Rapid Bukureshti krenohet me treshen ‘dardane’
Klubi rumun, Rapid Bukuresht është krenar dhe mburret me lojtarët nga Kosova, të cilat janë yjet më të mëdhenj të skuadrës. Rapid Bukureshti po përjeton një formë të lartë me katër fitore radhazi në Superligën e Rumanisë.
Klubi nga kryeqyteti është në vendin e dytë me 45 pikë dhe po rivalizon në luftën për titull me liderët e FCSB me 54 pikë. Kjo formë e mirë dhe renditja në vendin e dytë është edhe falë yjeve nga Kosova, të cilët po kalojnë në formë të lartë. Albion Rrahmani e nisi në mënyrë të përkryer sezonin me 6 gola nga 7 ndeshjet e para, por u ndalë nga një lëndim që e mbajti jashtë fushave për disa muaj. Megjithatë, pas rikthimit, sulmuesi llapjan ka shënuar edhe dy gola tjerë nga katër ndeshje, duke qenë lojtari kryesor i Rapidit.
Në afatin kalimtar të janar, klubi rumun transferojë edhe dy yje tjerë nga Kosova, Ermal Krasniqin nga CFR Cluj dhe Florent Hasanin nga Tirana.
Ermali shpejt u bë pjesë e formacionit titullarë duke luajtur tri ndeshje dhe shënuar një gol. Edhe Hasani ka filluar menjëherë t’i marrë minutat e vet duke luajtur në dy ndeshje titullar dhe duke dhuruar një asistim. Forma e mirë dhe prejardhja nga vendi i njëjtë ka bërë që Rapid Bukureshti t’u kushtojë një postim të treve së bashku. “The Kosovar Gang” apo në shqip “Banda kosovare”, ka shkruar klubi rumun në postimin e tyre në rrjetin social “Facebook”. /Telegrafi/