Raporti i DASH-it: Shqipëria vend tranzit për drogat e forta
Departamenti Amerikan i Shtetit i dorëzoi të enjten Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve.
Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se ky vend është njëkohësisht burim i kanabisit dhe gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën.
Në këtë raport që mbulon vitin 2018, Departamenti i Shtetit thotë se tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane.
Vëllimi i konfiskimeve të drogës dhe arrestimet e lidhura me drogën në vitin 2018, thuhet në raport, ishin me rëndësi, të nxitura kryesisht nga bashkëpunimi i organeve ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë, presioni ndërkombëtar në rritje dhe përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian.
Sipas raportit, roli i Shqipërisë si burim apo treg për droga të paligjshme përtej kanabisit është i vogël, por ka pasur një rritje në konfiskimet e kokainës që kalon nëpër Shqipëri për në Europë, përveç zbulimit të laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipërinë veriore dhe qendrore.
“Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi”.
Në raport thuhet se korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve.
Korrupsioni zyrtar, thuhet aty, është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar, transmeton “TCh”.