Ramosi fillon një aventurë të re në Meksikë
Legjenda e Real Madridit dhe futbollit spanjoll, Sergio Ramos, tashmë është konfirmuar se do t’i rikthehet sërish futbollit. Kjo vjen pas konfirmimit se ai është pajtuar me kushtet e një kontrate me klubin meksikan Rayados.
Ramos nuk ka luajtur në ndonjë ndeshje zyrtare që prej sezonit të kaluar, pasi i skadoi kontrata me Sevillën. 38-vjeçari si një profesionist i vërtetë, ndonëse ishte pa ekip, ai u sigurua që të qëndronte në formë optimale fizike. Sipas një raportimi të fundit nga eksperti i transferimeve Fabrizio Romano, mbrojtësi ka hedhur firmën për Rayados.
“Sergio Ramos tek Rayados! Para-kontrata u nënshkrua sot, ai pritet të udhëtojë në Meksikë për hapat e ardhshëm”, ka shkruar Romano. Një njoftim zyrtar nga ana e klubit meksikan pritet që të vijë gjatë orëve në vazhdim.