Ramosi, afër marrëveshjes me Boca Juniors
01 nëntor 2024
| 12:44
Mbrojtësi spanjoll Sergio Ramos, i cili u largua nga Sevilla verën e kaluar, mund të rikthehet sërish të luajë. Këtë herë jo në Evropë, por në Argjentinë. Skuadra amerikano-latine e interesuar për 38-vjeçarin është Boca Juniors.
Presidenti i këtij klubi, Riquelme, dhe trajneri i Gago janë të tunduar nga ideja e pranisë së Ramos në ekip. Për më tepër që Gago e njeh mirë mbrojtësin, pasi dikur kanë qenë shok skuadre te Real Madridi. Në rast se marrëveshja realizohet, Sergio Ramos pritet të paguhet rreth 5 milionë euro.
Për momentin nuk ka asgjë zyrtare, por si mediat argjentinase ashtu dhe ato spanjolle konfirmojnë bisedimet, me Ramos që pritet të rikthehet në fushë nga janari 2025.