Ranca, e vënë në një darë të hekurt rrethimi dhe dëbimi i popullsisë civile për Shqipëri

11 maj 2021 | 16:25

Shkruan: Lulzim Sahiti

Në maj të vitit 1999, mbi pozicionet ku ndodhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjegjësisht Zona Operative e Nerodimes (ZON), forcat e mëdha të Ushtrisë Jugosllave që vepronin në kuadër të Brigadës së Mekanizuar 243, bashkë me policinë serbe dhe paraushtarakë kishin filluar sulmin rreth e përqark Jezercit, Mollopolcit, Petrovës, Devetakut, Llanishtit, Topillës, Çadrakut, Greiçevcit… Komandanti i Zonës, Shukri Buja me njësitë ushtarake të UÇK-së ishin vënë në mbrojtje të pozicioneve, me të gjitha kapacitetet që kishte, ku merrnin pjesë:

  1. Brigada 161 “Ahmet Kaçiku”, komandant Ilmi Ramusholli “Graniti”,
  2. Bataloni i Policisë Ushtarake, komandant Isak Musliu “Çerçizi”,
  3. Brigada Speciale 125 nga Zona Operative e Pashtrikut, komandant Nehat Basha dhe
  4. Batalioni i 60-të Diversanto-Vëzhgues i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandant Jetullah Qarri “Guri”.

Me gjithë luftën titanike që po bënin luftëtarët e lirisë, në këtë zonë situata dalëngadalë po përkeqësohej me ç`rast po bëhej një rrethim i hekurt, i cili gjithnjë vinte duke u ngushtuar. Në të vërtetë kishte filluar, një luftë tejet e pabarabartë që ishte më shumë se luftë. Herë pas here forcat e armikut të armatosur deri në dhëmbë lëviznin përpara me shpejtësi të madhe, duke u afruar gjithnjë më afër pozicioneve të UÇK-së dhe popullsisë civile, që ishte e vendosur në Luginën e Topillës dhe në malet përreth. Nga çasti në çast, ky rrethim i hekurt po ngushtohej dhe po bëhej më dramatik. Tanimë këmbësoria armike me sa fuqi që kishte hapte zjarr mbi pozicionet e UÇK-së. Trupat serbe qëllonin me armatim të kalibrave nga më të ndryshmit. Sipas dëshmitarëve binin plumbat dhe predhat, mu sikur breshër. Ndërkaq, në këto momente dramatike UÇK-ja duhej kursyer maksimalisht municionin. Kështu po zhvillohej një luftë gati dhëmbë për dhëmbë. Kishte të vrarë e të plagosur. Nga 1 – 11 maj 1999, në këtë sulm të madh dhe të vrullshëm ushtarak në vijën e frontit me forcat armike kanë rënë dëshmorë:

  1. Emin Murat Musliu (1974) nga Shtimja,
  2. Abdyselam Aziz Ahmeti (1979) nga Gremja (Ferizaj),
  3. Ramadan Rexhep Rexhepi “Adidasi” (1962) nga Sojeva (Ferizaj),
  4. Imri Habit Halili (1976) nga Gaçka (Ferizaj),
  5. Atnan Nexhmedin Krasniqi (1981) nga Prizreni,
  6. Safet Sefer Helshani (1975) nga Ngucati (Malishevë)
  7. Elhami Shaban Hasani (1975) nga Gremja (Ferizaj),
  8. Hajriz Muhadin Muhadini (1971) nga Dremjaku (Ferizaj),
  9. Afrim Xhemajl Syla “Obria” (1975) nga Reçaku,
  10. Islam Hasim Neziraj “Qershori” (1981) nga Mollopolci,
  11. Shaqir Ahmet Tërshani (1968) nga Greiçevci (Suharekë),
  12. Naim Qazim Lubovci (1979) nga Greiçevci (Suharekë),
  13. Qamil Metë Osmani (1963) nga Kashtanjeva (Shtërpcë),
  14. Nazmi Kadri Bakiu (1974) nga Bitia e Epërme (Shtërpcë),
  15. Njazi Sylejman Bajraktari (1980) nga Pleshina (Ferizaj),
  16. Muhamet Selman Kabashaj “Kelota” (1978) nga Talinovci i Muhaxherëve (Ferizaj).

Luftëtarët tanë, krahas misionit për çlirimin e vendit kishin për detyrë edhe mbrojtjen e popullsisë civile, të cilën e kryen me përkushtim deri në flijimin e jetës së tyre. Kjo dëshmon për përgjegjësinë e lartë që kishin çlirimtarët tanë. Pra, me një anë nga ta kërkohej çlirimi i atdheut prej pushtuesit, por njëkohësisht dhe mbrojtja e jetës së njerëzve prej masakrave që kryente pushtuesi serb. Në fakt këtë e dëshmuan luftëtarët sypatrembur të UÇK-së, të cilët me vetëmohim dhe një moral shumë të lartë ushtarak, luftuan deri në fund për çlirimin e popullin tonë nga okupatori serb.

Gjatë kësaj dite, komandanti i Zonës Operative të Neredimes, Shkukri Buja së bashku me ushtarët: Lulzim Buja, Lumnije Kaçiku dhe Agim Buja ishin nisur me një xhip në drejtim të Llanishtit për të kontaktuar me komandantin e Batalionit të 60-të Diversanto-Vëzhgues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jetullah Qarri “Guri”. Lugina e Topillës nga Luzhaku deri në hyrje të Llanishtit ishte e mbushur me mijëra civilë. Me këtë rast, forcat serbe të displokuara në Devetak, dikund në hyrje të fshatit Llanishtë e qëllojnë Lulzim Bujën me një plumb në pulpë të këmbës së djathtë. Më tutje nuk mund të vazhdojnë rrugën dhe kthehen menjëherë mbrapa, në Petrovë, ku të plagosurit në fjalë ia pastron dhe lidhë plagën dr. Vezir Bajrami. Pas gjithë kësaj, Shukri Buja i jep urdhër Njësisë Speciale “Shqiponja” të Zonës që të shkojnë në Grykë të Topillës me qëllim për të ndalur përparimin e forcave serbe në drejtim të Petrovës, gjegjësisht ku ishte e vendosur popullata civile. Ky Njësitë i UÇK-së, që udhëhiqej nga Gazmend Bytyçi, luftimet me forcat serbe i kishte zhvilluar në Grykë të Topillës, mu te rruga që ngjitet përpjetë për në Devetak. Këtu luftimet janë zhvilluar deri në orët e vona të natës, ku është plagosur ushtari Azem Qeli nga Pleshina, i njohur me nofkën “Shaolini”. Ai mori plagë në këmbë, krah dhe duar. Rreth orës tre të mëngjesit, ky njësitë është tërhequr për në fshatin Rancë.

