RAPORTET ARSIMORE, SHKENCORE DHE KULTURORE NDËRMJET SHQIPËRISË DHE JUGOSLLAVISË NË PRAG TË DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981

11 mars 2020 | 15:25

Prof. dr. Begzad Baliu

Hyrje

Në fund të viteve ’70, marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare, shënonin majat e marrëdhënieve politike të tyre. Në të vërtetë, marrëdhënie të mira në shkallë të muajit të mjaltit, kur Enver Hoxha dekorohej me urdhër të lartë jugosllav, ishin shënuar menjëherë pas Luftës së Dytës Botërore, por për ne, në këtë rast, këto marrëdhënie nuk paraqesin ndonjë veçori të caktuar për faktin se bëheshin duke i tejkaluar interesat e ‘vogla’ të Kosovës e madje edhe të ndonjë rëndësie më të veçantë të gjendjes së popullit shqiptar në ish-jugosllavi, e kjo do të thotë mbi disa parametra ideologjikë të Bllokut socialist dhe mbi disa parametra të tjera vëllazërore mes dy vendeve fqinje.

Ishte bërë më shumë se një dekadë kur Shqipëria kishte dalë nga Pakti i Varshavës, ndërsa Kosova nga një kryqëzatë e përndjekjeve të përhershme dhe të drejtpërdrejta të Klanit Rankoviqist. Në ndërkohë Shqipëria kishte mbyllur edhe marrëdhëniet e pashembullta me Lindjen (Bashkimin Sovjetik dhe Kinën) dhe kërkonte miq në zonën Qendrore të Evropës, ndërsa Kosova ishte avancuar me përmbajtje juridike dhe qëndronte mes brezit të politikanëve të moderuar dhe Lëvizjes ilegale, si mes kullës e çekanit, duke bërë përpjekje ta bënte avancimin e saj politik, juridik dhe pragmatik njëkohësisht.

Në këtë rrjedhë shënohet edhe një avancim i veçantë i marrëdhënieve me Shqipërinë. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës Ymer Jaka, me ftesë të ministres së Arsimit e të Kulturës të RPS të Shqipërisë, TeftaCamit, prej datës 25 deri më 30 dhjetor të vitit 1979 i bën një vizitë pune RPS të Shqipërisë, ndërsa nga data 6 deri më 10 tetor 1980 ministrja e Arsimit dhe Kulturës të RPS të Shqipërisë, Tefta Cami, i bëri një vizitë kthimi Kosovës.

Sot nga prizmi i pamjes së largët të këtyre marrëdhënieve mund të shtrohet pyetja, vizitat e ndërsjella, ishin një vazhdimësi e marrëdhënieve të vjetra jugosllavo-shqiptare, një nismë e re e këtyre marrëdhënieve fqinjësore, apo një koncept pragmatik i qeverisë shqiptare ndaj Kosovës. Cilat ishin platformat e këtyre bisedimeve, në nivel të realizimit të tyre nga partnerët e Kosovës, cili ishte vlerësimi i politikës jugosllave dhe cila ishte prapaskena e këtyre marrëdhënieve, sipas dokumenteve të proveniencës kosovare dhe ish-jugosllave.

Kërkesat e gjëra dhe përmbajtja e rrudhur e dokumentit të Kosovës

Shikuar nga përmbajtja e dokumenteve për bisedime, atyre që janë diskutuar në institucionet e Kosovës dhe atyre që janë paraqitur gjatë bisedimeve në Tiranë, nuk është vështirë të shihet numri shumë i madh dhe shumë përbërës i kërkesave për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe numri modest dhe përgjithësues i paraqitjeve të tyre në Tiranë, në dokumentin zyrtar. Dysia e dokumenteve jozyrtare dhe zyrtare të Qeverisë së Kosovës do të mund të shihej edhe nga aspekti politik. Dokumenti jozyrtar i përfaqësuesit të Kosovës kishte edhe disa përbërës politikë dhe ideologjikë që kishin të bënin me emrin e Titos, politikën e të painkuadruarve, madje vërejtjet në margjinë për disa deklarata të ministres shqiptare mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, si dhe të sjelljes së ambasadorit shqiptar në Beograd, ndërsa dokumenti zyrtar përbërësit e tillë i mënjanon në bisedime, por i rishfaq në dokumentin tepër sekret të Diskutimit në Beograd.

Bashkëpunimi kulturor, arsimor dhe shkencor midis institucioneve të KSAK me ato të RPS të Shqipërisë po zhvillohet me kontinuitet që nga viti 1968, thuhet në fillim të këtij dokumenti. (Platforma e bisedimevetë delegacionit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSK të Kosovës me Ministren e Arsimit e të Kulturës të RPS të Shqipërisë. Varianti i parë i tekstit të diskutuar. Botohet për herë të parë.)

Ky bashkëpunim është pjesë integrale e marrëdhënieve të vendit tonë me RPS të Shqipërisë. Bashkëpunimit me vendet fqinje i kemi kushtuar gjithnjë vëmendje të posaçme, prandaj vendi ynë në këtë drejtim është angazhuar vazhdimisht. Krahina Socialiste Autonome e Kosovës bashkëpunimit në fushën e arsimit e të kulturës me RPS të Shqipërisë i ka dhënë dhe i jep rëndësi të posaçme për shumë arsye. Në suazat e marrëdhënieve të përgjithshme të KSAK me RPSSH, bashkëpunimi në fushën e kulturës, të shkencës, të arsimit dhe të kulturës fizike zë një vend të veçantë. Këto marrëdhënie kanë shënuar një tendencë të vazhdueshme zgjerimi, thellimi dhe diversifikimi. Gjatë dy vjetëve të fundit bashkëpunimi ka shënuar intensifikim të dukshëm. Me iniciativat e të dyja palëve janë kërkuar vazhdimisht forma të reja bashkëpunimi, janë bërë përpjekje për përsosjen e trajtave të bashkëpunimit të vazhdueshëm në disa fusha veprimtarie dhe në nxitjen e iniciativave të reja në të mirë të të dyja palëve. (…) Format e ndryshme të bashkëpunimit janë zhvilluar nëpërmjet kontakteve të institucioneve tona kulturore, arsimore, shkencore dhe të edukatës fizike e sportit në institucionet gjegjëse të RPS të Shqipërisë. Si rrjedhim i intensifikimit të marrëdhënieve midis një pjese të institucioneve respektive është ndjerë nevoja e lidhjes së marrëveshjeve dhe protokolleve të bashkëpunimit reciprok. Deri tani janë nënshkruar pesë marrëveshje të këtilla:

Marrëveshja ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Shtetëror të Tiranës

Në fushën e arsimit e të kulturës, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis Universitetit të Tiranës dhe atij të Prishtinës, në bazë të protokolleve të nënshkruara për çdo vit shkollor, janë këmbyer një numër i caktuar profesorësh, asistentësh dhe bashkëpunëtorësh nga të dyja palët për mbajtjen e leksioneve, për kërkime shkencore dhe për mbajtjen e ligjëratave nga lëmenj të ndryshëm të specializimeve përkatëse.

Punonjësit e të dyja universiteteve kanë bërë edhe një varg ekspeditash në terren për studimin e gjuhës e të folklorit nga studiues, madje jo vetëm të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, po edhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Institutit Albanologjik të Prishtinës, Institutit të Historisë së Kosovës etj. Një kontribut të konsiderueshëm për zhvillimin e Universitetit tonë e kanë dhënë punonjësit e Universitetit të Tiranës për ato fakultete tona, të cilat nuk i kanë pasur kuadrot e duhura, sidomos në fushën e shkencave ekzakte, siç janë fakultetet e teknikës e të medicinës, si edhe për studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik në degët e albanologjisë e të historisë. Kush nuk i kujton sot ligjëratat e profesorëve të shquar Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Aleks Buda etj., të cilat nuk i ndiqnin vetëm studentët e kurseve, po edhe qytetarët e fushave të tjera të dijes: mjekë, inxhinierë, kulturologë dhe intelektualë të tjerë. Analistë dhe njohës të tjerë të historisë diplomatike hapjen e dyerve studiuesve dhe profesorëve nga Tirana, e kanë shpjeguar këtë si një përpjekje të politikës jugosllave për të krijuar një imazh të saj brenda shoqërisë shqiptare, për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, por ndodhi e kundërta. E para, në Kosovë kurrë nuk ishin shuar dashuria dhe respekti për Shqipërinë dhe shqiptarët si një tërësi, pavarësisht gjendjes ideologjike dhe përkatësisë politike. E dyta, profesorët që vinin në Kosovë, më parë sesa të sillnin simbole ideologjike të proveniencës komuniste shqiptare, rininë shqiptare e ushqenin me simbole të karakterit historik dhe nacional shqiptar.

Marrëveshja ndërmjet Redaksisë së Botimeve të “Rilindjes” në Prishtinë me Ndërmarrjen e Librit e të Filmit të RPSSH-së në Tiranë

Pas vitit 1968, kur filloi shkëmbimi i parë i botimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, në Prishtinë janë botuar vepra të autorëve bashkëkohës shqiptarë, të cilat madje nuk botoheshin as në Shqipëri. Në Kosovë botoheshin edhe vepra si “Nga jeta në jetë – Pse?!”, e cila nuk shënohej as në bibliografinë e SterjoSpasses, kompleti i veprave në dhjetë vëllime të PetroMarkos, i cili në Tiranë ishte zyrtarisht gjysmë i ndaluar, botimi ekskluziv i veprave të Eqrem Çabejt, të cilat për nga vlera dhe cilësia i tejkalonte botimet ekskluzive të botimit, reklamimit dhe vlerësimit në shtypin e kohës edhe në krahasim me veprat e shefit të shtetit. (Shih, veç të tjerash, kronikën e gazetarit MehmetKraja nga Panairi i Beogradit, “Prezentim i sasisë dhe i cilësisë”.Rilindja, Pri­shtinë, 27.10.1978: 11. Mbititull: NGBG “Rilindja” në Panairin Ndërkombëtar në Beo­grad. Nëntitull: Vepra e Titos, kompleti i veprave të Çabejt dhe kompleti i Mi­gjenit ndër librat më reprezentativë të panairit); një situatë të cilën nuk e gjejmë në të njëjtën kohë në Shqipëri, botime kritike dhe projekte shkencore të institucioneve shkencore, arsimore dhe letrare (për SterjoSpassen, Petro Markon, Eqrem Çabejn, DritëroAgollin, Fatos Arapin, Ismail Kadarenë etj.), të cilët as përafërsisht nuk e gëzonin këtë përkushtim në institucionet arsimore, shkencore dhe kulturore të Tiranës, ndonëse shumë prej tyre konsideroheshin bartës të politikave kulturore, shkollave shkencore, apo edhe koncepteve ideologjike brenda dhe jashtë shtetit shqiptar.

Ndryshe ndodhte me botimet e shkrimtarëve, studiuesve, kritikëve dhe përfaqësuesve të krijimtarisë letrare të Kosovës në Shqipëri. Numri i vogël i vëllimeve të botuara, si dhe përfaqësuesit dhe tekstet e tyre në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë mendimin shkencor, historik, letrar dhe krijues e kulturor të horizontit më të lartë që arrihej në Prishtinë. Ndonëse në revistën e përmuajshme “Nëntori”, që në vitet ’60, ishte krijuar një kaptinë me vete me krijime të zgjedhura të shkrimtarëve kosovarë, botimi i autorëve të zgjedhur dhe vëllimeve me krijime e studime filloi të botohet në shkallë modeste vetëm në vitin 1970, kur u botuan dy antologjitë e para të poetëve dhe prozatorëve kosovarë dhe romani “Malësorja” i NazmiRrahmanit, si dhe nga viti 1972 kur u botuan tri përmbledhjet e para me poezi me autorë Azem Shkrelin, Din Mehmetin dhe AliPodrimjen, për të vazhduar çdo vit me nga një antologji dhe me vëllime të zgjedhura nga RrahmanDedaj, Agim Vinca, Enver Gjerqeku, Fahredin Gunga, Rexhep Hoxha, Vehbi Kikaj, Qerim Ujkani, Edi Shukriu, DautDemaku, HivziSulejmani, Ramiz Kelmendi, MuratIsaku, ArifDemolli, RifatKukaj, JosipRela dhe Ekrem Kryeziut.

