Ramsdale: City i frikshëm, por ne nuk do të dorëzohemi
Manchester City shënoi fitore bindëse ndaj Arsenalit (4-1) në Premier Ligë dhe tash është më afër titullit të kampionit.
Portieri i Arsenalit, Aaron Ramsdale, ka thënë se në Manchester kishin udhëtuar për fitore, por që nuk ia arritën këtij synimi.
“Reagimi im i menjëhershëm është zhgënjimi. Ne erdhëm këtu për të fituar dhe nuk ia dolëm. Nuk kemi luajtur për 9 muaj për të qenë në këtë situatë, nuk mund të ankohemi e as të heqim dorë. Nëse ndodh diçka, ne duhet të jemi aty për të ndërhyrë”, ka thënë Ramsdale.
Portieri i Arsenalit më pas ka thënë se City është një klub i fortë, por bëri me dije se “topçinjtë” nuk do të dorëzohen.
“Manchester City të ndëshkon nëse nuk je i qetë në fushë. Ishte e vështir të futeshim në lojë, por në të njëjtën kohë nuk po e shtynim veten sa duhet në pjesën e parë. Ata ishin të pamëshirshëm dhe shënuan dy gola. Kur do, City bëhet i frikshëm, por ne nuk duhet të dorëzohemi dhe jemi ndër më të mirët e Premier Ligë. Ne do të luftojmë deri në fund për t’u përpjekur ta përfundojmë sezonin në krye”, ka shtuar Ramsdale.