Mirëpo, çdo minutë situata vështirësohej dhe bëhej jashtëzakonisht e rëndë. Në një situatë të tillë jo minutat, por edhe sekondat ishin të gjata. Me t’u afruar perëndimi i diellit, muzgu filloi të bjerë. Ndërkohë, kishte ardhur urdhëri nga Komanda e UÇK-së që personeli shëndetësor së bashku me ushtarë e civilë të plagosur dhe të gjitha njësitë ushtarake të tërhiqen me gjithë armatim në fshatin Rancë të Shtimes. I vetmi vend për strehim kishte mbetur fshati Rancë, ku forcat serbe ende nuk kishin depërtuar. Ranca ishte populluar si asnjëherë më parë. Aty i tërë personeli i rregullt ushtarak i Komandës së Zonës dhe një pjesë e popullsisë civile ishte grumbulluar. Gjithashtu ka pasur edhe rekrutë të rinj, të cilët UÇK-ja pas 31 marsit 1999 kishte bërë mobilizimin e përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës. Dikund mbi tre mijë veta kanë qenë nën qellin e hapur. Të gjithë ishin të rrethuar dhe vënë nën unazën serbe. “Sa ka dushk në mal, aq kishte usharë!”, thotë një tregim popullor. Nga 11 maji – deri më 13 maj 1999 ky terren ka qenë nën rrethim të hekurtë të forcave serbe sa që nga çasti në çast është pritur ardhja e tyre.

Natën e 11 majit dëshmitarët e përshkruajnë si mjaftë të rëndë e tensinuese: “Që në natën e parë të rrethimit, në fshatin Rancë u krijua huti dhe kaos. Nisi të ndihej kriza e bukës. Punonte vetëm një furrë, e cila ishte rrethuar nga turma e njerëzve të uritur. Mjerisht, në këtë situatë as paraja nuk bënte punë. S’kishte vlerë. Urdhri ishte i prerë që bukëpjekësit të mos jepnin më shumë se një bukë për frymë. Sikurse ndodh thuajse gjithnjë në situata të tilla, nisi menjëherë edhe spekulimi për bukën. Ata që ishin më të fuqishëm pas shumë përpjekjesh mund të merrnin më shumë se një bukë por kishte edhe të atillë të uritur që më kot prisnin në radhë. Rezervat ushqimore nga çasti në çast po shteronin. Nuk kishte as krip as bukë mjaftueshëm. Me sulm rrethimi nuk mund të çahej nga UÇK-ja, sepse pushtuesi kishte makineri të bollshme luftarake, të shoqëruar me forca të shumta të armatosura.

Nën këto rrethana, komandant Jetullah Qarri “Guri” me ushtarë të vet, prej të cilëve disa të plagosur, kanë tentuar më 11 dhe 12 maj 1999 të çajnë rrethimin në Grykë të Carralevës, mirëpo ishte kuptuar se ata nuk do të mund të dilnin dot nga Ranca, e cila ishte vënë në një darë të hekurt rrethimi. Kishte aq shumë njësi ushtarake serbe rreth e rrotull, saqë ishte e pamundur që dikush të hapte shtegun për të çarë rrethimin.

Ushtarë të shumtë të UÇK-së së bashku me një pjesë të popullsisë civile, këtë netë e prisnin me ankth në Rancë, por të vendosur të qëndrojnë deri në vdekje. Ishin betuar që kurrësesi të mos dorëzohen të gjallë para gjakpirësve serbë. Gjatë kësaj kohe, dy gazetarë francezë, ishin të pranishëm në mesin e luftëtarëve të lirisë, të cilët një javë kanë qëndruar në Petrovë, në shtëpinë e Haki Selim Hysenajt, ku ishte selia e DMPAC-së. Askush nuk e dinte saktësisht se cili ishte misioni i tyre. Ata kanë kontaktuar me komandantin e Shtabit të ZON, Shukri Buja dhe shefin e Shtabit, Hysen Shahini nga të cilët janë informuar për pozicionet e serbëve. Në anën tjetër, rreth orës 1:00 të natës përmes telefonit të tyre satelitor, drejtori i Drejtorisë për Marrëdhënie Publike dhe Administrim Civil, Ruzhdi Jashari kishte kontaktuar në Tiranë, me shefin e Misionit Verifikues Amerikan (KDOM), Shaun Byrnes, të cilin e kishte njoftuar hollësisht për situatën e rëndë që po mbretëronte në zonën e luftimeve.

Gazetarët në fjalë, nuk kishin qëndruar duarkryq por thuhet se janë veçuar në një pjesë nga masa dhe kanë dhënë koordinatat për aeroplanët e NATO-s përmes llaptopit me GPS, që të bombardohet Kodra e Gështenjave në Shtime, Gryka e Carralevës, Pishat e Shtimes, Devetaku, Topilla, Gryka e Mollopolcit e tjerë. Kështu që pas dhjetë minutave kanë filluar bombardimet e ashpra të NATO-s ndaj caqeve të forcave serbe, të cilat janë goditur kryesisht me bomba kasetore. Gjatë tri-katër ditëve, zona përreth Rancës ishte bërë epiqendër e goditjeve nga bombarduesit e NATO-s”.

