Raporti i DASH-it për trafikimin e qenieve njerëzore, Kosova dhe Shqipëria në nivelin e dytë

19 korrik 2022 | 21:01

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar të martën raportin mbi trafikimin e qenieve njerëzore për vitin 2022, që përfshin vlerësimet për rreth 190 vende të botës.

Raporti i ndan vendet në tre nivele.

Në nivelin e parë përfshihen vendet dhe territoret, qeveritë e të cilave veprojnë në pajtim të plotë me standardet minimale të kërkuara.

Në nivelin e dytë hyjnë vendet dhe territoret, qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me standardet minimale, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të arritur një gjë të tillë dhe në nivelin e tretë futen vendet që nuk përputhen plotësisht me standardet minimale dhe nuk po bëjnë përpjekje për një gjë të tillë.

Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të renditen në nivelin e dytë.

Ngjashëm sikur një vit më parë, raporti thekson se Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për një gjë të tillë. Qeveria demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë Covid-19 në kapacitetin e saj antitrafikim, ndaj mbeti në nivelin e 2-të, thuhet në raport.

Këto përpjekje, thuhet më tej, përfshijnë ndjekjen penale dhe dënimin e më shumë trafikantëve dhe identifikimin e më shumë viktimave. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit krijoi ekipe lokale shumëdisiplinore për të përmirësuar bashkërendimin për rastet e trafikimit në tre rajone dhe qeveria shtoi fondet për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të.

Qeveria organizoi një fushatë të fuqishme ndërgjegjësimi dhe organet bashkërenduese mblodhën dhe përgatitën raporte tremujore. Megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha thelbësore. Gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime të buta për trafikantët dhe qeveria nuk miratoi Strategjinë Kombëtare Antitrafik dhe Planin e Veprimit 2020-2024.

Organet e zbatimit të ligjit vazhduan ta klasifikojnë lypjen e detyruar të fëmijëve nga prindërit e tyre si neglizhencë ose abuzim prindëror në vend të trafikimit dhe për shkak të procedurave jo të duhura të identifikimit për lypjen e detyruar, autoritetet ka të ngjarë të kenë dëbuar disa viktima të paidentifikuara trafikimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka postuar një fotografi…