Është për të theksuar se nëse poezia është zgjedhur me përkushtim më të madh, ndërsa proza në mënyrë të kufizuar, kritika, sigurisht për shkak të metodës që përjashtonte realizmin socialist, ishte përjashtuar plotësisht. Sikur dihet, letërsia në Kosovë, përgjithësisht, me kohë e kishte përjashtuar konceptin ideologjik të realizmit socialist, ndërsa shkolla e atjeshme po përpiqej edhe më tej ta avanconte shkollën teorike të saj, prandaj është e kuptueshme pse nuk botoheshin veprat më të mira të letërsisë që krijohej në Kosovë, por disa autorë dhe botimet modeste në fushë të prozës (Anton Pashku, ZejnullahRrahmani, JusufBuxhovi, MehmetKraja, Teki Dervishi etj.) dhe sidomos kritikës (Rexhep Qosja, AliAliu, Agim Vinca, Sabri Hamiti, Ibrahim Rugova, SefedinFetiu etj.).

Shembull i ndrojtjes politike ndaj mendimit ‘nacionalist’ dhe ‘modern’ të shqiptarëve në ish-Jugosllavi nuk është vetëm mosbotimi i veprave të IdrizAjetit, Rexhep Qosjes, AliHadrit dhe brezit të tij e të pasardhësve të tyre që gjithashtu kishin bërë emër në këtë kohë, por është botimi i censuruar i veprës së etnologutMark Krasniqi, Gjurmë e gjurmime (1978). Ndryshe nga botimi i Prishtinës, që me gjithë kritikën i kishte qëndruar mendimit të tij, vepra e tij në Tiranë censurohej, siç më thoshte një mik në Tiranë, “për të mos nxitur keqkuptimet me jugosllavët”. Po këtë përgjigje kam marr nga kolegët në Tiranë, që në vitin 1992, në pyetjen: pas vitit 1981 dy vjet me radhë mungonin botimet e serisë Shkrimtarë kosovarë. (Antologjitë: Për ty, poezi nga Kosova, përmblodhi dhe redaktoi Pandeli Koçi, 1970: 124; Rrëfimi i njeriut me samar, tregime nga Kosova, 1970; E di një fjalë prej guri, poezi nga Kosova, redaktuar nga Pandeli Koçi, 1972: 264; Toka e përgjakur, shkrimtar nga Kosova, tregime, 1972; Letrat dhe gjethet, tregime nga shkrimtarë të Kosovës, 1976; Heshtja e një kohe, poezi nga Kosova, 1976; Vendlindja ime, vjersha të poetëve nga Kosova, 1980: 135. Vëllimet me poezi: AliPodrimja, Thirrje, 1972; Din Mehmeti, Mallkimi i gjakut, 1972; Azem Shkreli, Poezi, 1972; RrahmanDedaj, Nuk e kam thirrur shiun, 1975: 94; Agim Vinca, Në vend të biografisë, 1977, 95 f; Enver Gjerqeku, Gjurmëve të jetës, 1972; Fahredin Gunga, Flaka e fjalës, 1976; Rexhep Hoxha, Lulet le të dalin, 1975; Vehbi Kikaj, Gurrat, 1977: 57; Qerim Ujkani, Gjaku im, 1980; Edi Shukriu, Poezi, 1980. Vëllimet me prozë:NazmiRrahmani, Malsorja, 1970: 256; Toka e përgjakur, 1975: 422; Rruga e shtëpisë sime, 1980: 356; DautDemaku, Plisat e kuq, 1971: 104; HivziSulejmani, Njerëzit, 1973: 328; Fëmijët e lumit tim, 1972: 213; Ramiz Kelmendi, Heshtja e armëve, 1973: 183; MuratIsaku, Rreckajt, Plagët; ArifDemolli, Ballkonet e një qyteze, 1980: 134; Pëllumbat e kujtimeve, 1984: 113; RifatKukaj, Minaku i përhimët, 1975: 108; Shkrepi i diellit, 1977: 108; Drama:JosipRela, Nita, 1973: 95; Ekrem Kryeziut, Epoka para gjyqit, dramatizim. Studimet: Mark Krasniqi, Gjurmë e gjurmime, 1978.) Në këtë rrjedhë më duket edhe sot absurde një fakt: si është e mundur që gjatë gjithë kësaj kohe nuk u botua as edhe një vepër e vetme e Adem Demaçit. Me jetën, me veprën dhe me konceptet politike atdhetare, e po të duhej ridimensionuar edhe ideologjike, Adem Demaçi qëndronte pranë Shqipërisë. I burgosur politik, ideologjikisht i përcaktuar me fytyrë nga Tirana, kombëtarisht i vendosur për të luftuar deri në vdekje, intelektualisht i përgatitur dhe i vetëdijshëm plotësisht për sakrificën e tij, autor i një romani dhe i një korpusi tregimesh që gjithashtu bënin një vëllim serioz, në mos më serioz se shumë romane dhe vepra tregimesh të realizmit socialist, nuk botohej dhe nuk u botua në Tiranë deri në fund të rënies së sistemit komunist; Adem Demaçi, i burgosur politik dhe personalitet i njohur në qarqet jugosllave, biografinë dhe veprimtarinë e të cilit me kohë mund ta gjeje në tekstet e botuara nga shtypi ilegal i Kosovës dhe nga Lëvizja Ilegale përgjithësisht në Kosovë dhe diasporë; Adem Demaçi, jetëshkrimi i të cilit shquhej dhe respektohej madje nga e majta dhe nga e djathta e shqiptarëve në Evropë dhe Amerikë, në Tiranë bëhej i paqenë; Adem Demaçi, që me veprën e tij kishte prekur dy nga plagët më të rënda historike – kombëtare: gjakmarrjen dhe shpërnguljen, në vend se të botohej, të botohej në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, në Tiranë heshtej!

