Raportet e shkëlqyera Kosovë-Gjermani të shfrytëzohen edhe më shumë në rritjen e bashkëpunimit
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, ka pritur në takim Susanne Schutz, drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Në këtë takim, në të cilin ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Held, është biseduar për zhvillimet politike në Kosovë, përfshirë sfidat në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit të kaluar.
Zëvendësministrja Vuniqi dhe diplomatja Schutz, gjatë këtij takimi, kanë biseduar edhe për zhvillimet politike në rajon, proceset e fqinjësisë së mirë dhe ato të integrimit të Kosovës dhe rajonit në strukturat evropiane.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme ka falënderuar Schutz për angazhimin e saj dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të çmuar që Gjermania vazhdon të jep për shtetin e Kosovës. “Raportet e shkëlqyeshme bilaterale midis Kosovës dhe Gjermanisë duhet të shfrytëzohen edhe më shumë në rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat me interes për popujt e të dyja vendeve”, ka thënë Vuniqi.
/Epoka e re/