Sipas të dhënave serbe, më 11 maj 1999, në zonën e qytetit të Shtimes, në vendin e quajtur “Kodra e Gështenjave” gjatë bombardimeve të avionëve të NATO-s është vrarë ushtari rezervë, Slaviša Milorad Stošić (1960) nga Nishi që shërbente në radhët e Brigadës së Armatosur 211 të Nishit, në Ushtrinë Jugosllave. Ai ishte goditur në automjetin e blinduar kundërajror “Pragë” SPAT 30/2 mm. Ndërkaq, ishte plagosur rëndë rreshteri i ri, Siniša Miloš Milošević (1968) nga Zadra (Kroaci), i cili shërbeu si komandant artilerisë në Brigadën e Armatosur 211, në Ushtrinë Jugosllave. Mirëpo nga plagët e marra, ai vdiq më 12 maj, në spitalin e Prishtinës.

Në anën tjetër, popullsia civile ishte vënë para një krize humanitare. Fëmijët ishin të uritur dhe rraskapitur prej javësh duke qëndronin në natyrë. Edhe të rriturit kishin ngrënë vetëm ushqim të thatë. Pra, nuk kishin ushqim të mjaftueshëm dhe ilaçe. Çdo gjë ju mungonte, vetëm silleshin vërdallë duke bredhur nga një vend në tjetër për të shpëtuar kokën. Kështu popullata civile filloi dyndjen e vet në drejtim të Petrovës, disa në në këmbë, disa me qerre e disa me traktorë, të cilët drejtoheshin kryesisht nga fëmijë, djem e vajza të reja sepse të rriturit nuk guxonin nga frika se mund të masakrohen nga forcat serbe. Kjo skenë rrëqethëse me të vërtet nga dëshmitarët është përshkruar e rëndë dhe trishtuese. Qanin fëmijët nga ankthi e tmerri që mbretëronte në Luginën e Topillës. Madje, disa nga paniku e trishtimi që kishte kapluar, me traktorë ndesheshin njëri pas tjetrit. Vërtet kjo zonë ishte shëndrruar në arenë të dramës dhe tragjedisë.

Më 11 maj 1999, forcat armike kishin depërtuar me këmbësori në Jezerc, Devetak, Topillë, Llanishtë… Në Devetak kishin djegur Shtabin e UÇK-së (shtëpi e braktisur e Ramadan Rexhep Hasanit), kurse në Topillë shkollën e fshatit. Mandej, në Llanishtë kanë djegur mullirin e Avdyl Salihit, shkollën e fshatit, ku ishte selia e Batalionit të 60-të Diversanto-Vëzhgues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, shtëpitë e Llanishtit, mandej kanë djegur rezervat e naftës, traktorë, tenda… Kanë vrarë kuaj, lopë, buallica, qen etj. dhe çdo gjë që kanë hasur përpara. Ishte moti me diell, përgjatë Luginës së Topillës kundërmonte erë e rëndë nga kafshët që kishin pësuar nga çmenduria e forcave serbe.

Nga frika e hekmarrjes një pjesë e familjeve nuk ishin dorëzuar në duar të kriminelëve serbë por iknin prej tyre si prej bishave duke u fshehur nëpër ndonjë hendek të thellë, ferra, male e shpella për të shpëtuar kokën nga stuhia e barbarisë serbe. Infermierja e luftës, Mevlide Zymberi nga Reçaku tregon se babai i saj, Salih Zymberi, bashkë me vëllaun e madh, Muhametin, mikun nga Dremjaku, Halim Muhaxherin dhe Arsim Kabashin nga Krushica e Suharekës ishin strehuar në shpellën e Imer Devetakut.

Ndërkaq, familja shtatë anëtarshe e Hamit Selim Hasanit, bashkë me familjen katër anëtarëshe të Arif Mehmet Hasanit ishin fshehur në një hendek të thellë në fshatin Devetak dhe pranë tyre kishin kaluar forcat serbe, mirëpo fatbardhësisht kishin shpëtuar nga më e keqja. Këto familje kalojnë nga një rrezik në tjetrin ngase bombardimet e NATO-s ishin shumë të fuqishme në këtë zonë.

Meqë ishin të paarmatosur dhe duarthatë për të shpëtuar nga vala e çmendurisë së bandave serbe, në vendin e quajtur “Te mrizet e vogla”, në Lug të Neshës, ishin fshehur në ferra të shpeshta, arsimtari i matematikës, Islam Ferat Hysenaj së bashku me djalin e vet, Visarin, babën dhe tre vëllezërit e tij. Të pranishëm ishin edhe vëllezërit: Shaban dhe Vesel Hidajet Beqaj, pastaj vëllezërit Idriz e Ismet Nebih Sopa, Enver Mustafë Hysenaj e tjerë.

Natën e 11 majit, krahas civilëve të strukur në vende të ndryshme ku ndjeheshin paksa më të sigurtë, kishin mbetur në Shpellën e Lakuriqëve, në fshatin Topillë, gjashtë veta të plagosur rëndë, njëri prej të cilëve veç kishte ndërruar jetë. Shpella në fjalë, gjendej në të djathtë të rrugës së paasfaltuar Luzhak – Llanishtë, në një lartësi prej 893 metra mbi nivelin e detit. Për t’u ngjitur deri tek kjo shpellë, duhej ecur këmbë rrugicës së thepisur rreth gjysmë ore. Aty të plagosurit natën e kishin kaluar të vetmuar duke i dëgjuar dhimbjet e plagëve: Arben Tafolli (18-vjeçar) dhe motra e tij, Luljeta Tafolli (15-vjeçare) nga Çadraku i Suharekës, Sejdi Sejdiu nga Manastirci i Ferizajt dhe dy ushtarët e Brigadës 60-të Diversante-Vëzhguese të SHP të UÇK-së: Faton Qarri nga Greiçevci dhe Banush Vrella nga Çadraku.

