Raportet me aleatët, në “krizë”
Qeveria e Kosovës gjatë vitit që lamë pas ishte në shënjestër të kritikave nga bashkësia ndërkombëtare SHBA-ja dhe BE-ja për shkak të mos koordinimit të veprimeve të saj, sidomos në veri të vendit. Por, pavarësisht kësaj përfaqësuesit e partisë në pushtet Vetëvendosje vlerësojnë se raportet e Qeverisë me aleatët janë në nivel të mirë. Opozita ndërkaq, ka kritikuar Qeverinë se si rezultat i mos koordinimit Kosova është nën sanksione nga BE-ja. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se riparimi i raporteve me aleatët i mbetet barrë qeverisë se ardhshme.
Zyrtarët e SHBA-se dhe të BE-së gjatë vitit që lamë pas kanë kërkuar disa herë nga Qeveria e Kosovës të ketë bashkëpunim për veprimet në veri të vendit. Bashkësia ndërkombëtare ka paralajmëruar se çdo veprim ndryshe Kosova rrezikon ta humb mbështetjen në arenën ndërkombëtare. Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinofci, pavarësisht kësaj thotë se raportet e Qeverisë me aleatët e Kosovës nuk janë në krizë. Sipas tij edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se Qeveria është duke e shtrirë legjitimitetin në veri të vendit. Deputeti Bajqinofci kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare duhet ta sanksionojnë Serbinë e cila, sic tha, po e destabilizon Kosovën.
“Sanksionet dhe presioni duhet të bie mbi Beogradin sepse ai është destabilizuaesi i këtij vendi dhe nuk duhet shpesh të ketë standarde të dyfishta, që të sulmohemi ne dhe pastaj të marrim shpesh kritika nga ndërkombëtarët. Unë mendoj që nuk ka përkeqësim të raporteve të Kosovës me aleatët. Këto janë që opozita po i lanson në publik. Raportet do të mbeten miqësore me SHBA-të dhe BE-në. Ne e kemi obligim ta respektojmë kushtetutën e vendit”, tha për rtv21 Mefail Bajqinofci, deputet i LV-së.
Partitë opozitare kanë ngritur shqetësimin se Kosova do të ketë pasoja të mëdha në arenën ndërkombëtare për shkak të mos koordinimit të Qeverisë me aleatët e Kosovës. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se me faktin se Kosova është nën sanksione tregon qartë se bashkësia ndërkombëtare është e pakënaqur me veprimet e Qeverisë.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha se qeveria e re do ta ketë obligim riparimin e raporteve me aleatët e Kosovës.
“Një prej detyrave për qeverinë e ardhshme është rilidhja e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë SHBA-të dhe BE-në. Fatkeqësisht kjo Qeveri në këto katër viteve ka bërë një qarje të madhe me aleatët”, tha Mustafa.
Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lutfi Bilalli, vlerëson se për të pas sukses në politikën e jashtme Kosova duhet të ruaj partnerët e saj mbështetës. Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti se gjatë vitit që po e lëmë ka krijuar përçarje me aleatët.
“Është shumë e nevojshme që të ketë koordinim dhe bashkëpunim me aleatët. Qeveria në këtë drejtim ka bërë disa hapa të ngutshëm. Ose janë të qëllimshëm këta hapa të Qeverisë ose pjesë e naivitetit ose për shkak të mos eksperiencës”, tha Bilalli.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i kishte bërë thirrje Qeverisë Kurti që nuk duhet të urinojë në një drën e një klubi ku synohet anëtarësimi. Ai e kishte dhënë këtë deklaratë metaforike për të përshkruar mos dëgjueshmërinë e kryeministrit Kurti ndaj kërkesave dhe sugjerimeve të SHBA-së dhe BE-së.