Raporti global i hendekut gjinor, Shqipëria renditet e 17-ta në botë dhe e para në rajon

21 qershor 2023 | 16:42

Shqipëria renditet në vendin e 17-të në botë nga 146 shtete në Indeksin e hendekut Gjinor të vitit 2023.

Kjo, sipas raportit të publikuar nga Forumi Ekonomik Global ku në statistikat e publikuara tregohet se hendeku gjinor në Shqipëri është më i ulëti se të gjitha vendet e rajonit.

Gjithashtu lë pas edhe disa nga vendet evropiane si Spanja, Italia, Danimarka.

Duke e krahasuar me një vit më parë, Shqipëria është rritur me 1 pozicion.

Sipas publikimit, Shqipëria ka mbyllur 80% të hendekut gjinor, nga 91.2% që e ka shteti me më pak diferenca gjinore në botë.

Për sa i përket peshës së grave në postet ministrore, raportit tregon se 11 nga 146 vende, të kryesuar nga Shqipëria, Finlanda dhe Spanja, kanë 50% ose më shumë ministre femra.

“Megjithatë, 75 vende kanë 20 për qind ose më pak ministre femra. Më tej, vendet e populluara si India, Turqia dhe Kina kanë më pak se 7 për qind e ministrave që janë gra dhe vende si Azerbajxhani, Arabia Saudite dhe Libani nuk kanë asnjë”.

Ndërsa në rajon, pas Shqipërisë renditen Serbia (38), Mali i Zi (69) dhe Maqedonia e Veriut (73). Kosova nuk përfshihet në indeks.

Indeksi Global i Hendekut Gjinor u prezantua për herë të parë nga Forumi Ekonomik Botëror në 2006 për të vlerësuar progresin drejt barazisë gjinore dhe për të krahasuar boshllëqet gjinore të vendeve në katër dimensione: mundësitë ekonomike, arsimi, shëndetësia dhe lidershipi politik.

Qëllimi i raportit është të ofrojë një metrikë të qëndrueshme vjetore për vlerësimin e progresit me kalimin e kohës. Duke përdorur metodologjinë e prezantuar në vitin 2006, indeksi dhe analiza fokusohen në krahasimin e barazisë midis grave dhe burrave nëpër vende dhe rajone.

Niveli i progresit drejt barazisë gjinore (rezultati i barazisë) për secilin tregues llogaritet si raport i vlerës së secilit tregues për gratë me vlerën për burrat. Një pikë barazie prej 1 tregon barazi të plotë. Hendeku gjinor është distanca nga barazia e plotë.

Analiza në këtë raport është fokusuar në vlerësimin e hendeqeve gjinore midis grave dhe burrave në të gjitha rezultatet ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe politike bazuar në të dhënat e disponueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftim nga KEDS-i për punimet në rrjet 22.06.2023 Punime të…