Raporti i ekspertizës, policët u vetaksidentuan
Dy policët Armend Trena dhe Malsor Dashi sipas raportit të ekspertizës së komunikacionit janë vetaksidentuar.
Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.
Jashari për “Kallxo.com” ka thënë kanë marrë raportin e ekspertizës dhe ai thotë se policët të cilët ranë në lumin Lepenc u vetaksidentuan.
“Po kemi marrë raportin e ekspertizës. Sipas raportit gjendja e automjetit ka qenë në rregull nuk ka pasur probleme. Po ashtu në raport thuhet se rasti ka qenë vetë aksident”, ka thënë Jashari.
Në anën tjetër kryeprokurori Jashari është duke pritur edhe raportet e autopsisë së dy policëve të aksidentuar më 28 prill të muajit të kaluar.
Trupi i Malsor Dashit u gjet në ujërat e lumit Lepenc pas pesë ditë kërkimesh, ndërsa trupi i Armend Trenës u gjet në ditën e dhjetë të kërkimeve që po bëheshin në lumin Lepenc më saktësisht në vendin e quajtur ‘Kulla me Qeshme”.