RAPORT NGA KOSOVA 1999

02 shkurt 2021 | 09:55

LULZIM TAFA

 

RAPORT NGA KOSOVA 1999

 

Këtu nuk shkelen të drejtat

Dhe liritë e njeriut

Këtu shkelen vetëm kokat

 

ASFALTI MBI ESHTRA

(Fëmijëve të pagjetur të luftës në Kosovë)

 

Batajnica

Rashka

Rudnica

Asfalti si qefin

Mbi eshtrat e butë të fëmijëve

Megjithatë

Autoritetet atje

E kanë një të mirë

Janë trima

Hiq nuk i tuten Zotit

 

ATMOSFERË LUFTE

 

Në Kosovë atë ditë

U shtrenjtua buka

Vaji

Mielli

Sall jetës i ra

Çmimi

 

Vdekje

Kishte me bollëk

 

(1998)

 

REPORTAZH I LUFTËS SË SHENJTË

 

Ne robërit e luftës ikim përpjetë

S’e dimë ku jemi nisur

As ku arrijmë për dritë ta na ndjekin na vënë në rreth

Ata me këpucë e dhëmbë të hekurt lufte

Ne të zbathur të uritur të parruar

Një javë të palarë me flokë të telta

Fije-fije

Shpirtin, përtypim zhgënjimin

Pështymë copat e fatit të përgjakur

E droçka të gjalla na janë ngjitur gjuhës

Ato flasin ne heshtim, biem në rreth

më në fund ngremë duart lart

i dorëzohemi

ujkut

biem në mëshirën e tij

të dhëmbëve të syrit të tij të shqyer

sytë tanë rriten

tre dhunues i rrinë sipër një gruaje

ç’betejë e pabarabartë e fatit

para syve tanë porno e gjallë shfaqet

mund ta shohin edhe fëmijët e mitur

që gjenden në rresht, krejtësisht ftohtë rrimë

ereksioni i seksit s’na nxitet dot

na kaplon ereksioni i vdekjes

e mjera ti o grua e mirë, më në fund

mish i gjallë e thua, shpëtuam, u zgjuam

lufta kishte shkuar në tjetër jetë

dhe trimat e malit me fletë

 

(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
a parashikuar çuditërisht shumë nga ngjarjet që po ndodhin: Zgjedhjen…