Së bashku me ta ishte edhe dëshmori i lirisë, Muhamet Kabashaj (21-vjeçar), i cili më 5 maj 1999 në Jezerc ishte plagosur rëndë. I ndjeri nuk kishte arritur t’i përballonte plagët e luftës dhe kishte vdekur brenda shpellës. Ndërkaq, pesë të plagosurit rëndë, për t’i shpëtuar nga kthetrat e barbarëve serbë, komandanti Zonës, Shukri Buja të nesërmen në orët e para të mëngjesit, kishte urdhëruar Njësitin Special “Shqiponja”: “Të gjallë apo të vdekur dua që të plagosurit të mi sillni në Rancë”. Kjo fjala “të gjallë apo të vdekur” kishte të bënte për ushtarët që duhej të merrnin pjesë në aksionin për tërheqjen e të plagosurve nga shpella. Megjithëse njësiti ushtarak ishte lodhur e dërrmuar nga pagjumësia dhe uria, pa bërë asnjë fjalë të vetme ishte nisur drejt misionit të rrezikshëm me këtë përbërje: Gazmend Bytyçi, Nexhat Shahini, Rrahim Salihu, Hamit Hyseni, Luan Jahiri, Arian Ymeri, Besim Nuha, Skender Kurti, Ruzhdi Paloja dhe Hetem Muhaxheri.

Ata, fillimisht kishin nxjerrë dëshmorin përjashta duke e varrosur përkohësisht në një vijë që e kishte bërë shiu pranë shpellës. Më pastaj arrijnë me sukses të nxjerrin të gjithë të plagosurit duke i bartur me batanije e lese deri në rrugën që të çon për në fshatin Rancë. Nga këtu, Qamil Xhemajli “Haxhia” së bashku me 15 rekrutë të paarmatosur të UÇK-së i marrin të plagosurit duke i bartur deri në fshatin Rancë.

Në kujtim të asaj nate trishtuese, në rrëfimin e tij të gjatë dhe rrënqethës, Bislim Sahit Beqaj, që asokohe ishte vetëm 14 vjeç, tregon se si kanë arritur të shpëtojnë nga rrethi i vdekjes. Ishte mbrëmja e 11 majit të vitit 1999. Kemi qenë të strehuar në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, përmbi lagjen Hysenaj të fshatit Petrovë. Për fat, një pjesë e familjes tonë ka qenë e zhvendosur kohë më parë në fshatin Mohovc të Ferizajt, ndërkaq pjesa tjetër e mbetur prej gjashtë anëtarësh të familjes së ngushtë kemi jetuar në kushte tepër të vështira hygjeniko-atmosferike në ambient të hapur, ku kemi rregullar një tendë nga najlioni. Pranë nesh ka qenë edhe familja e mjekut të luftës, dr. Vezir Bajrami nga Reçaku. Së paku dhjetë ditë kemi qëndruar në këtë vend, përderisa jemi rrethuar nga forcat serbe nga të gjitha anët. Të gjithë ishim vënë nën unazën serbe. Lugina e Topillës dhe malet përreth, kanë qenë të mbushur përplotë refugjatë. Nga popullsia civile, më 11 maj 1999, në orët e pasditës ishin vrarë këta banorë:

  1. Nazmi Kadri Ukëzmajli (29-vjeç) nga Jezerci, i vrarë në Devetak;
  2. Ali Brahim Palushi (31-vjeç) nga Budakova, i vrarë në Llanishtë;
  3. Hajrije Shaip Ugzmajli (41-vjeçare) nga Jezerci, e vrarë në Luginë të Topillës;
  4. Lirije Bajrush Ugzmajli (10 vjeçare) nga Jezerci i Ferizajt, e vrarë në Luginë të Topillës;
  5. Shaip Sylë Daka (58-vjeç) nga Vërsheci i Suharekës, i vrarë në Luginë të Topillës;
  6. Hane Fazli Kadriaj (73-vjeç) nga Budakova, e vrarë në Luginë të Topillës;

Dikund rreth orës 20:00, kanë ardhur nga UÇK-ja dhe na kanë thënë që duhet të tërhiqemi nga kjo zonë e luftimeve për shkaqe të sigurisë, thotë Bislim Beqaj. Për neve kjo situatë ka qenë shumë e rëndë dhe pakëndshme. Gjendje ishte tendosur, ne duhej të vetdorëzoheshin në dorën e armikut, zgjidhje tjetër nuk kemi pasur. Kanë filluar fëmijët dhe gratë me qajtë. Familjet ndaheshin ndërmjet vete pa e ditur për njëri-tjetrin se a do të shiheshin më. Të rriturit nuk kishin guxim të bijnë në dorën e armikut dhe vendosën të qëndrojnë në mal, kurse gratë, vajzat, pleqtë e fëmijët nisën rrugën teposhtë drejt fshatit. Të shtënat me armë dhe shpërthimet dëgjoheshin në distancë, derisa ne civilët po largoheshim. Ecnim dhe nuk dinim se ku shkonim. Të gjithëve na kishte kapluar një frikë e madhe.

Atë natë, unë, motra ime Remzija dhe vëllau i vogël Nexhmedini kemi buajtur në fshat, në shtëpi të Shaban Hidajet Beqajt, kurse tre vëllezër të tjerë qëndruan në pyell, njëri prej të cilëve ishe pjesëtar i UÇK-së (Halit Sahit Beqaj). Shumica e refugjatëve të tjerë kanë mbetur në rrugë dhe natën e kanë kaluar nën qiellin e hapur. Edhe pse ishim në stinën e pranverës, nata ka qenë mjaftë e ftohtë. Atë natë kanë qenë mbi 20 mijë refugjatë të ardhur nga vendbanime të ndryshme.