Ndonëse edhe më parë kishte një marrëveshje mes Rilindjes së Prishtinës dhe Ndërmarrjes së Librit dhe Filmit në Tiranë për importimin e një sasie librash mes Tiranës dhe Prishtinës, gjatë qëndrimit të delegacionit të Kosovës në Tiranë, pikërisht në këtë temë paraqiten fërkime të thella.

Gjatë qëndrimit tonë në Tiranë, thuhet në raportin tepër sekret të delegacionit të Kosovës për Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë Federale, u ngrit çështja e kthimit të librave që institucionet e ndryshme ua kishin dërguar pa porosi individëve dhe institucioneve të KSAK-ut. Këtë çështje së pari e kishte ngritur Aleks Buda gjatë vizitës në Akademinë e Shkencave. Pastaj në formë më të ashpër, thuhet në Raport, e ngriti AnastasKondo gjatë udhëtimit jashtë Tiranës, ndërsa në formë edhe më të ashpër e ngriti TeftaCami, në darkën lamtumirëse, në bisedë me dr. Ymer Jakën. Po në këtë darkë këtë çështje ia ka hapur AbdurrahimPajazitit kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,DritëroAgolli.

Lidhur me këtë çështje, dr. Ymer Jaka ishte përgjigjur se “për ne është e pakuptueshme praktika që t’u dërgohen libra të paporositura institucioneve dhe individëve. Mbasi pala shqiptare insistonte në qëndrimin se kjo praktikë është normale, dr. Ymer Jaka shtoi se shkaku i kthimit të librave mund të gjendet lehtë edhe në strukturën e tyre, mbasi për ne është e papranueshme të na dërgohen vepra me karakter propagandistik, madje edhe të tilla që e fyejnë rëndë sistemin tonë të vetëqeverisjes socialiste, që e shtrembërojnë realitetin tonë dhe që përmbajnë fyerje brutale kundër kryetarit tonë të Republikës dhe të LKJ-së, shokut Tito. TeftaCami ishte kategorike në pohimin se libra të tilla nuk janë dërguar, ndërsa dr. Ymer Jaka u përgjigj se kemi prova të pamohueshme se midis librave të dërguara ka edhe të tilla për të cilat u bë fjalë më lart”.

Jo për ta mbrojtur ministrin e atëhershëm të Arsimit të Kosovës dr. Ymer Jaka, po për të thënë një të vërtetë shkencore, dua të theksoj këtu se gjatë kësaj kohe, pikërisht nëpërmjet adresave individuale të kërkuesve në Kosovë dhe të dërguesve në Tiranë depërtonte jo vetëm shtypi e veprat kryesisht letrare, po edhe veprat politike të drejtuesve politikë e institucioneve shtetërore të Tiranës. Duke iu referuar letërkëmbimit të pasur ndërmjet studiuesve nga Tirana dhe disa prej studiuesve dhe intelektualëve të Kosovës, që në një mënyrë apo një tjetër ishin përfshirë në Lëvizjen Ilegale të Kosovës, nuk është vështirë të kuptohet edhe roli i disa prej studiuesve të njohur në Tiranë që në pakon e veprave të tyre, revistave shkencore, romaneve, poezive, dramave, veprave historike dhe etnografike, vëllimeve me krijimtari popullore etj., shtinin edhe veprat e Enver Hoxhës, të Partisë së Punës, vëllimet e Kongreseve etj. Kërkues të tyre ishin veprimtarë të Lëvizjes Ilegale Kombëtare në Kosovë dhe shpërndarja e tyre mund të thuhet se bëhej në shkallë gjysmilegaliteti, ndërsa dërgues të këtyre veprave, shtypit dhe pamfleteve partiake e ideologjike, nuk ishin vetëm zyrtarët e shtypit e të propagandës në Tiranë, po edhe personalitetet e shquara të mendimit shkencor: shkencëtarë, shkrimtarë, artistë, sportistë etj.

Marrëveshja ndërmjet Radio Televizionit të Prishtinës me Radiotelevizionin e Shqipërisë

Në dokumentet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet Radio Televizionit të Prishtinës dhe Radiotelevizionin e Shqipërisë përfshiheshin edhe aspekte të bashkëpunimit të filmit dhe teatrove në të dy vendet. “Janë shfaqur pjesë teatrale të teatrove profesionale. Për realizimin e disa pjesëve teatrale në Teatrin Krahinor në Prishtinë kanë marrë pjesë regjisorët, skenografët dhe koreografët nga RPS e Shqipërisë. Një bashkëpunim i frytshëm është zhvilluar edhe midis Radiotelevizionit të Prishtinës dhe atij të Tiranës. Është bërë këmbimi i një vargu të tërë emisionesh, serish e filmash. Disa nga këto emisione, veçanërisht filat artistikë, RTV i Prishtinës i ka shfaqur për tërë rrjetin jugosllav”. Në të vërtetë në fushë të bashkëpunimit mes teatrove do të kujtohet gjatë realizimi i veprës së Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me regjisor nga Teatri Kombëtar i Tiranës dhe realizimi i dramës së Ekrem Kryeziut, Epoka para gjyqit, e cila qe pritur shumë mirë jo vetëm në Tiranë, po edhe në Prishtinë. Gjatë këtyre viteve shikuesit në Kosovë kanë përcjellë me interesim të shtuar programet e Radio Tiranës “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” dhe emisionin për “bashkatdhetarët”, si dhe programet televizive për festivalet e folklorit shqiptar, teatrin në ekran (të premteve), ndërsa Televizioni i Prishtinës pothuajse kishte emisione të rregullta me muzikë nga TVSH (të mërkurën) dhe nga fonoteka e filmit shqiptar (të premten).

