Ranë këto zgjedhje, e ç’na dëgjuan veshët!
Anisa Bahiti
Këto janë zgjedhjet më të çuditshme që nga viti 1991 e deri më sot. Nëse 4 vite më parë pati votime dhe jo zgjedhje, kete radhë ka një fushatë e cila është nga fillimi deri në fund tragjikomike.
Së pari; në këto zgjedhje kemi parë vetëm një kandidat me program ai i Vulës (PD) në Tiranë, i cili i ardhur nga Lazarati dhe i studiuar në Francë për Administratë Publike, mesa duket është i vetmi që është kujtuar që në zgjedhje duhet një program.
Ka bërë një broshurë të shkruar mirë, por të cilën se lexon askush, maksimumi që e pyesin te gjorët qytetarë që se njohin Kodin Zgjedhor, është “mir mor bir, po ti me Berishën je’? E ai i përgjigjet se është kundra Edi Ramës, Erion Velisë dhe Ilir Metës se këta janë së bashku, e qytetari prapë i thotë ‘e mora vesh, e mora, po ti me Berishën je…?
Situata groteske vazhdon me dy kandidatët e tjerë të Tiranës. Këta i kanë zhdukur emrat e tyre nga fushata, mileti i njeh njërin si Lali e tjetrin si Belo (në Elbasan në kohën e Isuf Myzyrit Belo quanin një lloj tjetër mashkulli). Përballë janë, njëri që premton urbanin falas e tunel në sheshin ‘Skënderbej’.
Se ç’kanë këta të rinjtë kur hyjnë në politikën shqiptare! Të gjithë ‘tunel’ duan të bëjnë, kështu donte dhe Majko dikur ta lidhte Italinë me Shqipërinë me tunel!
Ia pret ai tjetri që është përballë Belos, i cili duket sikur është kandidat për ‘Festivalin e Këngës në Sanremo të Italisë’. Rreshton një dyzinë këngëtarësh të cilët shpjegojnë pa këngë pse duhet të votojnë Lalin!
I mërzitur Belo del me një foto nëpër tërë Tiranën duke lebetitur dynjanë me dy gishtat e mesit lart, dhe duket sikur e di dhe vetë se ato dy gishtat do marrë në zgjedhje!
I pamjaftuar kandidati përballë Belos del e i qan hallin ‘Doktorit’ pse ngeli i vetëm në stadiumin e (Malavitës) kështu e quante dikur, ndërkohë që fushata po vjen drejt fundit e asnjë fjalë për programe, produkte dhe afate, mesa duket edhe këto zgjedhje Tirana, me “tramin e Lulit” do përfundojë.
Situata nuk është më pak groteske dhe në kampin politik kombëtar. ‘I gjati’, d.m.th Kryeministri, këtë herë e ka nisur dhe po e bitis me këngë dhe valle nga Tit Vullkani i lagjes së Romëve të Elbasanit. Ta dinte Tit Vullkani që do bëhej kaq i famshëm, do kishte bërë vete parti te minoritet që përfaqëson e do bëhej deputet. Po ku i dihet, i ri është, bën vaki e ndodh!.
Në anën tjetër ndodhet ‘Doktori’ 80- vjeçar që do ngelet i famshëm në këtë fushatë teksa i fliste stadiumit të ‘mbushur’ bosh për programin e tij politik në shpëtim të ‘Shqipërisë së Tij imagjinare’ edhe për një 30-vjeçar tjeter a thua se nuk ka qenë këtu që nga vitet 90′ e këtej.
Nuk mjaftojnë këto, por janë perlat politike të kandidatëve nëpër bashki. Njëri nuk lexon dot as fjalimin që i kanë shkruar për hapjen e mitingut të tij, tjetri premton arkivol falas. Kemi dhe perlën e perlave në këtë fushatë. Nr. 2 i Partisë së “djathtë” të Berishës është deklaruar në KQZ si Deputet i Partisë Komuniste për të kandiduar në Tiranë një komunist e t’i heqë vota Veliajt.
Komedia vazhdon me të vetmen garë reale të këtyre zgjedhjeve, cilës parti i përket ‘Luizi i Big- Brotherit’. Partia e Berishës i kujton se ka detyrime me partinë ‘mëme’ e cila e bëri konsull 23 vjeç në Paris e më tej Noter vetëm pse ishte dhëndër i Partisë dhe i Shtetit. Partia në pushtet i kujton se çmimi i suksesit dhe fama ne Big- Brother kalon nga Rilindja. Ndërkohë Luizi ka një zgjidhje tërësisht të vetën, tamam ” Shkodran të tana i ban” ai do bëhet me Benet Becin kandidatin e Rilindjes në Shkodër i cili është fiks si Luizi 8 vjet drejtor me Berishën e më tej kandidat për Deputet, e sot pas 10 vitesh e gjen veten udhëheqës dhe “besnik i Partisë dhe i Popullit”.
Ndërkohë, ca muhabete të tjera, si varfëria, çmimet, papunësia, mungesa e investimeve e shumë e shumë ankesa të tjera do i dëgjojmë pasi të mbarojnë zgjedhjet, kur të ngrihet prapë Euro e të dobësohet leku, deri atëhere kemi Big Brother e Tallava!
3 Maj 2023
Bahiti Anisa ✍?