Raporti i Cramonit: Kosova ka ende rrugë të gjatë përpara drejt pranimit në BE
Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka bërë të ditur se Komisioni i PE-së, ka pranuar raportin e saj për Kosovën.
Në një shkrim në “Twitter”, ka thënë se PE e sheh Kosovën si një vend me një perspektivë të qartë evropiane.
“Kohët e fundit Komisioni i Parlamentit Europian për Punë të Jashtme ka miratuar raportin tim për Kosovën. Ne i dërgojmë një mesazh të qartë Kosovës dhe Komisionit Evropian në lidhje me udhëzimet dhe veprimet që duam të shohim. Parlamenti Evropian e sheh Kosovën si një vend me një perspektivë të qartë evropiane”, ka shkruar ajo.
Cramon ka theksuar se ka ende një rrugë të gjatë përpara drejt pranimit në BE.
Ajo ka përmendur edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Ne duam të shohim dialogun Beograd-Prishtinë të vazhdojë sepse ky është interesi i të dyja palëve. Pa dialog, Kosova ka shumë për të humbur. Parlamenti Evropian ka të njëjtin tekst në raportin për Serbinë nga Vlado Bilcik. BE gjithashtu duhet të bëjë detyrat e shtëpisë dhe Këshilli duhet t’i japë Liberalizimin e Vizave për Kosovën”, ka deklaruar Cramon.