Ramush Haradinaj merr vizën amerikane
Lajmi se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, mund të mos pajisej me vizë amerikane u bë kryetemë e ditëve të fundit.
Por, kjo çështje mori fund pasi i pari i ekzekutivit sot ka marrë vizën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku edhe pritet që të udhëtojë së shpejti për të qenë pjesë e Lutjeve të Mëngjesit më 8 shkurt në Uashington.
Këtë e ka konfirmuar për “Klan Kosovën”, Donjeta Gashi, zëdhënësja e Qeverisë në një lidhje direkte në “Info Magazine”.
Kryeministri Haradinaj gjatë qëndrimit në ShBA do të ketë takime me kongresistë dhe senatorë.
Vetë Haradinaj kishte thënë përmes një postimi në “Facebook” se i ishte nënshtruar të gjitha procedurave të rregullta dhe se po priste vizën, si gjithë qytetarët.
“Pres edhe për vizë deri kur të ma japin. I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë”, kishte shkruar para disa ditëve kryeministri Haradinaj.