetndërtimit janë të gatshëm për kompromise”, ka thënë Ramosaj.
Ai ka theksuar se Isa Mustafa nuk është dashur që të jetë kryenegociator nga ana e LDK-së në marrëveshjen për krijimin e Qeverisë për shkak se sipas tij ai nuk ka garuar në zgjedhje.