Raportet strategjike mes vendeve nuk varen nga çështjet periferike
Politologu Belul Beqaj ka ftuar liderët institucionalë të Kosovës që të kenë kujdes në raportet me ShBA-në dhe BE-në.
Ai ka thënë se vendimmarrja për çështje strategjike, pa u konsultuar me ndërkombëtarët, është aventuriere.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Beqaj ka vlerësuar se një sjellje e tillë e lidershipit vendës shpreh mosmirënjohje për kontributin e ndërkombëtarëve për çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Raportet strategjike mes vendeve nuk varen nga çështjet periferike. Miqtë dhe armiqtë potencialë duhet të kuptojnë se pavarësia e vendimmarrjes është sprovë e sovranitetit. Marrja e vizës nga ndërkombëtarët, veçmas rishikimi i vendimmarrjes pas çdo reagimi të faktorëve ndërkombëtarë, shkakton infatilitetin politik. Ndërsa vendimmarrja për çështje strategjike, pa u konsultuar me ta, është aventuriere dhe shpreh mosmirënjohje për kontributin e tyre për çlirim dhe shtetndërtim”, ka thënë Beqaj.
Ai ka deklaruar se taksa për produktet serbe mund ta ndalë vetëm përkohësisht dialogun me Serbinë. Sipas Beqajt, bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë presion edhe Serbisë për sjelljet destruktive në raport me Kosovën.
“Taksa mund të ndërpresë përkohësisht dialogun, por jo edhe ta ndalë. Pikërisht për këtë nuk duhet për ta stërmadhuar rëndësinë e saj. Pse të mos i bëhet presion Serbisë për vazhdimin e dialogut për shkak të qindra arsyeve më të rëndësishme që e kanë degraduar dhe po e degradojnë shtetin e Kosovës ?!”, është shprehur ai.
Ai ka treguar se taksa është pasojë e dialogimit të privatizuar dhe aventurier që Kosova e ka bërë deri më tani me Serbinë.
“Fatkeqësisht, ajo po përdoret si digë e mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit në kohë të papërshtatshme, por edhe si instrument i kapitalizimit nga zgjedhjet eventuale. Prandaj, Kosova është në udhëkryq. Megjithatë, më mirë është të mbetet aventura e taksës e Ramush Haradinajt sesa të vazhdojë aventura e Hashim Thaçit për ndarjen dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
“Epoka e re”: Z. Beqaj, kryeministri Haradinaj po insiston në mbajtjen e taksës ndaj mallrave serbe, pavarësisht prej presionit ndërkombëtar. Si e keni parë këtë konsistencë të kryeministrit?
Beqaj: Jam i vetëdijshëm se nuk duhet prishur partneriteti strategjik me ShBA-në por, nëse janë në pyetje vendimet strategjike, nëse pushtetarët e Kosovës nuk mund të marrin vendime të pavarura edhe për çështje të tilla, atëherë çfarë kuptimi kanë pavarësia dhe sovraniteti i shtetit?! Përkundrazi, zyrtarët amerikanë duhet ta inkurajojnë guximin për vendimmarrje të pavarur pavarësisht se taksa nuk arsyetohet. Por, as kushtëzimet eventuale të ShBA-së, apo çdo shteti tjetër ndaj Kosovës. Nëse dikush nga administrata e Trumpit mendon në ShBA se Kosova duhet të marrë vendime vetëm siç mendojnë zyrtarët e ShBA-së, atëherë interesi strategjik i intervenimit të ShBA-së paska qenë më i rëndësishëm se aspekti humanitar që është përdorur publikisht si argument i intervenimit. Lojaliteti i shtetasve të Kosovës ndaj ShBA-së nuk duhet sprovuar me veprime të tilla, aq më parë kur dihet mirëfilli se pushtetet e pasluftës janë mbajtur më së shumti në saje të mbështetjes amerikane, edhe pse ka pasur raste kur janë toleruar edhe “vjedhjet industriale”.
“Epoka e re”: Mosrespektimi i kërkesës amerikane për pezullimin e taksës a mund të ndikojë në raportet Kosovë – ShBA?
Beqaj: Raportet strategjike në mes të vendeve nuk varen nga çështjet periferike. Miqtë dhe armiqtë potencialë duhet të kuptojnë se pavarësia e vendimmarrjes është sprovë e sovranitetit. Marrja e vizës nga ndërkombëtarët, veçmas rishikimi i vendimmarrjes pas çdo reagimi të faktorëve ndërkombëtarë, shkakton infatilitetin politik. Ndërsa vendimmarrja për çështje strategjike, pa u konsultuar me ta, është aventuriere dhe shpreh mosmirënjohje për kontributin e tyre për çlirim dhe shtetndërtim.
“Epoka e re”: ShBA-ja tashmë veç ka ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim. Nuk ia ka dhënë vizën kryeministrit Haradinaj dhe e ka anuluar vizitën e komandantit të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr. Në cilat fusha të tjera mendoni se mund ta sanksionojë ShBA-ja Kosovën?
Beqaj: Kosova është, para së gjithash, produkt i NATO-s dhe rezistencës kombëtare. Pse amerikanët janë zhgënjyer me lidershipin politik të cilin e kanë mbështetur më shumë ata sesa populli nuk duhet t’i hakmerren idesë për ndërtimin e një shteti të mirëfilltë. Çdo sanksion që drejtohet ndaj lidershipit do të ishte i justifikueshëm. Por, veprimet eventuale që rrezikojnë zhbërjen e shtetit të Kosovës duhen kundërshtuar pavarësisht se kush tenton të bëjë këtë. Në Kosovë po krijohet vetëdije e shtetndërtimit. Pavarësisht prej lidershipit që po e rrezikon për çdo ditë këtë, do të ishte e pafalshme nëse këtë vetëdije e sulmojnë edhe ata që kanë kontribuar më së shumti për krijimin e vetëdijes së shtetndërtimit.
“Epoka e re”: Nëse Qeveria e Kosovës nuk e heq taksën, cila duhet të jetë rruga për të dalë nga kjo situatë?
Beqaj: Kjo është Qeveri aventuriere që ka në krye të shtetit një kryetar aventurier. Taksa është pasojë e dialogimit të privatizuar dhe aventurier. Fatkeqësisht, ajo po përdoret si digë e mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit në kohë të papërshtatshme, por edhe si instrument i kapitalizimit nga zgjedhjet eventuale. Prandaj, Kosova është në udhëkryq. Megjithatë, më mirë është të mbetet aventura e taksës e Ramush Haradinajt sesa të vazhdojë aventura e Hashim Thaçit për ndarjen dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës.
“Epoka e re”: A besoni se mund të ndalet faza finale e dialogut Kosovë – Serbi me mosheqjen e taksës?
Beqaj: Taksa mund ta ndërpresë përkohësisht dialogun, por jo edhe ta ndalojë atë. Pikërisht për këtë nuk duhet për ta stërmadhuar rëndësinë e saj. Pse të mos i bëhet presion Serbisë për vazhdimin e dialogut për shkak të qindra arsyeve më të rëndësishme që e kanë degraduar dhe po e degradojnë shtetin e Kosovës?! Agresiviteti i Serbisë për çnjohje të shtetit të Kosovës dhe retorika mohuese janë më të rrezikshme sesa taksa e një shteti që sulmohet nga të gjitha anët në kohën kur zhvillohet dialogu për normalizimin e raporteve. Tekefundit, dialogu mund të vazhdojë, pas zgjedhjeve në Kosovë, Serbi, BE, ShBA… apo jo?!
Muhamet KOCI