Ramush Haradinaj: Kosova ka nevojë për mendësi të re qeverisëse, të bashkohemi për Kosovën fituese
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikoi ashpër gjendjen aktuale në vend, duke theksuar nevojën për një model të ri qeverisës që do të garantonte transparencë dhe demokraci institucionale.
“Vendi ynë ka nevojë për një mendësi të re qeverisëse, ku nuk vidhet paraja e qytetarëve”, u shpreh lideri i AAK-së përmes një postimi në Facebook, duke iu referuar hetimeve të 1700 kontratave njëburimore.
Sipas tij, “situata aktuale ka sjellë cenimin e ndarjes së pushteteve, sulme ndaj gjyqësorit dhe mediave”.
Haradinaj vuri në dukje se gjatë katër viteve të fundit, Kosova ka pësuar humbje në të gjitha planet – të brendshme, zhvillimore dhe ndërkombëtare. “Kosova sot është më e dobët se asnjëherë më parë në këto 25 vjet liri”, theksoi Haradinaj, duke shtuar se vendi ka nevojë urgjente për rikthimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë.
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-E30 theksoi se objektivi kryesor duhet të jetë anëtarësimi direkt në NATO, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme drejt stabilitetit. “Ne duhet ta arrijmë cakun tonë që është anëtarësimi direkt në NATO, i cili do të kthente gjithçka kah e mbara”, përfundoi ai.