Le të theksojmë se emisionet televizive, kryesisht ato të filmit dhe të teatrit, përcilleshin edhe me vlerësime profesionale nga shtypi i përditshëm i Prishtinës, ndërsa programet e zgjedhura dubloheshin edhe për shikuesit në gjuhën serbokroate.

Marrëveshja ndërmjet Akademisë së Shkencës e të Arteve të Kosovës me Akademinë e Shkencave të RPSSH

Se marrëdhëniet shkencore mes Kosovës dhe Shqipërisë kishin shënuar majat e bashkëpunimit dëshmon edhe numri i madh i projekteve të nënshkruara ndërmjet Akademisë së Shkencës e të Arteve të Kosovës me Akademinë e Shkencave të RPS të Shqipërisë.

Më 16. VI. 1979 në Prishtinë u nënshkrua Protokoll për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit kërkimor-shkencor midis Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë për vitet 1979 dhe 1980. Ky Protokoll përfshinte aktivitete të ndryshme në pesë fusha të dijes akademike dhe projekte të veçanta:

  • e para kishte të bënte me Shkëmbimin përvoje dhe konsultime, e kjo nënkuptonte hulumtimin në terren për projektet Atlasit dialektologjik i gjuhës shqipe dhe Korpusit të veshjeve popullore, të cilët hartoheshin nga Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, si përgatitjen profesionale të ekspertëve në fushë të mbrojtjes dhe restaurimit të monumenteve të kulturës, të arkeologjisë, të etnografisë dhe të antropologjisë;
  • e dyta kishte të bënte me Kërkime arkivale bibliografike, e kjo do të thoshte me këmbimin e punonjësve për kërkime disa javësh në fushë të bibliografisë;
  • e treta kishte të bënte me ekspedita shkencore, e kjo do të thoshte me kërkimet në terren në fushë të gjuhës dhe të antropologjisë, në fushën e së drejtës zakonore dhe të gjuhës;
  • e katërta me Ligjëratat, e kjo do të thoshte me dërgimin nga Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë të shtatë punonjësve shkencorë për të mbajtur referime shkencore për arritjet e fundit “në fushën e shkencave historike, të gjuhësisë, të letërsisë, të arkeologjisë, të studimeve ekonomike, të gjeografisë dhe të hidrometeorologjisë, si dhe për t’u njohur nga afër me arritjet e reja të shkencës dhe për të këmbyer mendime me punonjësit shkencorë në KSA të Kosovës”, dhe
  • e pesta, me Shkëmbim të literaturës shkencore, sipas së cilës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë marrin përsipër t’ia dërgojnë njëra-tjetrës rregullisht revistat dhe botimet e tyre të tjera shkencore, kopje të mikrofilmuara ose të fotokopjuara të botimeve të rralla dhe të dorëshkrimeve me interes shkencor, ta informojnë njëra-tjetrën për botimet shkencore që kanë dalë dhe dalin në RSF të Jugosllavisë dhe në RPS të Shqipërisë, në fusha të ndryshme të shkencave albanologjike dhe ballkanologjike.

Si fryt i këtij bashkëpunimi sigurisht do të realizohen dy projekte të mëdha: Konferenca për 500-vjetorin e Skënderbeut (1968) dhe konferenca për 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1978).

Marrëveshja e bashkëpunimit midis Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë dhe Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës

Në dokumentin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me Shqipërinë, ndër të tjera, thuhet: “Grupe shkrimtarësh kanë marrë pjesë në manifestime të ndryshme në RPS të Shqipërisë dhe në Kosovë. Janë botuar veprat e një numri të konsiderueshëm shkrimtarësh kosovarë në Shqipëri, ashtu si janë botuar te një numër i madh veprash të shkrimtarëve shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe veprat komplete të një vargu autorësh. Janë këmbyer mjaft grupe që kanë shfaqur programe kulturore-artistike, prej ansamblesh amatore deri tek ato profesionale. Janë organizuar ekspozita të ndryshme të arteve figurative dhe aplikative. Grupe artistësh e shkrimtarësh kanë bërë qëndrime studiuese dhe kanë marrë pjesë në manifestime të ndryshme. Janë shfaqur pjesë teatrale të teatrove profesionale. Për realizimin e disa pjesëve teatrale në Teatrin Krahinor në Prishtinë kanë marrë pjesë regjisorët, skenografët dhe koreografët nga RPS e Shqipërisë. Një bashkëpunim i frytshëm është zhvilluar dhe midis Radiotelevizionit të Prishtinës dhe atij të Tiranës. Është bërë këmbimi i një vargu të tërë emisionesh, serish e filmash. Disa nga këto emisione, veçanërisht filmat artistikë, RTV i Prishtinës i ka shfaqur për tërë rrjetin jugosllav”.

Në të vërtetë lexuesit, artistët dhe shkrimtarët në Prishtinë do ta kujtojnë numrin e madh të shkrimtarëve të Shqipërisë që vizitonin Prishtinën, duke marrë pjesë pothuajse në të gjitha manifestimet laterale të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, por edhe një numër më të kufizuar të shkrimtarëve të Kosovës në Tiranë. Mbështetur në të dhënat e së përditshmes “Rilindja”, të përjavshmes “Zëri i rinisë”, sidomos të përdyjavshmes “Fjala” e të revistës letrare “Jeta e re”, gjatë këtyre viteve do të jetë ekspozita e artistëve të Shqipërisë në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Prishtinë dhe në fushë të botimeve: kompleti i veprave të plota të Ismail Kadaresë. Le të thuhet më në fund se shkrimtarët shqiptarë të kësaj kohe nga brezi, sidomos studentor i viteve ’70, priteshin si heronj të vërtetë.

