
Ramush Haradinaj: Albin Kurti po tenton t’i blejë deputetët e pakicave!
I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka akuzuar kryeministrin Kurti se po ushtron presion dhe po tenton të blejë deputetë nga komunitetet jo-serbe për të ruajtur shumicën në Kuvend.
“Kurti bën presione me i ble deputetet, kemi informata që është duke bë lloj lloj presione të joshjes, të blerjes. Para se me than janë njerëz të Serbisë ka provu me i joshë, kur nuk i ka bë votë ka thënë a ju jeni i Serbisë. A më i Serbisë qenka Duda Balje a Rashiqi”, tha ai.
Kreu i AAK-së u bëri thirrje deputetëve të komuniteteve jo-serbe që të respektojnë vullnetin e shumicës shqiptare dhe të bashkëpunojnë me ata që e përfaqësojnë atë shumicë.
“Unë i bëj thirrje deputetëve të pakicave jo serbe, rune principin kush e ka shumicën shqiptare, bashkëqeverisim me të. Ju nuk jeni as të Albinit, as të Ramushit, Lumirit apo Bedrisë ju jeni të Kosovës, jeni njerëz të këtij vendi ne bashkejetojmë dhe do të bashkëjetojmë përherë, kur e ka dikush shumicën shqiptare atij qitja votën mos ia qitni votën atij që nuk e ka shumicën shqiptare”, u shpreh ai.
Haradinaj kritikoi edhe përpjekjet e Kurtit për të rikthyer bashkëpunimin me Listën Serbe apo për të negociuar me deputetë të saj për formimin e një qeverie të re.
Ai e quajti këtë sjellje “të paprecedentë”, duke e krahasuar me rastet e kaluara, si rasti i votimit për veteranët.
“Ne e shohim si shkon zhvillimi i fundit, shikone situatën kur janë tri parti shqiptare dhe nuk punojnë me të, është ndër herët e rradha kur kryeministri që ka qeverisë një mandat të plotë shkon te jo serbet, dhe tenton me ble deputet të listës serbe, ose me bë marrëveshje prap si ka bë në të kaluarën me listën serbe, në rastin e veteranëve ose në ndonjë rast tjetër. Është duke negociu me ta, ka bë përpjekje që Rashiqi me shtu ndonjë deputet serb që me mujt me bë qeverinë. Të gjitha këto i bën Kurti, kllika e tij i bëjnë, kta janë këta njerëz, fytyra e tyre është kjo. Cdo gjë që ai e ka sulmu ai i ka bërë. Ky njeri është agjent i Serbisë dhe Rusisë, u shërben agjentave të tyre, është anti perëndimorë, ka mbjellë antiamerikanizëm në këtë vend për interesa të veta dhe atyre qareve pro ruse. Në kohën e luftimeve sa kanë qenë, Kurti ka bashkëjetu me vajzën e një zyrtari serb. Si ka mundësi që kryeministri i Kosovës, e ka vetëm një shtëpi e atë e ka në shtet të huaj, të vetmën pronë të deklaruar e ka në shtet të huaj”, tha Haradinaj.