Të nesërmen, më 12 maj 1999 ende pa lindur mirë dielli ishim zgjuar herët në mëngjes, thotë Beqaj. Rreth orës 5:00 është nisur kolona e gjatë me civilë drejt Shtimes. Kemi ecur rrugës kryesore të fshatit. Kur jemi afruar afër çezmës te mëhalla e Azem Hajdarëve, kemi parë forcat serbe duke na pritur. Njerëzit hezitonin t’i prijnë kolonës, me këtë rast një plak nga Jezerci i Ferizajt, Zymer Baliu mori guximin dhe vullnetarisht doli në krye të kolonës. Ai në shkopin (kërryl) e tij kishte vendosur një çarçaf të bardhë duke ngritur atë lartë si shenjë e dorëzimit. Fëmijët qanin nga frika, të cilët ishin pa ngrënë e pirë asgjë. Ishte tmerr i vërtet. Askush nuk dinte se çka do të ndodhte me fatin tonë. Pothuajse të gjithë e ndanin ndjenjën se ky ishte fundi i jetës së tyre. Thjeshtë ishim shndërruar si një kope delesh para ujqëve të çartur e të uritur.

Me t’u afruar kolona te punkti policor që ishte në pritje, janë urdhëruar të ndalen në vend. Forcat armike kanë nisur ndarjen e burrave nga gratë dhe fëmijët. Me sytë e mi kam parë kur nga familja jonë kanë ndarë Nazmi Alush Beqajn dhe nipin e tij, Bujar Halimin nga Muzeqina, i cili ishte me aftësi të kufizuara. Na kaploi tmerri të gjithëve, sidomos djemtë dhe vajzat e rritura. Në këtë vend rreth 40-50 veta i kanë ndarë nga familjet e veta. Ata i kanë mbështetur me fytyrë për muri të shtëpisë së Shyqeri Hysenajt. Sipas dëshmitarëve të rastit që kanë arritur të njohin, gjatë asaj dite janë ndarë nga kolona edhe këta civilë shqiptarë:

  1. Abaz Mustafë Mujota nga Mollopolci,
  2. Afrim Ismet Mustafa nga Reçaku,
  3. Ajshe Adem Tërshana nga Petrova,
  4. Azem Rizah Mujota nga Mollopolci,
  5. Bafti Selman Mujota nga Mollopolci,
  6. Bedri Nuhë Tërshana nga Petrova,
  7. Behxhet Raif Rashiti nga Petrova,
  8. Hamit Isak Bytyqi nga Shtimja,
  9. Hasan Ismajli nga Mollopolci.
  10. Hazir Bislim Ademaj nga Petrova,
  11. Ismet Hysen Mustafa nga Reçaku,
  12. Kemajl Rexhep Mujota nga Mollopolci,
  13. Lejlije Mustafë Mujota nga Mollopolci,
  14. Lirije Xhevat Bytyqi nga Shtimja,
  15. Maliq Behlul Mujota nga Mollopolci,
  16. Muharrem Nebih Mujota nga Mollopolci,
  17. Mustafë Sefë Mujota nga Mollopolci,
  18. Ramiz Ali Ademaj nga Petrova,
  19. Ramush Avdyl Mujota nga Mollopolci,
  20. Sadik Zejnë Isufaj nga Mollopolci,
  21. Shaban Bejtullah Isufaj nga Mollopolci,
  22. Shaban Sadik Mehmeti nga Petrova,
  23. Sokol Rexhep Kameri nga Reçaku,
  24. Vesel Avdyl Salihi nga Llanishti,
  25. Zyhrie Mustafë Mujota nga Mollopolci,
  26. Zymer Tahir Baliu nga Jezerci…

Nga Lagjja e Azem Hajdarëve, të gjithë të ndaluarit i sjellin me pinzgauerë në oborrin e shkollës “Emin Duraku”. Dëshmitarët tregojnë se aty kanë parë njerëz të shumtë të shtrirë përtoke. Oborri i shkollës ishte shndërruar në kamp tmerri e vuajtje, ku ishte mbushur përplotë me civilë shqiptarë, të cilët rriheshin e torturoheshin pa asnjë mëshirë nga policia serbe. Me sytë e mi, tregon Ylber Feriz Mujota nga Mollopolci, kam parë një njeri me shtat të madh, të cilin e kishte marrë peng policia serbe dhe e detyronte për t’i shkeluar nëpër bark bashkëvendasit e vet, të shtrirë në tokë. Pas dhunës që kanë pësuar në oborr dhe brenda shkollës, mandej veç e veç i kanë dërguar në Stacionin Policor të Shtimes, i cili ishte pranë shkollës në fjalë. Këtu i kanë marrë në pyetje duke ushtruar dhunë shtazarake ndaj të arrestuarve. Bodrumi i këtij stacioni nga torturat çnjerëzore ishte bërë tërësisht me gjak nga goditjet e forta që bënin policët mbi trupat e shqiptarëve me shkopinjë të drurit e gjësende tjera të forta.

Vlen të përmendet se në kohën sa keqtrajtoheshin fizikisht, brenda objektit të shkollës “Emin Duraku”, Bekim Bejtullah Isufaj nga Mollopolci, nga dritarja kishte arritur të kërcen në drejtim të Bashkësisë së Pestë të Shtimes. Duke rrezikuar jetën ia doli të ikte nga kthetrat e barbarëve serbë.