Platforma e delegacionit të Kosovës

Në dokumentet e delegacionit të Kosovës të paraqitura në bisedë me delegacionin mikpritës të Tiranës janë paraparë një numër i madh propozimesh përgjithësuese dhe konkrete. Ato fillojnë me temat për bashkëpunim ndëruniversitar, shkencor, arsimor, kulturor e fizik, për ekspeditat e përbashkëta kërkimore, për projektet e përbashkëta shkencore, për ligjëruesit mysafirë ndëruniversitarë, për tekstet shkollore, për planprogramet shkollore, për këmbimin e literaturës shkollore dhe universitare, për shfaqjen e filmave, për hapjen e ekspozitave etj., për të përfunduar me një ftesë jo edhe të zakonshme në rrethana të tilla: Do të propozojmë që një grup arsimtarësh, pionierësh të arsimit nga RPSSH që kanë punuar në Kosovë, t’i ftojmë ta vizitojnë Krahinën tonë, thuhet në Platformën e Delegacionit të Kosovës, për të përfunduar me një propozim që nuk del që në versionin e parë të Platformës. Mendoj se ky propozim vjen nga qarqet e larta shtetërore jugosllave. Fjala është për propozimin (citoj): në qoftë se pala shqiptare është e interesuar, jemi të gatshëm ta aktualizojmë çështjen e nënshkrimit të Konventës së bashkëpunimit kulturor midis RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë. Fjala është për Konventën e bashkëpunimit kulturor midis RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë, nënshkruar në vitin e largët 1947.

Cilat ishin propozimet dhe vlerësimet e udhëheqjes së Kosovës. Në raportin me siglën tepër rezervë, për Qeverinë e atëhershme krahinore thuhet:

  1. Është vlerësuar pozitivisht bashkëpunimi i zhvilluar deri tani në fushën e kulturës, arsimit, shkencës dhe të kulturës fizike. Ky bashkëpunim paraqet një kontribut që forcon marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe thellon besimin midis popujve tanë.
  2. Konsiderojmë se ekzistojnë mundësitë për zgjerimin, thellimin dhe pasurimin e këtij bashkëpunimi. Për këtë qëllim duhet të angazhohemi të ngritën iniciativa të reja, duhet të përfshihen edhe ato fusha të kulturës, arsimit, shkencës dhe të kulturës fizike për të cilat konsiderohet se ekziston interesimi nga të dyja palët.
  3. T’i kushtohet kujdes i duhur programimit të bashkëpunimit. Kjo gjë mund të arrihet me zgjerimin e numrit të marrëveshjeve midis institucioneve dhe asociacioneve përkatëse. Ndërkaq, mbasi të gjitha fushat e bashkëpunimit nuk mund të përfshihen në marrëveshje, programet e vizitave të grupeve kulturo-artistike, të ekipeve sportive dhe të grupeve të tjera të parashihen me kohë, të bëhen përgatitjet e duhura për realizimin e tyre dhe të merren të gjitha masat për arritjen e qëllimit të plotë të këtyre formave të bashkëpunimit.
  4. Duke u mbështetur në praktikën e deritanishme, me qëllim të evitimit të papreciziteteve në obligimet që marrin përsipër subjektet që marrin pjesë në bashkëpunim, mendojmë se do të ishte mirë ta zhvillojmë dhe përparojmë informimin reciprok. Realizimin e këtij synimi mund ta ndihmojë edhe konfirmimi me shkrim i obligimeve të marra nga subjektet përkatëse.
  5. Na kemi interes për vazhdimin e bashkëpunimit, të thellimit dhe të pasurimit të tij.
  6. Në fushën e arsimit e të shkencës, përpos ngritjes kualitative të nivelit të bashkëpunimit, konsiderojmë se ai mund të zgjerohet në disa drejtime:
  7. në realizimin konsekuent dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis dy universiteteve. Ky zgjerim mund të zhvillohet me intensifikimin e pjesëmarrjes në komisionet për përgatitjen dhe mbrojtjen e punimeve të magjistraturës dhe të disertacioneve të doktoratës.
  8. në një pjesëmarrje më të gjerë në tubimet shkencore, kongrese, simpoziume e të tjera. Pjesëmarrja nuk duhet të kufizohet vetëm në tubimet reprezentative, ose në ato me karakter ndërkombëtar, por duhet të shtrihet edhe në ato me karakter pune, siç janë sesionet shkencore të Institutit Albanologjik dhe tubime të tjera të ngjashme.
  9. në një bashkëpunim më intensiv të punonjësve shkencorë të njërës palë me publikimet shkencore të palës tjetër.
  10. në lidhjen e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit midis institucioneve dhe shoqatave të ndryshme siç janë, fjala vjen, shoqatat e kompozitorëve, të artistëve figurativë e të tjera.
  11. në përparimin e bashkëpunimit në lëmin e letërsisë, duke i kushtuar përfaqësimit të mbarë letërsisë shqiptare në historinë e letërsisë, antologjitë e ndryshme dhe në botime të tjera.
  12. Punonjësve shkencorë të Kosovës, projektet e punës së të cilëve i financon Bashkësia Krahinore e Punës Shkencore, t’u bëhet e mundshme t’i shfrytëzojnë bursat e kësaj Bashkësie për kërkime në institucionet përkatëse të RPS të Shqipërisë.
  13. Përpos ekspozitave kolektive të arteve figurative ose aplikative, të organizohen edhe ekspozita individuale. Nga ana tjetër, përpos koncerteve dhe programeve artistike të ansambleve ose grupeve, të organizohen edhe koncerte solistike.
  14. Bashkëpunimi midis Radio-televizionit të Prishtinës dhe atij të Tiranës nuk duhet të reduktohet vetëm në këmbimin e emisioneve e të filmave. Ai mund të zgjerohet në bashkëpunimin e realizimit të projekteve të ndryshme, në këmbimin e regjisorëve dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë.
  15. Mendojmë se ka mundësi për vendosjen e bashkëpunimit midis “Kosova-filmit” dhe Kino-studios “Shqipëria e Re” në realizimin e projekteve të filmave dokumentarë dhe artistikë me tematikë me interes të përbashkët.
  16. Konstatojmë se gjatë vitit 1979 kemi pritur një frekuencë më të madhe në bashkëpunimin në fushën e kulturës fizike e të sporteve. Për zhvillimin e bashkëpunimit në këto fusha pandehin se mund të ndihmojë nënshkrimi i marrëveshjes midis Lidhjes së Organizatave të Kulturës Fizike të Kosovës dhe Komitetit të Kulturës Fizike dhe të Sporteve të RPS të Shqipërisë.
  17. Është i pranishëm interesimi për këmbimin e vizitave të arsimtarëve. Propozojmë që këto vizita të bëhen në formë të organizuar, duke i planifikuar me kohë dhe duke i informuar organet kompetente të arsimit.
  18. Mendojmë se bashkëpunimi mund të zgjerohet edhe në disa fusha siç janë:
  19. nevoja për këmbimin e përvojave në konceptimin e planeve e të programeve të gjuhës e të letërsisë shqiptare,
  20. këmbimin e përvojave për konceptimin e teksteve shkollore,
  21. këmbimin e 1 ose 2 gazetarëve për studimin e çështjeve të zhvillimit të arsimit, shkencës e kulturës.
  22. Do të propozojmë që një grup arsimtarësh, pionierësh të arsimit nga RPSSH që kanë punuar në Kosovë, t’i ftojmë ta vizitojnë krahinën tonë.
  23. Do t’i propozojmë palës shqiptare që bashkërisht t’ua ngrehim përmendoren dëshmorëve të rënë në kampin e përqendrimit fashist të Prishtinës. Njëherësh, propozojmë të xhirojmë një film ose në një mënyrë tjetër ta shënojmë qëndrimin e pjesëmarrësve të Luftës Nacionalçlirimtare nga Jugosllavia në burgun e Tiranës.
  24. Në qoftë se pala shqiptare është e interesuar, jemi të gatshëm ta aktualizojmë çështjen e nënshkrimit të Konventës së bashkëpunimit kulturor midis RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë. (Një propozim, si version tjetër për pikën 17, është i shkruar me dorë me këtë përmbajtje: Delegacioni ynë duhet të analizojë çështjen e nënshkrimit të konventës duke pasur parasysh edhe interesin e RPSSH.)

