Ranglista e re e FIFA-s, kështu renditen Kosova dhe Shqipëria
FIFA e ka publikuar të enjten renditjen e re të kombëtareve, pak ditë pas përfundimit të Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”.
Në këtë ranglistë, Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie për një pozitë, ndërsa tash e sheh veten në vendin e 106-të me 1203.16 pikë, përpara Guatemalës dhe prapa Madagaskarit.
Dardanët ishin mposhtur nga Norvegjia me rezultat të thellë 0:3, në miqësoren e qershorit, e fundit para Ligës së Kombeve, e cila do të nisë në muajin shtator.
Ndërsa Kombëtarja e Shqipërisë, e cila ka marrë pjesë në “Euro 2024”, nuk ka lëvizur nga vendi, është e 66-ta me 1375.49 pikë, përpara Burkina Fasos dhe prapa Kepit të Gjelbër.
Kuqezinjtë janë mposhtur nga Spanja e nga Italia, ndërsa kanë barazuar me Kroacinë në fazën e grupeve të Evropianit.
Renditjes së përgjithshme vazhdon t’i prijë fituesja e freskët e “Copa Americas”, Argjentina, e ndjekur nga Franca.
Kurse, kampionia e re e Evropës, Spanja ka përparuar për pesë pozita duke përfunduar në vendin e tretë, e ndjekur nga nënkampionia evropiane, Anglia, e cila ka përparuar për një pozitë.
Rënie ka pasur Brazili, i cili ka dëshpëruar në “Copa America” dhe tash e sheh veten në vendin e pestë.