Raportet me Kosovën përplasin VLEN-in dhe BDI-në
Koalicioni i partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, VLEN dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), janë përplasur mes vete për Kosovën, me reagime publike të dielen.
Koalicioni VLEN ka reaguar pas një deklarimi të BDI-së për kolona në pikat kufitare. Në reagimin e koalicionit shqiptar që janë pjesë e qeverisë, thuhet se me qeverisjen serioze e të përgjegjshme brenda pak muajve arriti të nënshkruaj marrëveshje për one-stop shop me Kosovën, e cila së shpejti do të hyjë në fuqi.
Ata duke akuzuar BDI-në se marrëveshje të tillë kishte bërë me Serbinë, kanë përmendur mbledhjen e përbashkët Kosovë- Maqedoni e Veriut, që sipas tyre tregon përkushtimin dhe orjentimin e qeverisë për bashkëpunim me Kosovën.
“Marrëdhëniet me Kosovën janë në nivelin më të kënaqshëm si asnjëherë më parë. Pasi vizita e parë zyrtare në vend ishte nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe mbledhja e parë ndërqeveritare u bë me Kosovën në Prishtinë për herë të parë. Këto janë shenja të mjaftueshme për të treguar orientimin politik të kësaj qeveria. VLEN është e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes dyja shteteve. E ardhmja e shqiptarëve është e lidhur me zhvillimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet nga VLEN.
Por, në një reagim nga BDI, thuhet se kjo qeveri në shtatë muaj ka kthyer mbrapsht çdo arritje historike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Për herë të parë, institucionet e kësaj qeverie përdorin terminologjinë “Kosova dhe Metohia,” një narrativë që është shprehje e qartë e politikave të Serbisë për denigrimin e statusit të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri, që lejon Ivan Stoilkovicin – një përfaqësues i hapur i interesave ruso-serbe – të udhëheqë ministrinë që mban përgjegjësinë për zbatimin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, ka treguar se është thjesht një zgjatim i “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut”.Dhe është pikërisht kjo qeveri që po tenton të tregojë se e ku kanë “vendin shqiptarët,, nëpërmjet nënshtrimit politikave përjashtuese”, thuhet nga BDI.