Mandej, një pjesë e të ndaluarve nga Shtimja, atë ditë i dërgojnë në një sallë të Kombinatit të Drurit “Tefik Çanga” në Ferizaj, ku nga atje i dërgonin për të përjetuar ferrin në kafenenë “Pranvera” në Ferizaj. Në këtë vend, inspektorët e MUP-it të Serbisë: Dragan Jašović, Momčilo Šparavalo, Serboljub Vojinović, Darko Amanović e tjerë kanë kryer krime makabre kundër popullsisë civile shqiptare si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Këtu janë mbajtur dy-tri ditë, prej të cilëve disa janë liruar në shtëpi, kurse një pjesë bukur e mirë e tyre janë transferuar në Burgun e Lipjanit…

Ndërkohë, kolona e refugjatëve te Lagjja e Azem Hajdarëve ishte në pritje. Gjatë kësaj kohe rrëfen i riu Bislim Beqaj ka ardhur një polic i ri për nga mosha dhe fëmijëve që qanin nga frika, lodhja dhe rraskapitja u solli çokollata dhe “kliker” (sferë qelqi për fëmijë). Polici në fjalë, qante duke treguar se fëmijët e vet i ka lënë te shtëpia, kurse mua më kanë sjellur me dhunë këtu. Ai, fliste një shqipe të dobët. Unë kisha në ngrykë Albanin e vogël që asokohe ishte 2-3 vjeç. Këtij i dha çokollata dhe klikerë, tregon Beqaj. Dikur neve të tjerëve që mbetëm në kolonën e gjatë na thanë ecni drejt Shtimes. Në kolonë kishte refugjatë me traktorë, qerre me kuaj dhe qytetarë të shumtë që ecnin këmbë. Familja jonë ishte në këmbë dhe vazhduam rrugën tutje. Kur kemi mbërri te Enti Special në Shtime, na kanë thënë ecni për Shqipëri. Gjatë rrugës kemi parë shumë policë, ushtarë dhe paramilitarë me shamija në kokë. Kolona që është nisur me traktorë e mjete tjera të transportit kanë arritur të kalojnë kufirin me Shqipërinë, kurse ne që ishim në këmbë, një pjesë të tyre i kanë kthyer mbrapsht në Qafë të Duhlës, rrëfen Bislimi.

Në pjesën e qytetarëve të kthyer mbrapsht në Qafë të Duhlës ishte edhe familja Shashivari nga Jezerci i Ferizajt, ku nga kjo familje në kolonë ishte nënlokja, Hava Shashivari me renë dhe dy mbesat e saj. Nënlokja Hava ishte mbi 80-vjeçare dhe nuk mund të ecte. Gjatë gjithë rrugës, dy mbesat e saj, Rrushja dhe Dashurija e bartnin me radhë, herë njëra e herë tjetra. Ato nga lodhja e madhe mezi ecnin për vete, por me gjithë forcën e fundit që kishin e kanë ndihmuar gjyshën e tyre pa e lënë askund vetëm. Dikund në fshatin Belinc kishte ardhur një pinzgauer me ushtarë të rregullt të Ushtrisë Jugosllave, të cilët çuditërisht ndalën për të ndihmuar plakën e moshuar. I japin ujë për të pirë, por nga frika ajo fillimisht kishte hezituar. Kur ishte bindur që nuk ka asgjë atëherë kishte pranuar të shuante etjen. Plakës i ishin tharë buzët nga etja. Ushtarakët, familjes Shashivari ju thonë që plakën po e marrin dhe e zbresin te Enti Special në Shtime duke ju rekomanduar që të mos vonohen sepse nuk mund të garantojmë gjatë për sigurinë e saj. Me të mbërritur në Shtime, vërtet plakën e gjejnë në atë vend, ulur duke u çlodhur, të cilën familjarët e saj e marrin dhe bashkërisht natën e kishin kaluar te një familje e sllapuzhanëve në Shtime.

Ndërkaq, pjesën tjetër të kolonës me refugjatë, ku bënte pjesë edhe familja e Bislim Beqajt i kishin lejuar të vazhdojmë rrugëtimin drejt Shqipërisë. Kemi hequr të zitë e ullirit nga uria dhe etja e madhe saqë kudo që e shihnim ndonjë pus rrugës nuk kemi zgjedh por veç e kemi shuar etjen, tregon për vuajtjet Bislimi. Nga ky ujë na digjej fyti, thua se po pinim zjarr. Ishte vapë e madhe. Gjatë rrugës kemi parë forca policore dhe ushtarake që qarkullonin në magjistralen Shtime-Suharekë dhe anasjelltas. Ndërkaq, sipër nesh mbi qiellin e Kosovës dëgjohej zhurma e aeroplanëve të NATO-s që pikërisht në këtë ditë ishin bërë 50 ditë bombardimesh nga qielli. Rreth orës 24:00 kemi mbërri në fshatin Shirokë të Suharekës dhe policia serbe kanë urdhëruar të futemi në fabrikën “Ballkan”, ku dikur prodhoheshin shiritat transportues të gomës. Salla ka qenë e stërmbushur me refugjatë, dikund rreth 300 veta, ku kishte pleq, gra, vajza e fëmijë. Përderisa shumica e popullsisë civile kishte arritur të shpëtonte nga kthetrat e barbarisë serbe, më 12 maj 1999 ishin vrarë këta qytetarë civilë të pafajshëm:

  1. Hasan Rizah Beqiri (16-vjeç) nga Reçaku, i vrarë në Carravikë mbi fshatin Petrovë,
  2. Halil Hajdin Hysenaj (43-vjeç) nga Petrova, i vrarë në Petrovë,
  3. Mehmet Selim Shashivari (61-vjeç, i paralizuar) nga Jezerci, i vrarë në Petrovë,
  4. Danush Brahim Ramadani (77-vjeç) nga Luzhaku, i vrarë në Luzhak,
  5. Mehdi Daut Salihaj (70-vjeç) nga Mollopolci, i vrarë në Mollopolc.

Të njëjtën ditë, më 12 maj 1999 duke ardhur këmbë nga Ranca, në fshatin Belinc nga forcat kriminale serbe të pozicionuara te vendi i quajtur “Bregu i Melishtës” kanë vrarë:

  1. Faton Brahim Vehbiu (23-vjeç), rekrut i UÇK-së nga Prelezi i Jerlive (Ferizaj)
  2. Habib Ahmet Dugolli (38-vjeç), civil nga Pjetërshtica,
  3. Shefki Liman Beha (56-vjeç), civil nga Carraleva. Trupat e pajetë të tyre ishin varrosur nga pushtuesit serb në varrezat e qytetit në Shtime, të shënuar me numra: 108, 109 dhe 110.