Pjesë më vete në margjinë janë shënuar me gjasë edhe disa porosi që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e subjekteve të barabarta brenda shteteve, nivelin e vetëdijes politike të bartësve të bashkëpunimit, deklaratën e Tefta Camajt, e cila, siç duket, më parë kishte folur për “diskriminimin e shqiptarëve në pikëpamje gjuhësore, kulturore e arsimore”, rolin e ambasadorit shqiptar, nacionalizmin si proces të lirimit të vet kombit, nacional e klasor, platformat e ndryshme antikomuniste e antishqiptare etj.

Interesimi nacionalist i qeverisë shqiptare për bashkëpunim me Jugosllavinë

Paragrafët hyrës të raportit nga Tirana, të shoqëruar me rezultate dhe suksese të ministrit Ymer Jaka, nuk nënkuptojnë edhe mungesën e fërkimeve gjatë këtyre bisedimeve. Pas respektimit të dyanshëm të dokumenteve ndërshtetërore, të cilat shquhen zakonisht në komunikimin diplomatik, raporti sekret dhe mjaft i hollësishëm i delegacionit të Kosovës për nevoja të brendshme dëshmon për fërkimet e dyanshme pikërisht për ato tema, të cilat në parim brenda dokumenteve të proveniencës jugosllave duken formale, ndërsa këtu dalin mjaft të rezervuara.

Qëllimi i vizitës, thuhet në raportin tepër sekret të delegacionit të Kosovës, ka qenë trajtimi i bashkëpunimit në sferën e kulturës, të arsimit, të shkencës dhe të kulturës fizike midis KSA të Kosovës dhe RPS të Shqipërisë dhe përparimi, thellimi e pasurimi i këtij bashkëpunimi, në suaza të zhvillimit dhe të përparimit të marrëdhënieve të gjithëmbarshme midis RSF të Jugosllavisë me RPS të Shqipërisë.

Porse, thuhet më tej, TeftaCami, ministre e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, nënvizoi interesimin për bashkëpunimin në fushën e kulturës, të arsimit e të shkencës të RPS të Shqipërisë me RSF të Jugosllavisë, posaçërisht me KSAK dhe viset e tjera të vendit tonë, të banuara nga kombësia shqiptare. Duke e shfrytëzuar praninë e ambasadorit Komatina në këto biseda, ajo shprehu dëshirën për një bashkëpunim më intensiv me vendet e banuara nga shqiptarët në republikat tona socialiste të Maqedonisë dhe të Malit të Zi.

Duke dashur ta shquaj rëndësinë e bashkëpunimit gjithëpërfshirës me të gjitha republikat dhe krahinat e ish-Jugosllavisë, ministri Jaka theksoi interesimin e të gjitha republikave dhe të krahinave socialiste të vendit tonë dhe si ilustrim të këtij interesimi përmendëm suksesin që ka shënuar ekspozita e arteve figurative e RPSSH-së në Prishtinë, Beograd, e Shkup më 1979 dhe përkthimin e romaneve të I. Kadaresë në gjuhën serbokroate, maqedonase e sllovene. Kjo është arsyeja pse delegacioni i Kosovës vjen në përfundim se pala shqiptare shpreh interesim të posaçëm për bashkëpunim me ato bashkësi tona politiko-shoqërore ku jeton kombësia shqiptare. Për këtë arsye përshtypja jonë është se nga pala shqiptare nuk duhet pritur shumë iniciativa për zgjerimin e bashkëpunimit me ato bashkësi tona politiko-shoqërore ku nuk jeton kombësia shqiptare, thuhet në fund të raportit.

