Raporti i Borrellit pritet të përfundoj këtë javë, a do të rekomandohet heqja e masave ndaj Kosovës?
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ende nuk e ka finalizuar raportit lidhur me mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës.
Sipas burimeve evropiane të informuara mirë, raporti i Borrell duhet të përfundojë më së voni deri në fund të majit. Raporti pritet të përmbajë rekomandimin për heqjen e masave dhe e vetmja e panjohur është nëse ato do të hiqen plotësisht apo gradualisht, transmeton paparaci. Sipas këtyre burimeve, operacioni në veri të hënën e kaluar ka bërë që të vonohet finalizimi i raportit, për të marrë parasysh këto veprime të autoriteteve kosovare.
Ata pretendojnë se raporti do të përfshijë edhe operacionin e javës së kaluar nga autoritetet e Kosovës, kur policia mbylli gjashtë objekte të Kursimores së Postës së Serbisë dhe Bankës Popullore të Serbisë, në katër komuna në veri të Kosovës.
Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, ka konfirmuar se ngjarjet e fundit do të jenë gjithashtu pjesë integrale e raportit të Borrell.
“Masat u vendosën për të motivuar autoritetet e Kosovës që të punojnë për de-përshkallëzimin. Natyrisht, gjithçka që ndodh në terren, e që ka ndikim negativ në përpjekjet për deeskalim, është regjistruar dhe përfshirë në raport”, ka thënë Stano.
Shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në fund të muajit prill, menjëherë pas mbajtjes së votimit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri, u deklaruan për heqjen e masave ndaj Kosovës.