Atë natë, më kujtohet sikur sot, tregon Bislim Beqaj, në sallën e fabrikës “Ballkan” të Suharekës ku qëndronim të gjithë së bashku ka lindur një grua, të cilën gratë tjera e rrethuan me batanije. Pak më vonë, u dëgjua zëri i bebës. Këtu na kanë mbajtur deri të nesërmen rreth orës 14:00. Fillimisht na kanë thënë po shiqojmë me gjetur autobusë me ju dërguar deri në kufi. Më vonë ka ardhur urdhëri që të kthehemi sërish në Shtime. Nga fabrika në fjalë, jemi nisur këmbë deri te Stacioni i Policisë në Suharekë. Para stacionit e ndalën kolonën dhe kërkuan që të presim aty. Kanë ardhur dy policë serbë, të cilët kishin qenë për nga mosha rreth 30-vjeçar. Kanë folur në gjuhën shqipe. Për çudi ata na kanë sjellë dy thasë të zi me bukë, një kese me konserva dhe qumësht për fëmijë. Ne për tri ditë e tri net nuk kemi pasur çka me ngrënë. Policët serbë, kanë qajtur baraz me neve dhe na thonin: “Edhe ne nuk e dijmë a shpëtojmë, edhe ne kemi lënë fëmijët te shtëpia!” Mandej, na thanë: “Uleni e pushoni”.

Këta dy policë, na kanë pyetur a keni para për të paguar dy autobusë për udhëtim. Ne ua gjejmë autobusët, të cilët do të ju çojnë deri në Shtime. Për fat të mirë, ka qenë gruaja e Fehmi Alush Beqajt, Hava e cila i ka dhënë 100 marka gjermane për një autobusë dhe Halili i Slivovës gjithashtu i dha 100 DM tjera për autobusin tjetër. Rreth orës 16:00, dy policët i sollën dy autobusë dhe na kanë përcjellë derisa kemi hipur të gjithë refugjatët. Autobusët u mbushën përplotë, ku shumica mbetën në këmbë. Na kanë sjellë deri te Kryqi i Belincit, në hyrje të Shtimes. Nga aty, jemi nisur teposhtë drejt qytetit. Nuk kemi guxuar të ecim rrugës së asfaltuar por rrëzë saj nëpër gropa. Ndërkohë kanë ardhur përpjetë nja dy-tri vetura të policisë “Zaztava 101”. Kishin qenë me dyer të hapura dhe në lëvizje kanë gjuajtur. Prej të shtënave, paniku na hyri të gjithëve në palcë të kurrizit. Të gjithë kemi rënë përtoke për të shpëtuar. Një kohë qëndruam të shtrirë deri sa nuk janë parë më forcat armike. Ikën në drejtim të Belincit. Mandej, jemi ngritur me kujdes të shtuar dhe kemi vazhduar rrugën duke u lëshuar tatëpjetë.

Në Shtime, një pjesë e kolonës kanë hyrë në rrugën që të çon në fshatin Godanc, kurse pjesa tjetër kemi vazhduar nëpër rrugën kryesore të qytetit. Te kryqëzimi i rrugëve kemi shkuar në drejtim të Ferizajt duke kaluar sipër urës së madhe. Pastaj, në të majtë kemi hyrë në rrugën që tash quhet “Jetë Hasani”, meqë kishim planifikuar të shkojmë në fshatin Rashincë. Kemi qenë rreth 50-60 veta që ecnim në kolonë. Dikur nisi të errësohet. Pas gjithë atyre rreziqeve dhe vuajtjeve të mëdha, kur kemi mbërri te shtëpia e haxhi Sinan Tërshanës, ai ka dalë dhe na ka strehuar të gjithëve brenda shtëpisë së tij. Na ndajti në dy grupe. Disa na ka dërguar te shtëpia e djalit të tij, Mehdi Tërshana dhe të tjerëve në shtëpi të vet. Aty disa janë pastruar komplet, kurse disa kanë pastruar vetëm këmbët. Na kanë dhënë bukë të gjithëve, me të gjitha gjërat e mundshme.

Kishte pasur ushqim të llojllojshëm. Madje, ka sjellë edhe qumësht për fëmijë. Duke ngrënë na merrte gjumi saqë disa nga fëmijët nga lodhja e madhe kanë fjetur përmbi sofër. Më pas na ka dërguar në një odë të madhe që ishte pranë sokakut, ku kemi fjetur bashkërisht nëpër dyshekë. Pak pa fjetë, aty na kanë sjellë një kantë me ujë. Atë natë, haxhi Sinani nuk kishte bërë asnjë sy gjumë duke u kujdesur për neve. Gjithashtu kishte pasur bombardime të fuqishme nga aeroplanët e NATO-s, të cilët kishin goditur në Kodrën e Gështenjave, mbi qytetin e Shtimes. Në këtë vend, prej kohësh ishin të pozicionuar forcat serbe. Ne nga lodhja e madhe asgjë nuk kishim dëgjuar.

Të nesërmen, më 14 maj 1999 kemi ngrënë mëngjes te familja e haxhi Sinanit dhe çka ka qenë më e mira, të gjithëve na kishte pastruar çorapët, të cilat i kemi mbathur të pastra. Mandej, haxhi Sinani e ka porositur një qerre me kuaj për të moshuarit dhe fëmijët për t’i bartur deri në Rashincë, kurse ne të rinjtë kemi ecur në këmbë. Në Rashincë jemi vendosur secili te farefisi i vet, kurse ne u vendosëm te familja e burrit të hallës sonë, Haki Sherif Qorrolli. Këtu kemi qëndruar së paku dhjetë ditë dhe familja jonë deri vonë nuk ka ditur asgjë për fatin tonë.

