Ramosaj nesër takohet me sindikalistët e arsimit në Deçan
Kryetari i Komunës Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë me dije se nesër (e hënë) do të takohet më Sindikatën e Arsimit në këtë komunë për të diskutuar në lidhje me grevën e tyre.
Ai ka thënë se do të takohet me sindikalistët e arsimit pas ankesave të qytetarëve që kanë ardhur në adresë të tij për shkak të grevës.
“Pas situatës së krijuar me grevën në sektorin e arsimit e organizuar nga Sindikata e Arsimit, dhe shprehja e shumë ankesave qytetare drejtuar në zyrën time deri në organizim protestues, kam ftuar të hënën në zyrën time Sindikatën e Arsimit dhe akterët tjerë për të rishikuar kërkesën, dhe formën e veprimit të tyre për të realizuar rritjen e pagave”, ka thënë Ramosaj.
Ramosaj ka ftuar qytetarët dhe mësimdhënësit që të jenë në krye të detyrës.
“Si kryetar, me respekt i ftoj qytetarët dhe mësimdhënësit që të jenë në nivelin që kërkohet nga ne. Në këtë kohë ku shteti ynë ka ende nevojë për kontribut të shtuar”, ka thënë Ramosaj.
/Epoka e re/