Platforma e bashkëpunimit jugosllavo-shqiptar brenda paradigmave kombëtare

Pas vizitës së dyanshme të ministrave të Kosovës dhe të Shqipërisë u organizuan disa takime strukturash diplomatike, politike, të sigurisë e të tjera. Mbledhjet e tilla në të vërtetë ishin mbajtur menjëherë pas vizitës së Titos në Kosovë, i cili i kishte dhënë dritë të gjelbër bashkëpunimit, përkatësisht avancimit të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, e kjo do të thotë marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë në veçanti. Sigurisht kjo është arsyeja pse ende pa e vizituar ministri kosovar Tiranën dhe ministri shqiptar Prishtinë, në Shkup, më 13 mars 1979 qe mbajtur takimi i kryetarit të Kryesisë së RS të Serbisë, RS të Maqedonisë, të RS të Malit të Zi dhe KSA të Kosovës me përfaqësuesit e sekretariatit federativ për punë të jashtme.

Po në këtë rrjedhë, më 9 qershor 1980, në Prishtinë qe organizuar edhe një mbledhje konsultative mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me RPS të Shqipërisë në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit, ndërmjet përfaqësuesve të punëve të jashtme në nivel të federatës dhe republikave e krahinave, në të cilin mungonin pa përjashtim përfaqësuesit e delegacioneve të Kroacisë dhe Sllovenisë. (Botohet për herë të parë. Përktheu nga serbokroatishtja Merxhan Avdyli.)

Qëllimi kryesor i mbledhjes të mbajtur më 9 qershor 1980, në Prishtinë, ishte që nga këndi i marrëdhënieve të drejtpërdrejta fqinjësore të vlerësohen marrëdhëniet tona me RPS të Shqipërisë në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit, si dhe të sigurohet një shkallë më e lartë e marrëveshjes dhe koordinimit të organeve republikane, përkatësisht krahinore dhe organizatave të punës së bashkuar në këtë fushë në qasjen ndaj RPS të Shqipërisë.

Në diskutim u konstatua se, për dallim nga marrëdhëniet ekonomike, bashkëpunimi me RPS të Shqipërisë në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit zhvillohet i organizuar, edhe pse me përmasa dhe karakteristika të ndryshme, kryesisht me RS të Malit të Zi, me RS të Maqedonisë dhe me KSA të Kosovës, ku me shumicë jeton kombësia shqiptare në vendin tonë (…) Pra, është e natyrshme që bashkëpunimi në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit, me RS të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe me KSA të Kosovës janë më të zhvilluara. Sepse kombësia shqiptare në RSF të Jugosllavisë është subjekt aktiv i bashkësisë shumënacionale jugosllave, në të cilën i realizon dhe afirmon interesat e veta, kulturën autoktone dhe vlerat artistike.

Në mbledhje tërhiqej vërejtje se në këto marrëdhënie duhet përjashtuar “çdo formë e bashkëpunimit po qe se ka elemente të nacionalizmit, paternalizmit, irredentizmit etj., nga ana shqiptare është e huaj dhe e papranueshme për bashkëpunimin e mëtutjeshëm dhe rrezikon seriozisht çdo formë bashkëpunimi ndërmjet RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë.

Po në këtë takim ritheksohet propozimi i palës jugosllave, për palën shqiptare, për rikthimin, përkatësisht ridimensionimin e Konventës për bashkëpunimin kulturor ndërmjet RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë, e cila ishte nënshkruar në vitin e largët 1947.

Ky takim gjithashtu nxjerr në pah disa zhvillime të dekadës së fundit ndërmjet dy vendeve, si dhe mungesën e tolerancës serbe në këto zhvillime ku, mes të tjerash, theksohej edhe “sjellja e palejueshme e personelit të ambasadës shqiptare në Beograd, e cila, sipas tyre, anashkalon organet federative, republikane dhe krahinore dhe kontakton drejtpërdrejt institucionet të cilat janë bartëse të formave të veçanta të bashkëpunimit”.

Përfundime

Duke u mbështetur në shtypin ditor të kohës, dokumentet e publikuara (kryesisht Marrëveshjet), dokumentet jozyrtare të institucioneve politike të Kosovës, dokumentet rezervë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të ish-Jugosllavisë dhe dokumenteve tepër sekrete të diplomacisë jugosllave, nuk është vështirë të shihet se këto vizita tejkalonin aktivitetet e dy ministrave të kohës në shkallë të Shqipërisë dhe Kosovës. Dokumentet, sidomos ato tepër sekretë, dëshmojnë gjithë përpjekjet e diplomacisë jugosllave që t’i hapë rrugë bashkëpunimit të Shqipërisë me Kosovën, duke orientuar synimet e saj për përtëritjen e këtij bashkëpunimi në rrjedhën e atyre viteve të mjaltit, pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë këtu edhe Konventën e vitit 1947.

Po këto dokumente flasin qartë edhe për synimet e diplomacisë shqiptare që ta hapë bashkëpunimin me Kosovën dhe madje, sikur thuhet me gjithë hapësirën e banuar me shqiptarë në ish-Jugosllavi, por jo më shumë, një shembull ekzemplar i tejkalimit të politikave shqiptare të kohës në marrëdhëniet e saj me ish-Jugosllavinë, nga koncepti i partnerit ideologjik, në konceptin e marrëdhënieve fqinjësore pragmatike. Apo, sikur thuhet në njërin prej dokumenteve jugosllave të kohës: Shqipëria, në aspektin arsimor, shkencor, kulturor dhe sportiv, është më e gatshme të bashkëpunojë me një fshat të banuar me shqiptarë kudo në Jugosllavi sesa me një republikë a krahinë jugosllave ku nuk ka popullsi shqiptare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina ka lëshuar një satelit të ri të Sistemit të…