Forcat serbe, më 15 maj 1999, në fshatin Belinc, te pika e karburantit të Fehmi Alush Beqajt kishin vrarë, Behram Bajram Bajramin (1954) nga fshati Kraishtë e Lipjanit. I ndjeri kishte qenë duke shkuar në fshatin Rancë për mësuar diç lidhur me fatin e djalit të tij 21-vjeçar, Gëzim Bajrami, i cili vetëm 17 ditë më parë (29 prill 1999), kishte rënë në pritën serbe mbi malet e fshatit Reçak, te vendi i quajtur “Guri i Bagdashit”. Mandej, forcat serbe trupin e pajetë të Behramit e varrosin në varrezat e qytetit të Shtimes, të cilin pas luftës familjarët e kanë zhvarrosur dhe rivarrosur në Kraishtë.

Në ditën e 53-të, më 15 maj 1999, aeoroplanët e NATO-s me disa predha kanë goditur zonën midis fshatit Carralevë dhe selisë komunale të Shtimes. Me këtë rast, aeroplanët bombardues kishin goditur një pikë kontrolli të policisë serbe në fshatin Carralevë, ku ishin vrarë tre pjesëtarë rezervë të MUP-it të Serbisë:

  1. Predrag Borisav Mitić (1953), nga Novosella (Viti),
  2. Đorđe Dragutin Ristić (1948), rreshter i vjetër i klasit të parë nga Toponica (Kamenicë),
  3. Vasilije Dragutin Stanković (1973) nga Devaja (Viti).

Nga e gjithë kjo që përshkruhet më lartë nga dëshmitarët, mund të konkludojmë se ishte fat i madh që Aleanca Veriatlantike NATO ka intervenuar shpejt me sulme të furishme ajrore kundër caqeve serbe sepse përndryshe fshati Rancë ishte rrezik të shndërrohej në një Sebrenicë të dytë në Evropë, ku atje në korrik të vitit 1995 u vranë 8372 myslimanë boshnjakë.

Pas përfundimit të ofensivës serbe, më 14 maj 1999, ish-kapiteni i armatës jugosllave, respektivisht komandanti i Brigadës 125, Nehat Basha së bashku me 16 ushtarët e vet dhe me dy gazetarët francezë nga fshati Rancë kalojnë në territorin e Zonës Operative të Pashtrikut, të cilët i kishte lënë në Kleçkë, me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çekun. Ndërkaq, më 13-14 maj njësitë ushtarake të ZON-së bashkë me ushtarët e Batalionit të 60-të rikthehen triumfalisht në të gjitha pozicionet e mëparshme. Pas tyre kthehen komplet personeli shëndetësor së bashku me ushtarët dhe civilët e plagosur dhe vendosen në Spitalin Ushtarak në Mollopolc, gjegjësisht në shtëpinë e Avdyl Shaban Isufajt. Mirëpo më parë, spitali në fjalë ishte në shtëpinë e Ali Osman Roshajt.

Për dëbimin e popullsisë së pafajshme shqiptare si dhe veprime të tjera çnjerëzore (zhvendosje të dhunshme), vrasje, përndjekje mbi baza politike, racore dhe fetare në zonën e jugut të Kosovës, ku gravitojnë komunat: Ferizaj, Shtime, Shtërpcë, Viti, Suharekë dhe Kaçanik, përgjegjës për operacionet luftarake të pjesëtarëve të Brigadës së Mekanizuar 243 në Ferizaj, ishte koloneli Krsman Jelić nga Podujeva, tash nga viti 2002 gjeneralmajor në pension në Serbi. Shumë prej tyre kanë kryer vepra kriminale gjatë luftimeve, fillimisht duke plaçkitur sendet me vlerë, pastaj duke djegur e shkatërruar shtëpitë e banimit dhe objektet e tjera përcjellëse. Njëri nga ta që shquhej për krimet e bëra ndaj shqiptarëve, ishte togeri Miloš Ristić, i cili ka komanduar njësinë e tij, në zonën e Maleve të Jezercit dhe për krimet e bëra gjatë luftës, ai në Serbi është shpërblyer me gradën e kapitenit. Kjo brigadë gjithashtu është mbështetur nga pjesëtarët e përbërjes së saj rezervë nga Trsteniku, Nishi, Leskovci, Krushevci dhe nga treva e Kosovës. Pas luftës, për krimet e kryera ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare në Kosovë, në Serbi është shpërblyer Brigada e Mekanizuar 243, së cilës iu dha çmimi: Urdhëri i Flamurit të Luftës.

Në mesin e barbarëve serbë që vepronte kundër popullsisë civile shqiptare, bënte pjesë edhe pylltari nga Shtimja, Čedomir Aksić, të cilin më 12 maj 1999 e kishte identifikuar, Bajram Musli Hysenaj nga Petrova. Ai, në vendin e quajtur “Lugu i Neshës” e kishte njohur dhe parë atë të veshur me uniformën policore që vepronte si rezervist i MUP-it të Serbisë.  Gjithashtu, në vendin e krimit është gjetur një portofol zyrtar me numër F 026789, me fotografi të policit serb, Željko Marinković, pjesëmarrës i ofenzivës serbe në këtë rajon. Ky dokument ende ruhet në Muzeun Historik në Shtime si dyshmi e krimeve serbe ndaj popullatës civile shqiptare.

P.S. Të ndjerit të lartpërmendur, Behram Bajrami, vetëm 11 ditë më vonë, më 26 maj 1999, në ora 3:00 të mëngjesit, kriminelët serbë ia vrajnë edhe djalin tjetër në Kraishtë, Lulzim Bajramin (17-vjeçar), ku bashkë me te, atë ditë ishin vrarë edhe tre bashkëvendas të tij si dhe dy vëllezërit nga fshati Carralevë: Arsim Ismet Latifi (26-vjeç) dhe Afrim Ismet Latifi (29-vjeç).

Sqarim: Në fotografinë e publikuar shihet një pjesë e lagjes Hysenaj në Petrovë e bërë shkrumb e hi, më 24 gusht 1998 nga barbaria serbe. Fotografia në fjalë, është realizuar nga miku im, Bashkim Mehdi Hysenaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…